Udhëtimi i një fotografi në brigjet libiane: të ecësh mbi kufoma në një anije refugjatësh

Nisi me shenjat alarmante në ekranin e radarit, 12 milje nga brigjet libiane. Ndërsa ekipet e shpëtimit i afroheshin sinjalit që sapo ishte pikasur, ata gjetën varka druri të mbingarkuara që evokonin skenat e tregtisë së skllevërve.

Fotografi Aris Messinis, ishte së bashku me punonjësit e kërkim-shpëtimit në det për të ndjekur një operacion. Ato që ai pa nuk ishin skena që mund të shlyhen nga mendja lehtë. Si fotograf, ai tha se ka parë shumë vdekje, por kurrë një gjë të tillë.

Me qindra emigrantë afrikanë ishin ngjeshur në anije që ishin nisur drejt Italisë. Më shumë se 20 njerëz ishin të vdekur vetëm një anije, të asfiksuar nga dendësia e turmës në bord. Në anijet e tjera, trupat e pajetë ishin shtrirë nëpër dysheme, duke detyruar të mbijetuarit të zvarriteshin mbi kufomat e bashkëudhëtarëve të tyre.

foto-2

Aris Messinis, nga agjencia France-Presse në bordin e anijes së shpëtimit Astral tha se nuk ishte një pamje e ngjashme me ato që ai kishte ndeshur më parë.

Pasagjerët –nga Eritrea, Etiopia, Somalia, Nigeria dhe vende të tjera sub-sahariane- u gjetën nga Astral dhe ishin pjesë e një vale prej 11 mijë emigrantësh që u shpëtuan këtë javë në Mesdhe nga grupe të ndihmave dhe roja Bregdetare italiane.

Emigrantët në bordin e një anije druri të madhe, që mund të mbante rreth 1 mijë njerëz, gati pesëfishin e kapacitetit të saj, prisnin me ankth për ndihmë. Disa prej tyre kërcyen në ujë.

foto-3

Edhe pse atyre iu hodhën jelekë shpëtimi, emigrantët patën ëvshtirësi të arrinin Astralin dhe anijet e tjera të shpëtimit, që më pas i transferuan ata në anije të rojes Bregdetare italiane me destinacion Italinë.

foto-4

Rrëmuja dhe kaosi ishin fjalët përcaktuese për operacionin e shpëtimit, pavarësisht përpjekjeve të ekuipazhit të Astral për të qetësuar emigrantët. “Ata njerëz ishin në panik”, saktësoi Messinis.

foto-6

Në bordin e anijeve me emigrantë kishte shumë foshnje, mes të cilëve edhe ky që duket në fotografi.

foto-7

Në një nga anijet, që mbante afërsisht 150 persona,  Messinis tha se ekipet e shpëtimit gjetën 29 trupa – 10 burra dhe 19 gra. “Ata na treguan se këta njerëz kishin vdekur që gjatë natës”, tha ai.

Në një pikë, pasagjerët ngritën lart një fëmijë për të na sinjalizuar sesa të dëshpëruar ishin.

foto-8

Emigrantët e grumbulluar poshtë dekut ishin paketuar aq shtrënguar me njëri-tjetrin sa nuk mund të dilnin jashtë. “Shumë prej tyre nuk e kishin parë detin asnjëherë në jetë”, tregoi Laura Lanuza, zëdhënëse e një grupi spanjoll ndihmash që operon Astralin.

foto-9

Pavarësisht një rënieje në kalimin e detit nga emigrantët drejt Europës këtë vit, më shumë se 3 mijë prej tyre kanë vdekur në rugëtimin e rrezikshëm nga Libia, ku kaosi politik e ka shndërruar atë në pikën kryesore të nisjes nga trafikantët që shqetësohen shumë pak për mbijetesën e “klientëve” të tyre.

foto-10

Ekipet e shpëtimit ia atribuojnë rritjen e kalimeve në det në ditët e fundit një vargu ditësh me mot të mirë, pas ditëve me stuhi dhe dallgë.

foto-11

Pjesa e ngarkesës në anijen e drunjtë mbante dy të tretat e gati 1 mijë njerëzve të gjetur në bord, tha Lanuza, duke i cilësuar kushtet e këtij udhëtimit “pikërisht të njëjta me anijet e tregtisë së skllevërve”.

foto-12

Pasi u nxorrën të gjallët, ekuipazhi i Astral vendosën të vdekurit në qese dhe i renditën ata në anije.

foto-1

Zyrtarët e emigracionit dhe grupet e shpëtimit në Europë thonë se rruga e emigrantëve nga Afrika e Veriut mbetet më vdekjeprurësja.

Joel Millman, zëdhënës për IOM tha se të paktën 38 trupa të pajetë u gjetën të hënën dhe të martën e kësaj jave.

Fotografi  Messinis, 39-vjeçar që ka mbuluar konfliktet në Libi dhe në Siri ka fotografuar krizën e emigrantëve që kur ajo nisi në Europë tre vjet më parë. Shpesh ai ka lënë mënjanë aparatin për të ndihmuar.

Ajo që ai ka parë me sytë e tij në Mesdhe, rrëfen, është e ndryshme. Analogjia me anijet e skllevërve që dikur mbillnin vdekje në Atlantik, thotë ai, është “saktësisht e drejtë – përveç se nuk bëhet fjalë për qindra vjet më parë”. “Kam parë shumë vdekje me sy, por jo këtë”, thotë ai. “Kjo është tronditëse dhe të bën të ndjesh se nuk jeton në një botë të civilizuar”.

Ky fotoreportazh është publikuar në edicionin e 6 tetorit të gazetës “The New York Times” me titullin: “Si një anije skllevërish”.

Përgatiti: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button