Maqedonisë i konvenon bllokada derisa përcjell fqinjët për BE

Fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian reflekton guximin politik dhe shtetëror të Serbisë, për të përmbushur synimin e integrimeve evropiane, pavarësisht çmimit që duhet të paguaj në këtë rrugëtim.

“Këto veprime janë kërcënuese sepse çmimi është i lartë për Serbinë, i madh është edhe stimulimi. Shumë forca politike në Serbi janë kundër negocimit dhe Bashkimit Evropian që është një tendencë e hapur”, vlerëson ish diplomati Alajdin Demiri. 

“Megjithatë pushteti, Qeveria aktuale në Serbi ka fuqi që t’i hapin këto çështje, natyrisht ato janë të rënda, të gjata, ekuivalent i çmimeve është goxha i madh, siç është problemi i Veriut. Autonomia e komunave serbe në Veri dhe shumë procese të tjera, por janë procese që kanë nisur dhe ka guxim politik dhe shtetëror. Ndërsa në Maqedoni ky guxim mungon dhe nuk ka iniciativë e cila mund të thyejë këtë pozitë edhe të Maqedonisë edhe të Greqisë”, thekson për Portalb, Demiri.

Nga ana tjetër, sipas Demirit  pozicionimi maqedonas në bisedimet me Greqinë është pozicion i absurdit pasi i mbyll të gjithë dyert e negocimit.

“VMRO-ja e krijoi pozitë të pa-negociueshme duke lancuar teza se grekët dhe të tjerët duan të na ç’bëjnë identitetin, gjuhën etj. Në të vërtetë këto argumente nuk mbajnë..Mendoj se ky problem është vështirë i zgjidhshëm sepse Qeveria e Maqedonia është e gatshme të refuzojë gjithçka vetëm të qëndrojë në këto pozita”, shtoi Demiri. 

Për profesorin universitar Stevo Pendarovski edhe pse Serbia nuk është përpara Maqedonisë për sa u përket kritereve politike, fakti që Serbia ia doli të zgjidhte problemin më të madh që kishte pas pavarësimit të saj, pra problemin me Kosovën, arriti të hap perspektivën e saj evropiane.

“Maqedonia nuk i plotëson kriteret politike megjithatë nëse eventualisht do të gjente zgjidhje të përbashkët kompromisi me Greqinë në atë moment të gjitha mungesat e tjera do të liheshin anësh të paktën për një periudhë deri në 12 muajt e parë, dhe në Bruksel do të arrihej konsensusi që të nisnim negociatat”.

“Ne nuk jemi as afër zgjidhjes së problemit me Greqinë prandaj nuk mund të mendojmë për datë për fillimin e negociatave”, shtoi Pendraovski.

Shefi i diplomacisë greke Venizelos një ditë më parë konfirmoi pozitën e ashpër të Athinës në çështjen e emrit. Madje për herë të parë në mënyrë të prerë tha se Maqedonia duhet të bëjë ndryshime Kushtetuese nëse do të zgjidh problemin e emrit./Portalb 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button