Kosovë, serbët e veriut kërkojnë tërheqjen e Projektligjit për Trepçën

Më shumë se një mijë qytetarë në veri të Kosovës, përkatësisht në fshatin Rudarë, afër Zveçanit, sot u mblodhën për të protestuar për miratimin e Projektligjit për Trepçën, raporton Anadolu Agency (AA).

Edhe pse në kohë me shi, protestuesve të formuar nga punëtorët e Trepçës iu janë bashkuar edhe studentët e Universitetit të Mitrovicës Veriore dhe anëtarët e institucioneve në veri të Kosovës, të cilët punojnë në sistemin e Qeverisë së Serbisë. Ata kanë protestuar kundër miratimit të Projektligjit për Trepçën, nëpërmjet së cilit minierat metalurgjike do të vendosen nën autoritetin e Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit të cilët kanë bllokuar rrugën Prishtinë-Mitrovicë-Leposaviq, kërkuan që Projektligji për Trepçën të hiqet nga rendi i ditës së Kuvendit të Kosovës. Në këtë protestë, e cila po zhvillohet për herë të tretë radhazi, morën pjesë edhe përfaqësuesit politik të serbëve në institucionet e Kosovës, si zëvendëskryeministri Branimir Stojanovic, ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtic dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Maric.

Ndërkaq, sot në mëngjes asamblistët komunalë të katër komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, zhvilluan një takim që u mbajt në Zveçan. Asamblistët komunalë kanë vendosur që të mos i pranojnë vendimet për statutin e Trepçës, duke i shpallur ato si të pazbatueshme në katër komunat serbe në veri të Kosovës.

Asamblistët komunalë të katër komunave në veri të Kosovës, kanë kërkuar që ky projektligj të tërhiqet nga procedura e shqyrtimit, dhe kërkuan që të organizohen diskutime me menaxhmentin e përfaqësuesit të 3 mijë punëtorëve të pjesës veriore të Trepçës.

Ndërkaq, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) asamblisti boshnjak në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljanin, u shpreh se asamblistët shqiptarë dhe boshnjakë nuk kanë qenë të pranishëm gjatë këtij takimi dhe shtoi se do ta vazhdojnë qëndrimin e tyre, duke mos marrë pjesë në mbledhje të tilla të përbashkëta të këtyre katër komunave.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit, të mërkurën kishte proceduar Projektligjin për Trepçën për në Kuvend, që do ta shqyrtohet sot pasdite. Sipas këtij Projektligji Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë pronar i saj 80 për qind, kurse punëtorët pronarë të 20 për qind të këtyre aksioneve. Ndërkaq ministrat e Listës Serbe nuk patën votuar atë, duke theksuar se bashkësia serbe po përjashtohet nga ky proces.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button