Thellohet përçarja Erdogan-Gülen

Nga ekzili në Shtetet e Bashkuara, imami i izoluar Fethullah Gülen ka paralajmëruar një zhbërje të koalicionit të gjerë me rrënjë islamike që e ka qeverisur Turqinë që nga viti 2002.

Teksa martesës së tij politike me kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka ardhur fundi, imami i izoluar që ka rrezikuar stabilitetin e aleates më të madhe të Perëndimit në një rajon të trazuar ka thumbuar ashpër partnerin e tij të dikurshëm, duke dhënë sinjalin më të fuqishëm deri më tani për një përçarje të pariparueshme, ka raportuar The Wall Street Journal.

Në një intervistë me gazetën amerikane, kleriku karizmatik Fethullah Gülen, i cili u predikon tolerancë miliona ndjekësve nga ekzili në Malet Pokono të Pensilvanisë, në Shtetet e Bashkuara, e ka akuzuar Erdoganin se po braktis rrugën e reformave pas më shumë se një dekade në pushtet.

“Populli turk është i zemëruar që në dy vjet e fundit progresi demokratik po zhbëhet”, ka thënë Gülen, në deklaratat e tij të para që kur një hetim për korrupsion e ka zhytur qeverinë e Erdoganit në krizë në dhjetor. “Spastrimet në bazë të ideologjisë, simpatisë apo pikëpamjeve për botën kanë qenë praktikë e të kaluarës, të cilën partia qeverisëse ka premtuar që ta ndalë”, ka shtuar ai.

Gülen ka sinjalizuar se lëvizja e tij, e njohur si Hyzmet nga anëtarët dhe si Xhemat nga publiku, dëshiron të shohë sfidimin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit, që ka rrënjë islamike.

Ai nuk ka hedhur poshtë mundësinë që pjesëtarët e lëvizjes së tij të zhvendosin mbështetjen për Partinë Popullore Republikane opozitare – rivale laike e Erdoganit, e cila është themeluar nga krijuesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk. Delegacionet nga të dyja palët janë takuar në Nju-Jork në fillim të muajit të kaluar, por nuk ka rezultuar asnjë komunikatë nga takimi i tyre.

“Kur të vijnë mundësitë, pjesëtarët e Xhematit, sikur qytetarët e tjerë turq, do të vendosin në bazë të vlerave të tyre”, ka thënë kleriku i izoluar turk në intervistën për The Wall Street Journal. “Është e mundshme që njerëzit e vlerave të njëjta do të vendosin njëlloj”, është shprehur Gülen.
Deklaratat e Gülenit duket se paralajmërojnë një zhbërje të koalicionit të gjerë me rrënjë islamike që e ka qeverisur Turqinë që nga viti 2002 – një dekadë gjatë të cilës ekonomia turke ka lulëzuar, standardet e jetesës janë përmirësuar dhe ndikimi ndërkombëtar i Ankarasë është rritur dukshëm.

Rezultati i përçarjes mund të diktojë si të ardhmen politike të Erdoganit, ashtu edhe formën e islamit politik në Turqi. “Deklaratat e Gülenit konfirmojnë se kjo betejë ka shkuar përtej një pike pa kthim, dhe ne tani po shikojmë fushëbetejën që mund të formojë gjeneratën e ardhshme të politikës turke”, ka thënë Sinan Ulgen, shef i Qendrës për Studim të Demokracisë në Stamboll. (Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button