Serova, vrasjet ndajnë në dysh shpresën e shkupjanëve (FOTO)

Lagja e Serovës në komunën e Çairit, e cila kohën e fundit ishte mjaft prezente në media për shkak të vrasjes që mori dy viktima, krijoi një pamje të padëshiruar dhe mbjelli frikë në sytë e atyre që nuk jetojnë aty.

Edhe përkundër ndodhisë së fundit në ta cilën u vranë babë e bir në këtë lagje, banorët e saj shprehen optimist për të ardhmen dhe thonë se ata tani janë më të afruar se kurrë.

Gjatë një vizite në Serovë arritëm të shohim rrugë të papastra, infrastrukturë të palakmueshme si dhe shtëpi të cilat ishin pothuajse të ngjitura në mes vete, pa ndonjë plan të caktuar urbanistik.

Ridvan Idrizi, 62 vjeçar banor i kësaj lagjeje i cili me profesion është kontabilist, sqaron për Portalb, se si është të rritesh dhe të jetosh këtu.

“Lagjja jonë është shumë e vjetër pothuajse më e vjetra në Shkup, këtë e dëshmojnë edhe vetë historianët. Ajo ka marrë emrin prej lumit Serava i cili dikur kalonte pranë kësaj lagje. Unë nuk e kam parë, por kam dëgjuar nga paraardhësit e mi që Serova ishte lagja e parë në Shkup. Jemi dëshmitarë që kohëve të fundit ka pasur incidente të cilat kanë përfunduar edhe me vdekje, por mund të them se ato nuk do të prishin emrin e kësaj lagjeje të vjetër shkupjane. Persona të atillë ka në gjitha vendet dhe nuk duhet lejuar që ata të prishin imazhin e një vendi në të cilin jetojnë shumë njerëz të mirë”, tha Idrizi.

Ai shtoi se varfëria dhe kushtet e vështira kanë afruar komshinjtë duke i shndërruar ata në një familje.

“Çdo familje i ka hallet e veta, por shumica e tyre ndajnë të njëjtat, ato të varfërisë, të kushteve të vështira. Mirëpo këto gjëra të përbashkëta të cilat na preokupojnë na kanë afruar dhe mund të them se jemi si një familje e madhe e cila ndihmon njëri tjetrin në ditë të vështirë”, tha Idrizi.

Rinia e kësaj lagjeje është adaptuar aq shumë sa që thonë se nuk do ta linin këtë vend për asgjë.

“Këtu kam lindur këtu jam rritur, këtu kam shoqërinë, familjet, këtu kam jetën time. Asnjëherë se kam paramenduar vetën të jetoj diku tjetër. Madje edhe nuk mendoj se do të mundesha. Disi e kam shumë vështirë ta paramendoj vetën jashtë Serovës. Lagjen time nuk e ndërroj me asgjë”, tha Jetmir Bela, student.

Edhe pse ata siç e pamë banorët e kësaj lagjeje janë shumë të lidhur me të dhe në mes veti shkak i kushteve të vështira dhe i halleve, ata megjithatë shpresojnë se një ditë do bëhet më mirë, dhe jetesa e tyre do të përmirësohet.

Ndërkaq gjatë viteve të fundit në këtë lagje ka pasur disa incidente të cilat kanë përfunduar me viktima. 

Lajme të ngjashme

Back to top button