A ndriçon zjarri i fikur?

Njeriun të cilin lutjet nuk e largojnë nga veset e këqija, do e largojnë nga Zoti.
I kishin treguar një herë besimtarët Muhamedit a.s. për një grua e cila tërë ditën agjëron dhe tërë natën e kalon në lutje, kurse ai i kishte pyetur se çfarë është jeta e saj. Kur besimtarët, me dhembje në shpirt i treguan Pejgamberit se ajo është e ashpër me njerëzit dhe i ofendon fqinjët, ai kishte thënë : “ S’ka gjë nga agjërimi dhe lutjet e saj, vendi i asaj gruaje është në fund të xhehenemit”.
Pejgamberi Muhamed a.s. po ashtu ka thënë “ Nuk është besimtar ai që fle gjumë i ngopur ndërkohë që fqiu i tij është i uritur, siç nuk është besimtar ai që zhytet në dituri e lutje kurse popullin e vet e le të vuajë “.
Kuptohet, ka edhe shumë hadithe të Pejgamberit të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë përcaktojnë dhe orientojnë se çfarë duhet të jetë besimtari, si duhet të mendojë e si duhet të veprojë ai, ku dhe mbi çka duhet të mbështetet e të bazohet besimi i një njeriu që thotë për vete se është besimtar musliman.
Përfundimisht, Islami nuk është fe e devotshmërisë falco dhe as e moralit dhe etikës sa për sy e faqe. Atij që nuk e do tjetrin dhe nuk ia dëshiron atë që ia dëshiron vetes nuk i garantohet besimi. Dhe, mashtrohet ai që mendon se i mjaftojnë lutjet drejtuar Zotit, ndërkohë që e anashkalon vëllain, shokun, mikun, fqiun, bonjakun, skamnorin, sepse një njeri i atillë as për së afërmi nuk e ka kuptuar esencën e lutjes dhe bindjes ndaj Krijuesit. Zoti është Dashuri, Mëshirë, Fisnikëri dhe Ai i do njerëzit që rrezatojnë dashuri, mëshirë dhe fisnikëri.
Udhëkryqet
Në këto kohë në të cilat, mjerisht, edhe më i pa dituri pretendon se di diçka dhe gjenë forma e mënyra që mosdijen e vetë ta përhapë nëpër internet duke gjetur ithtarë të cilët, zakonisht, janë edhe më të pa ditur se ai që përhapë kotësira, po krijohet një bindje se muslimanët kanë ngecur në një udhëkryq dhe nuk po dinë nga t’ia mbajnë.
Ky shqetësim i imi, kuptohet, ka të bëjë me gjendjen dhe situatat në të cilat po zhyten muslimanët shqiptarë dhe ata muslimanë me të cilët bashkëjetojnë shqiptarët. Për muslimanët nëpër botë kam folur e kam shkruar shpesh.

Sinqerisht, jam i tmerruar nga ajo që mund të lexohet e të dëgjohet në këtë pyll të tërë skribomanësh që janë paraqitur duke mëtuar të na tërheqin në baltën e mashtrimit, të shpifjeve e fitneve, në plehun e mendjemadhësisë së tyre. Jam i pa fjalë nga paturpësia me të cilën do njerëz nga margjinat e botës intelektuale dhe teologjike po tentojnë të bëhen heronjtë të kombit e të fesë duke insistuar se ata na qenkan “ndërgjegjja e shoqërisë”. Problem i tyre i vetëm të cilin ata e paskan identifikuar na qenka fakti se “në shoqërinë shqiptare muslimane nuk ka ndërgjegje”. Me fjalë të tjera, të gjithë muslimanët shqiptarë qenkan në dalalet përveç këtyre “baballarëve të kombit e të fesë” dhe të ithtarëve të tyre
Ne të gjithë mund të themi gjithçka e të flasim çfarë të duam, mund të shajmë e të akuzojmë gjithkënd për gjithçka dhe të gjitha këto do i merr era, sepse dokrrat dhe pallavrat janë të destinuara të treten. Por, pakë kush nga ne po merret me problemet esenciale me të cilat po ndeshet  shoqëria jonë. Pakë kush sot po e analizon dhe po i bën karshillëk kësaj faze të errët në të cilën, qoftë në rrafshin politik apo edhe në atë fetar, po përpiqen të na fundosin turlifarë mercenarësh e palaçosh. Shumë pakë individë nga ne po pranojnë rolin e fanarit që do ishte orientim për lirinë e vërtetë që duhet të vijë. Zjarri i fikur nuk mund të ndriçojë.
Unë personalisht refuzoj ta konceptoj shqiptarin si një budalla me të cilin do bëjnë hajgare qoftë “politikanët”, qoftë “hoxhallarët”, duke ia mbushur kokën me frikë nga konspiracionet, nga policia, nga individë që përhapin “Islamin e vërtetë” (thua ti se Islami me të cilin kemi jetuar këtupari pesë shekuj, paska qenë i rrejshëm). Jo, unë e konceptoj shqiptarin dhe muslimanin si qenie tërësisht të vetëdijshme politike e fetare që di dhe mundet të jetojë e të veprojë drejtë.
Kapixhiku
Sidoqoftë, dikush po tenton të krijojë nga ne një popull që do fshehët prapa kapixhikut dhe kohë pas kohe do e nxjerr kokën jashtë për të kuptuar se çka po ndodhë në mëhallë. E shikimet nga kapixhiku gjysmë i hapur, mos ju ardhtë vështirë, quhen voajerizëm. Kapixhiku pastaj mbyllet dhe fillon thashethemnaja, denigrimi, grindjet e pakuptimta. Kështu, mjeshtrit për prodhimin e mjegullës kënaqen kurse ne mbetemi me gishta në gojë.
Është skajshmërish ofenduese dhe jo dinjitoze vetëm përpjekja që dikush të na shndërrojë në “popull me nevoja të veçanta”, por është e tmerrshme nëse në regjisurën e asaj përpjekjeje marrin pjesë shqiptarë dhe muslimanë. Është e tmerrshme nëse dikush në vazhdimësi na e imponon bindjen se po na reformon, ndërkohë që, në fakt, po e deformon trungun tonë kombëtar e fetar.
Çka jemi bre ne që dikush vazhdimisht të përpiqet të na ndryshojë ashtu si ia do qejfi, a jemi ne ndonjë masë amorfe pa intelekt e pa vetëdije, a jemi pa histori, pa traditë, pa të kaluar, pa mbamendje ?
Kuptohet se në këtë turlitavë intencash dhe tendencash të drejtuara nga vetë djalli, do duhet të bëjmë një korrigjim, por korrektori do duhet të jemi ne vetë, sepse ne jemi ata që dimë më së miri cilat janë nevojat tona dhe cilat janë synimet tona. Ne duhet të korrigjojmë ata që mendojnë se ne do kënaqemi duke jetuar një jetë që vetëm duket se është jetë. Le të jetojnë vetë ashtu të reformuar e të deformuar.
Muhammedi a.s., ka thënë: ‘’ Atij që Allahu i jep pushtetin dhe udhëheqjen e punëve të muslimanëve e ai largohet nga populli duke mos i plotësuar kërkesat edhe nevojat e tyre, Allahu do largohet nga ai pa ia plotësuar kërkesat, dëshirat dhe nevojat që ai i ka”.
Ne, që moti i kemi mbyllur kapixhikët ogurzinj dhe jetën e kuptojmë ashtu si është, me tërë koloritin e vetë, të vetëdijshëm se ajo nuk është e përhershme dhe se gjatë asaj duhet të ecim me zemër dhe shpirt të pastër që të mund të dalim përpara Krijuesit me shpresë se Ai sadopak do jetë i kënaqur nga ne. Ai që i lutet Zotit nga motivet e veta kalimtare, është mercenar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button