LR-PDSH akuzon shqiptarët e FFM-s, Sejdini thotë se nuk janë gjërat ashtu si thonë ata

LR-PDSH gjatë ditës së sotme ka reaguar siç thonë ata ndaj diskriminimit të paraleles së Akademisë së sportit në Tetovë, ndërkohë si fajtor të drejtpërdrejta kanë adresuar funksionarët shqiptarë pranë FFM-s, duke thënë se në konkursin e hapur janë pranuar dy kuadro maqedonas (trajner kryesor Borçe Mirçevski, dhe ndihmës trajneri Aleksandar Pishovski).

Në reagimin e LR-PDSH gjithashtu kanë thënë se “Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni është bërë një problem akut që kërkon zgjidhje të menjëhershme, për të cilën kërkohet ndryshimi i jo vetëm pushtetit aktual, por dhe sistemi politik i shtetit. Në bazë të konkursit të hapur nga Federata e futbollit në Akademinë e sportit si klasë e disperzuar në Tetovë, ku qyteti i Tetovës përbën shumicën dërrmuese të popullsisë shqiptare, në konkurs pranohen vetëm dy maqedonas, duke i anashkaluar tërësisht shqiptarët të cilët dhe janë të pajisur me licencë profesionale.

Konkursi i hapur për Trajner është hapur në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, ku përfaqësues shqiptar janë nënkryetari Muhamet Sejdini nga Kërçova; sekretari teknik Enver Sulejmani nga Tetova, dhe Ajetali Dervishi – Tushi kryetar komisioni dhe askush nuk e merr përgjegjësinë e këtij diskriminimi, ku nga tre trajner janë pranuar dy të etnitetit maqedonas, dhe i treti shqiptar por ende i pa konfirmuar nga organet e FFM-së.

Akademia e sportit funksionon si paralele e disperzuar te shkolla e mesme “Brico” – Shkup, ku në konkursin e hapur pranohen 2 kuadro maqedonas (trajner maqedonas me emrat Borçe Mirçevski, trajner kryesor dhe Aleksandar Pishovski, ndihmës trajner).

Portalb.mk ka marrë edhe prononcimin e nënkryetart të FFM-s, z.Muhamed Sejdini, i cili mes tjerash  ka thënë se ata që kritikojnë me akuza jo edhe aq të konfirmuara, kanë mundur shumë lehtë tu drejtohen me pyetje direkt atyre, për të mos dalë në opinion se nuk janë gjërat ashtu si thonë ata.

“E kuptojmë se gjithmonë do të ketë gjëra të këtilla dhe realisht kritikat janë gjithmonë të mirëseardhura në drejtim të përmirësimit profesional. Mirëpo do të ishte e rrugës që gjërat të shihen në mënyrë më të drejtë, pa dashur vetëm të tregohet njëra anë e medaljes. Këta që kritikojnë me akuza jo edhe aq të konfirmuara, kanë mundur shumë lehtë të na drejtohen me pyetje direkt neve, për të mos dalë në opinion se nuk janë gjërat ashtu si thonë ata, sepse ne jemi përfaqësues të të gjithë shqiptarëve pa dallim në FFM. Deri tani nuk kemi dëgjuar dikush të ketë thënë të paktën një lavd modest për gjithë atë që është bërë në Federatën e futbollit, ndërsa që në rastin e parë dhe të pa analizuar në mënyrë të drejtë dilet në opinion me akuza të ndryshme. FFM prej një kohe ka për herë të parë në histori pozitën e zëvendëssekretarit të përgjithshëm, ka seleksionues dhe ndihmës seleksionues në gjithë kategoritë, përfshi edhe ekipin A, shqiptarët përfaqësohen në gjithë ekipet zinxhir dhe në përfaqësuesen A, komisionet e ndryshme në Federatë nuk janë pa shqiptarë, ndërsa kemi edhe zëdhënës shqiptar për herë të parë në histori të kësaj federate. Këto gjëra nuk u kanë rënë në sy, por tani se qenkan pranuar dy maqedonas dhe një shqiptar në paralelen e disperzuar të Akademisë së futbollit në Tetovë. E vërteta është pak më ndryshe dhe ata që akuzojnë e dinë mirë ose kanë lejuar të manipulohen nga dikush që ka mbetur i pakënaqur nga epilogu. Paralelja në Tetovë ka 6-të të punësuar, me trajnerët e futbollit që konkurrojnë çdo vit, pasi kontratat janë një vjeçare. E tani sa për informatë aty janë të punësuar 4 shqiptarë dhe dy maqedonas, përfshi edhe një fizioterapeute shqiptare. Nga këto janë dy shqiptarë mentorë, njëri prej vitin e kaluar, tjetri i avancuar këtë vit prej trajneri në mentor. D.m.th., i treti shqiptar i pranuar është si trajner, ndërsa njëri prej maqedonasve të pranuar është trajner portierësh që ishte edhe vitin e kaluar dhe që nuk kishte kandidaturë tjetër. Reagimi besoj vjen për maqedonasin e dytë që këtë paralele dhe të vetmin të pranuar tani, pasi për atë pozitë ka pasur edhe kandidatë tjerë shqiptarë, prej të cilëve disa nuk kanë nuk kanë plotësuar kushtet, kanë qenë pa licencë trajneri, njëri në kohën e kandidaturës ka qenë i angazhuar si seleksionues në përfaqësueset e reja të Maqedonisë, ndërsa i fundit më herët ka qenë seleksionues dhe në këtë moment është vendosur se s’duhet të jetë aty, pa i’a mbyllur derën për të ardhmen as tij, e as tjerëve. Urojmë të hapen edhe më shumë vende, ata që janë angazhuar të vërtetojnë se meritojnë këtë dhe në ardhmen të flasim për arritje, gjithnjë duke shikuar drejtë çështjet për të cilat flasim apo na tangojnë”, deklaroi për PORTALB.mk nënkryetari i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sedjini. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button