OKB: Mosuli mund të braktiset nga civilët në rast të ndërhyrjes ushtarake

Komisari i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatë, Filippo Grandi, ka alarmuar se në rast të ndonjë intervenimi ushtarak në Mosul të Irakut, civilët në masë të madhe do të detyrohen të largohen nga vendet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën për media të organizuar në zyrën e OKB-së në Gjenevë, Grandi tha se OKB po punon me nën-organizatat e saja për gjendjen pas ndonjë intervenimi të mundshëm në Mosul, duke shtuar se “Kemi përgjegjësi të rëndësishme në Irak”.

Ai paralajmëroi se në rast se në Mosul ndodh ndonjë ndërhyrje ushtarake, një pjesë e madhe e popullatës civile brenda vendit do të largohen nga vendbanimet e tyre, ndërkohë që kjo, sipas tij, do të sjellë nevojën për ndihma të mëdha humanitare.

– “E kemi paralajmëruar qeverinë e Irakut”

Më tej, Grandi u shpreh se së bashku me autoritetet lokale të Irakut janë duke punuar në lidhje me zonat e kampeve që do të ndërtohen për banorët e Mosulit në rast të një intervenimi ushtarak. Ai njoftoi se kanë paralajmëruar qeverinë e Irakut që të mos dënohet popullata civile në rast intervenimi dhe të merren të gjitha masat e duhura.

Komisari i Lartë Grandi tha se javën e ardhshëm do ta vizitojë Irakun dhe do t’i përcjellë nga afër punimet në lidhje me kampet ku do të qëndrojnë civilët e Mosulit pas intervenimit.

– Thirrje shteteve evropiane për përgjegjësi

Në lidhje me respektimin e marrëveshjeve për rivendosjen e refugjatëve që ndodhen në Greqi dhe Itali nëpër vende të tjera të Evropës, Grandi nënvizoi se ende nuk ka asnjë shenjë në lidhje me këtë. Grandi u bëri thirrje shteteve në fjalë që t’i ndajnë përgjegjësitë në lidhje me refugjatët.

Grandi e cilësoi si dështim faktin që nga 160 mijë refugjatë të synuar vitin e kaluar, brenda Evropës janë rivendosur vetëm disa mijëra. Ndërkaq, ai lavdëroi shtetet e Amerikës Latine për ndarjen e përgjegjësive sa u përket refugjatëve.

– “KS i OKB-së është i ndarë”

Duke e vlerësuar marrëveshjen për zgjedhjen e ish-kryeministrit portugez Antonio Guterres në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili më parë kishte kryer detyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatë, Grandi u shpreh se Guterres është një diplomat i cili i njeh mirë problemet në zonat e konflikteve nëpër botë. Ai po ashtu e shprehu mendimin se Guterres mund të luajë rol të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve me çiltërsinë e tij.

I pyetur nga gazetari i AA-së në lidhje me rolin e Guterres në periudhën e re në lidhje me fuqinë e përfaqësimit në KS të OKB-së, Grandi u përgjigj se “KS i OKB-së është me të vërtetë i ndarë sa i përket shumë çështjeve, siç është Siria, në të cilat duhet të jemi të bashkuar.”

Grandi gjithashtu e uroi presidentin e Kolumbisë Juan Manuel Santos për shpërblimin me Çmimin Nobel për Paqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button