Vetem edhe një perspektivë..

Kjo “kolumnë” si i thonë,është e para e imja dhe ndoshta edhe e vetmja që do ta shkruaj për të vetmën arsye se sot shumëçka shkruhet ndërsa pak lexohet. Kjo nuk është asgjë tjetër pos një manifest i një të riu shqiptar nga Kumanova që merret  me trajtimin e fenomeneve që po ndodhin ne rrethin tone pasiqë si student ende nuk kam obligime tjera pos të lexoj. Sot,si efekt anësor që solli nacionalizmi i ringjallur (mirpo i pa kanalizuar dhe i lënë në mëshirën e fatit pasiqë nuk kishte shtytje nga institucionet shtetërore,akademike që do të merreshin me mbikqyrjen e këtij procesi) erdhën shumë gjëra të padëshiruara. 

Dihet mirë se Shqipëria e periudhës së tranzicionit e kishte të pasigurtë edhe vet ekzistimin e saj si shtet , mbijetoi falë përkrahjes së aleatëve rajonal siç është Turqia dhe global siç janë Sh.B.A dhe BE, të cilët përkrahën iniciativa të grupeve të caktuara që ishin krijuar që në periudhën e sistemit monist që më pas këto grupe të inicojnë ndryshime të mëdha në rrafshin gjeo-politik siç është rasti i Republikës së Kosovës dhe i Marrëveshjes së Ohrit. Këto dy procese mund të konsiderohen arritjet më të mëdha të fundit të shekullit XX, pasiqë Kosova u dha dritë jeshile të gjithë popujve të kolonizuar që të ushtrojnë të drejtën e vetvendosjes ndërsa Marrëveshja e Ohrit është një projekt I cili nëse aplikohet në të gjitha shtetet multi-etnike,atëherë nuk do të ketë arsye për ndarje të mëtutjeshme territoriale pasiqë me decentralizim çdo komunitet kontrollon resurset e veta, I veçuar nga qendrat e sistemeve të centralizuara dhe me pavarsi të konsiderueshme.

Që të arrihen këto dy fitore të mëdha të popullit shqiptar ndihmoi nacionalizmi i ripërtrirë I marrur si model nga nacionalizmi romantik I periudhës së Rilindasve. Mirpo këtu ndodhi lëshimi, në vend se të plotësohej dhe përshtatej me kohën dhe mentalitetin,ai nacionalizëm iu nënshtrua ndikimit marksist-leninist(në kohën e luftës së ftohtë po ky ndikim e shpëtoi Shqipërinë nga aneksimi Sovjetik apo Jugosllav)me çka feja si njëra nga shtyllat kyçe të identitetit u ndalua dhe u kriminalizua.Nacionalizmi që solli lirinë e të frymuarit sot e pengon lirinë e të menduarit dhe të shprehurit me çka krijon kushte të pavolitshme për të dalë inovacioni,qoftë në lëminë e shkencave shoqërore e qoftë edhe në atë të shkencave teknologjike. Nacionalizmi sot, pasiqë ishte I zhvilluar pa kontroll dhe kishte në bazë periudhën e Rilindjes e cila mbetet periudhë tejet e panjohur në thelb nga ana gjeo-politike,rrezikon të sjellë një konflikt mes grupeve të ideologjive të ndryshme sepse nuk është nacionalizëm që I përket shekullit tonë por shekullit të kaluar dhe nuk është në gjendje më ti mbajë bashkë elementet me tendenca për shkëputje bile shpesh nacionalizmi romantik shërben si katalizator I përshpejtimit të proceseve të shkëputjes me çka e humb rolin e vet shoqëror dhe arsyen për të cilën u krijua.

Sot atdhedashuria shqiptare është e fokusuar në atë se kush është më shqiptar, duke ua imponuar popullatës edhe mënyrën e shprehjes, duke u imponuar standardizimin e gjuhës shqipe edhe në ambiente familjare dhe duke synuar standardizimin e shqiptarit duke marrë për model vetëm shqiptarin e urbanizuar të qytetërimit Perëndimor.Kjo sjell inferioritet në shqiptarët e provincave dhe qyteteve të vogla me çka  humbet karakteri autokton i popullit tonë që jeton ne provincë (sepse jo të gjithë jemi  shkupjanë, tirons,prishtinalit d.m.th qendrat administrative – provincat) duke u munduar ti kopjojmë trendet e kryeqendrave (të cilat  e marrin kulturën nga qendra më të mëdha mirpo  me vlera të ndryshme të civilizimit), dhe sjell shkëputje të shqiptarëve të ndikuar nga Lindja,si ajo Islame edhe ajo Orthodhokse(me çka rrezikohet shkëputja e tyre nga trungu I kombit).

Asimilimi nuk do të thotë të ndërrosh gjuhen sa do të thotë të ndërrosh traditat sepse nga traditat ne e ruajmë mënyrën shqip të perceptimit.Sot, si në aspektin politik,shoqëror,ekonomik,fetar, më shumë se kurrë na mungon menyra shqip e perceptimit.Kjo mënyrë e të menduarit është në zhdukje pasiqe jemi të hutuar tej mase dhe kemi një manifestim të krizës së identitetit, gjë që shkakton radikalizimin e shoqërise në njërin apo në tjetrin bosht dhe sjell rreshtimin e popullit në dy ekstreme të kundërta,në atë fetar dhe në atë nacionalist. Kjo ndodh  sepse jetojmë në një hapsirë jetike gjeografike nëpërmjet të cilës kalojnë  tre civilizime të ndryshme dhe në interaksion të fazës primitive mesjetare me njëra tjetrën,ndersa ne fatlumët apo te mallkuarit zgjodhem që të kemi nga pak nga të tre civilizimet,gjithmone duke ruajtur menyren shqip te te frymuarit gjë që e mbajti bashkë popullin. 

?ka na bën neve shqiptareve aq te veçantë në raport me popujt tjerë, çfarë motivi duhet të kemi që t`u kundërvihemi këtyre tentativave për asimilim? Asimilimi jonë I tanishëm është I intenzitetit më të fortë që kemi pasur deri më tani,asmilimi në kulturën “globale” tek ne ndodh nga të gjitha anët sepse jemi në mes të të gjithëve duke iu nënshtruar dy proceseve masive të globalizimit, atij islamik dhe Perëndimor?.Nëse shqiptarët do t`u mbijetojne këtyre sulmeve natyrore qe vijnë si pasojë e ndryshimeve tekniko-teknologjike, me krijimin e ndonjë programi mbarëkombëtar të llojit të “Mbrothtësisë” së të ndjerit  Arben Xhaferi,me përfshirjen e të gjithë shqiptarëve në “Rilindjen” e Edi Ramës, ne mund të kontribojmë për mbarë njerëzinë që të arrihet paqë ndër-qytetërore  e jo të jemi prehë e provokimeve të politikave destruktive që ushtrojnë fqinjët tanë sepse veprimi në mënyrën e tyre politike neve na përçan dhe na thyen sikurse I theu sllavet gjatë periudhës së shkepjes së kishave orthodhokse dhe katolike gjithashtu edhe pakicës Bogumile (Bosnjë,Bullgari, bregdeti perëndimor I Ballkanit) mes këtyre dyjave,e cila më pas u islamizua pasiqë ishte një ndikim Lindor I ngjashëm në filozofi me Islamin).Kjo ndarje e cila përfundoi me kulminim në luften qe shkatrroi Jugosllavine ende është aktuale dhe e rëndësisë së madhe në Bosnë dhe Hercegovinë pasiqë kemi tendenca të paraqitjes së sërishme së ideve që karakterizuan shekullin XX dhe dy lufta të përmasave botërore.
Situata në Bosnë është e ngjashme me situatën në Maqedoni me të vetmin dallim se shqiptarët për dallim nga serbët zgjodhën BE-në si udhërrëfyese drejt bashkimit të të gjithë Europës e me atë edhe arritjes së ëndrrës shekullorë që most të ketë më kufi ndër pjesëtarëve të një kombi I cili padrejtësisht ishte ndarë dhe jeton me shekuj në bregdetin e detit Adriatik dhe Jon në të dy anët e detiti (Arbëreshët e Italisë).Ne duhet të ndryshojmë kahje,mirpo jo para se të merremi vesh të gjithë njëzëri se ku duam të shkojmë si komb.

Si popull, jo vetem per shkak te Kosoves, por edhe per shkak te gjuhes, histories, mitologjise, folklorit, ne jemi një rast pa precedent.Jemi nje popull qe ishte aq I bashkuar qe u mbijetoi dallimeve fetare dhe krahinore gje qe popujt tjere Ballkanik e me gjere nuk e paten,sepse është e pakuptimte per nje grek,serb, kroat e turk qe te kuptoje simbiozen shekullore nder-vellazerore te Shqiptarit të Ehli Sunetit,Bektashizmit,ritit Orthodhoks dhe atij Katolik.Ne duhet te jemi krenare ne mbijetesen e gjithe ketyre feve,dialekteve,ideologjive politike, përfaqësuesit e të cilëve gjithmonë kishin për qëllim qe ti shërbejne sa më mirë qenies shqiptare duke rrespektuar dallimet e karakterit vetanak dhe duke zëvendësuar tolerancën e sotme që propagandon multi-kulturalizmi europian me simbiozën ndër-fetare që nuk e kanë popujt përreth.Ne sot,në këtë botë të trazuar dhe të ndarë në fe dhe ideologji politike, ne jemi bashkimi.Sidoqofte, sot ne pretendojme qe te demokratizohemi pasiqe vetem demokracia na mundeson te mbesim shqiptare dhe vetem demokracia do te shpetonte qe keto tre civilizime mos  të ndeshen njera me tjetren.

Ideja e ndarjes se botes ne civilizime eshte ideja me te cilen funksionojne te gjitha fuqite e medha dhe vjen si koncept nga Samuel Huntington I cili e trajton kete ceshtje ne vepren e tij “Perplasja e civilizimeve(qyteterimeve) dhe krijimi I Rendit te ri boteror”. Eshte interesante se ne Ballkan deri ne periudhen sheriatike te Perandorise Osmane( d.t.th para reformes se Tanzimatit) keto qyteterime bashke-jetuan prane njera tjetres dhe si deshmi merret mos-asimilimi I orthodhokseve dhe katolikeve ne islam, kjo simbiozë e ka për bazë ligjin e sheriatit që ndalonte dhunë në fe dhe u lejonte feve të Librit që të zhvillojnë kultin e tyre të besimit brenda Kushtetutës së atëhershme që detyronte jomuslimanët të paguanin një tatim që ishte edhe më I vogël se tatimet që sot paguajmë të gjithë. Populli shqiptar sot gjendet në një udhëkryq që I ka përçarë të gjithë popujt tjerë ballkanik sepse zgjedhjet që na ofrohen janë të pakta ndërsa pyetja e duhur është : “Në cilën kahje do të shkojmë?”. 

Ne sot kemi vështirësi në përzgjedhje pasiqë në asnjë opcion nuk jemi unik, ca duam Perëndimin, ca duam Lindjen, ca duam kapitalizmin ca sheriatin  e ca enverizmin, mirpo të gjithë neve na bashkon ideja e demokracisë, ideja që I jep lirinë secilit  të drejtën të vendosë për veten dhe fëmijët e tij se në ç`botë do të rriten dhe jetojnë. Është një nga konceptet më të qytetëruara që ka prodhuar Ballkani pasiqë të gjithë e dimë se demokracia lindi në këto treva dhe në këto treva duhet të ringjallet që të shpëtoje popujt e robëruar nga urrejtja. Kjo ringjallje nuk ndodh me fajësimin e tjetrit, me mospranimin e gabimit, me ndjekjen verbërisht sipas planit të politikave që ishin produkt I rrethanave që I përkasin të së kaluarës por duhet krijuar rrethanat që na mundësojnë të jemi krenar për të ardhmen që ua kemi siguruar brezave që vijnë. Breza që po shkëlqejnë në plot fusha të ndryshme ,siç  ështe rasti me futbolistët e kalibrit të Xhakës,Shaqirit, Januzajt,Ramës kemi plot,mirpo në pamundësi që të shkëlqejnë ku peshojnë(atdheu I tyre) ne humbim nga krenaria kombëtare dhe I qasemi opcioneve tjera të identifikimit(fetar,ideologjik). 

Të krijojmë një shoqëri që do të na mundësonte që të shkëlqejmë ne duhet që t`I luftojmë elementet arkaike që na pengojnë në kultivimin e Shqiptarit të shekullit XXI, ne duhet që të fillojmë demokratizimin e shoqërisë sonë duke rehabilituar dhe studjuar figura që nga ca konsiderohen kontraverze e nga ca heroike, duhet që të kthejmë besimin e popullit në kastën politike e cila duhet pranuar gabime të kalibrit të Gërdecit dhe 21 janarit, ne duhet që të krijojmë kushte që kapitalistët tanë të zhvillohen deri sa të arrijnë kalibrin e korporatave ndërkombëtare që për dallim nga ata Perëndimore, këta të tanat të kontribojnë në krijimin e një shoqërie të shëndoshë ndërsa shembull në këtë aspekt I kemi “gjigandët mediatik” të kalibrit të Top Channel që për një kohë të shkurtë ndryshuan shumë gjëra.

Unë besoj se program I “Rilindjes” do të ketë sukses nëse të gjithë së bashku punojmë në realizimin e saj,unë besoj se nacionalizmi shqiptar është nacionalizëm unik pasiqë nuk ia rrezikon të drejtën e vetvendosjes asnjë populli tjetër përkundër tretmanit që morëm ndër shekuj nga të tjerët,unë besoj se islami dhe krishtërimi ndër shqiptarë ekziston në një formë të veçantë paqësore ku mbisundon rrespekti I ndërsjelltë dhe po kjo qasje sot I duhet Europës,Sh.B.A-së, Rusisë e më së shumti Sirisë.Me krijimin e kushteve të volitshme politike, shqiptarët mund të mbyllin kapitullin e urrejtjes dhe paragjykimit në tërë Ballkanin me çka do të integroheshim shumë shpejt të gjithë në BE, me unifikimin e kastës politike në vendet ku shqiptarët janë pakicë,nën përkujdesjen e Tiranës dhe Brukselit zyrtar ne mund të parandalojmë procese të pakthyeshme (Krijimi I Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë i cili legjitimizon krijimin e një Republika Sërpska) me një fjalë populli shqiptar do të jetë I lirë pasiqë me përfundimin e decentralizimit në shtetet ku shqiptarët janë pakicë,liritë themelore për t`u zhvilluar si komb do të garantohen nga vetë qendrat administrative të shteteve ku jetojnë(Shkupi,Beogradi,Athina zyrtare).

Unë besoj se elitat politike që I kemi sot,janë dëshmuar si të matur dhe të vullnetit të mirë çdoherë kur në tavolinë ka qenë çështja kombëtare,prandaj besoj se duke shikuar përtej papunsisë së madhe, unë shoh një numër të madh të të rinjve të cilëve duhet japur mundësinë të japin kontributin jo vetëm për kombin dhe familjet e tyre,por për tërë njerëzimin sepse pas ashpërsisë dhe kokëfortësisë shqiptare, fshihet dashuria ndaj Krijuesit dhe çdo krijese që Ai ka krijuar. Rroftë populli ynë, lavdi dëshmorëve pa gjakun e të cilëve nuk do ishim ku jemi, lavdi gjithë atyre që kapën pushkën e lapsin vetëm që rinia jonë të frymojë shqip,nderime për miqtë e kombit tonë kudo që janë, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ne të gjithë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button