Përmbytje në zonën Lezhës dhe të Krujës

Qindra hektarë tokë janë përmbytur në zonën fushore të qarkut të Lezhës dhe në Krujë, për shkak të reshjeve të shiut që kanë rënë me intensitet ditët e fundit. 

Qindra hektarë tokë janë mbuluar nga uji në fushën e Zadrimës dhe Torovicës, ndërsa në fshatin Kakarriq janë përmbytur disa banesa.

Gjithashtu probleme ka pasur edhe në fshatin Gocaj, ku është pezulluar mësimi pasi shkolla e këtij fshati është përmbytur.

Mësohet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut rrezikon të dalë nga shtrati edhe lumi Drin, i cili mund të shkaktojë përmbytje në zonat përreth tij.

Mungesa e energjisë elektrike në hidrovore është bërë shkak i përkeqësimit të situatës, për të cilën kërkohet ndërhyrje e menjëhershme.

Gjithashtu përmbytje ka pasur edhe në rrethin e Krujës. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm janë përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe dhjetëra banesa në komunën Bubq dhe në fshatrat Ilaj, Merqina dhe Mallkuç.

Gjithashtu probleme nga reshjet ka pasur edhe në rrethin e Kurbinit dhe konkretisht në fshatin Gjorm dhe në zonat gjatë superstradës Mamuras-Laç./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button