Serbia në Bruksel, Shkupi në Strasburg

Serbia e dëshmoi që politika është arti i së mundurës. Duke qenë i etur për një rrëfim të suksesshëm në Ballkan, BE e shpërbleu Beogradin për arritjen e marrëveshjes me Prishtinën, efektet e së cilës mbetet të shihen. Pavarësisht që pushteti serb qeveriset nga ish bashkëpunëtorët ultra-nacionalistë të Sllobodan Millosheviçit, brenda trembëdhjetë viteve, imazhi dhe roli i Serbisë ndryshoi rrënjësisht. 

Kuptohet, kthesat e vështira kanë tagër të lartë. Një kryeministër i vrarë në pragun e kabinetit të tij, qindra aksione policore për thyerjen e botës së fuqishme të krimit dhe ballafaqime me të kaluarën plot gjak. Bashkë me makijazhin për ribrendimin e shtetit, këto janë vetëm disa prej zhvillimeve dramatike në të cilat kaloi Serbia që ende zhytet në krim dhe korrupsion, duke arritur në fazën kur pranohet ajo që dihej botërisht – disa prej krimeve më të shëmtuara janë urdhëruar dhe ekzekutuar nga shteti serb.   

Për shembull, tani dihet që shteti i ka ekzekutuar gjashtë të rinjtë serb në kafe-klubin Panda në Pejë në dhjetor 1998. Propaganda ka manipuluar me këtë ngjarje duke ia veshur atë luftëtarëve shqiptarë, por sot, pesëmbëdhjetë vite më vonë, ky lajm shpaloset nga vetë Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vuçiç. Pranimi për ekzekutimin e redaktorit Sllavko Çuruvija është shembull tjetër i ballafaqimit me të kaluarën e errët. Ka shumë raste për të cilat Beogradi duhet ta pranojë të vërtetën, përfshirë edhe realitetin e Kosovës së pavarur, që fillimisht duket të njihet nga Bashkimi Evropian.

Mirë ose keq, Serbia e ka nisur rrugën e ballafaqimit me të kaluarën mizore. E nisur nga interesat evropianë, Brukseli e shpërbleu Beogradin duke e bërë lider Ballkani, pa çka se pas kremtimit pason menjëherë kthjellja përmes kapitullit mbi raportet me Kosovën. Këtu natyrshëm ngritët pyetja se ku gjendet Maqedonia – shembulli dhe lideri rajonal qëkur Millosheviçi ishte në pushtet.  

Për ta kuptuar këtë, mjafton të shihet lajmi kryesor në Maqedoni, në ditën kur kreu serb kremtonte në Bruksel. Meqë aty nuk u përmend Shkupi në kontekst pozitiv, lajmi i përhapur nga mediet e shumta pro-qeveritare erdhi nga Strasburgu, ku në një rezolutë të Parlamentit Evropian qenka shlyer rekomandimi për mësimin e gjuhës së tjetrit, si masë e synuar për afrimin ndër-etnik. 

Qoftë edhe për një element të vetëm, dallimi mes Serbisë dhe Maqedonisë qëndron në guximin për zgjidhjen e çështjeve kritike. Për dallim nga Beogradi, që nën shtytje të jashtëzakonshme dhe pas humbjes të të gjitha betejave u detyrua të ndeshet me realitetin e quajtur Kosovë, udhëheqësit shtetërorë të Maqedonisë me shkathtësi i ikin ballafaqimit me problemet e thella të shoqërisë. 

Kështu, evitimi i dispozitës për mësimin e tjetrit shihet si e arritur që e paska shpëtuar ekzistimin e Maqedonisë, kinse nuk jemi të vetëdijshëm për faktin që gjeneratat e reja do të kenë shumëfish më pak mundësi për të komunikuar në gjuhën e njëri-tjetrit. Në vend që problemi gjuhësor të zgjidhej që para dhjetë viteve në nivel shtetëror, duke i dhënë të gjithë nxënësve mundësi për ta mësuar gjuhën e bashkëqytetarëve, Qeveria e thellon problemin edhe më tej. E vetmja gjë që ka ndryshuar pas konfliktit, është rënia e raportuar e vullnetit tek shqiptarët për mësimin e gjuhës maqedonase, duke iu bashkuar kështu shumicës në praktikën e gabuar për mosnjohjen e gjuhës së dytë sipas madhësisë. 

Një ditë, kur Serbia të bëhet anëtare e BE-së, gjeneratat në Maqedoni do ta paguajnë çmimin e mungesës së liderëve të guximshëm për ta pranuar realitetin. Liderë që nuk e kanë udhëzuar popullin e tyre drejt dijes, por janë fshehur pas tutelës nacionaliste dhe urrejtjes institucionale, ose petkut patriotik-poetik ku pafuqia dhe dajaku në rrugë kompensohet me spektakle televizive nga Tirana. 

Deri atëherë, do ta shohim Serbinë si ec drejt Brukselit duke i hapur kapitujt e dhimbshëm si gjyqësori ose punët e brendshme, ndërkohë që ne zhytemi në debate historike për antikën ose periudhën LPK-enveriste. Nëse përcillet ecuria e Serbisë, supozohet që një ditë, Maqedonia do të duhet të ballafaqohet me krimet shtetërore që tani mund të jenë të paimagjinueshme. Pikërisht këtu gjendet arsyeja për rezistencën ndaj negociatave me BE-në, kur duhet të hapet shumëçka që e rrezikon rehatinë e krijuar politike dhe materiale. Gjithçka tjetër është vetëm alibi për qeverisje të errët. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button