Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia gati për sfidat e dyta

Shqipëria e De Biasit do të vihet përballë një tjetër testi delikat pas suksesit të vuajtur me Maqedoninë. Lihtenshtejni është ndalesa e dytë eliminatore. Edhe pse në pamje të parë një ndeshje që nuk shkakton dhimbje koke për kuqezinjtë, rivalët modestë mund të vendosin seriozisht në provë forcën ofensive të këtij grupi. Shqipëria në skemën e tij është gati dhe me gazin në maksimum të kërkojë ta zhbllokojë këtë sfidë që në minutat e para për të mos marrë përsipër rreziqe të panevojshme.

Mungesa e Sadikut nuk shqetëson aspak për ndalesën e sontme dhe sipas të gjitha gjasave, surpriza më e madhe do të jetë debutuesi Azdren Llullaku. De Biasi nis nga porta me Etrit Berishën titullar të padiskutueshëm, ndërsa në repartin e tërhequr, Hysaj-Mavraj-Gjimshiti dhe Aliji do të rreshtohen në linjën katërshe. Përpara mbrojtjes Kukeli dhe Abrashi do të formojnë digën dhe do të ndërtojnë aksionet, ndërsa në krahët e Balajt në sulm do të jenë pikërisht Lullaku, Hyka dhe Roshi. Një formacion ku ndryshimet duken radikale në pamje të parë por skema praktikisht nuk ndryshon. Shqipëria është gati për një tjetër raund 90 minutësh. Të besuarit e Gianni De Biasit kanë një tjetër sfidë në dispozicion për 3 pikëshin e radhës.

Në Shqipëri do të luajë përfaqësuesja e Kosovës që përballë do të ketë një skuadër shumë të fortë siç është ajo e reprezentacionit të Kroacisë, që edhe përkundër shumë mungesave përsëri mbetet favorite absolute dhe të gjithë i japin epërsi të madhe në këtë duel. Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, shpreson në rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Kroacisë dhe kërkon nga lojtarët e tij që të japin më shumë se maksimumin në këtë sfidë tejet të rëndësishme, pasi është e para që Kosova e zhvillon si nikoqir në një garë zyrtare.

Përkundër mungesave të futbollsitëve kryesor, Kroacia është shumë optimiste për të marrë pikët maksimale ndaj Kosovës, në ndeshjen kualifikuese për botërorin Rusi 2018. Trajneri i Kroacisë, Ante Caçiç theksoi që nuk e njeh shumë mirë Kosovën, por pavarësisht kësaj në fushë do të jenë të fokusuar për të arritur fitore.

Caçiç më së shumti i druhet repartit ofenziv të Kosovës, ndërsa përshtypje jashtzakonisht të mira i kanë lënë, Bernard Berisha, Milot Rashica e Leart Paçarada. Në mungesë të Luka Modriçit, kapiten i Kroacisë do të jetë Vedran Çorlluka.

Sonte ndeshjen e tyre do ta luajnë edhe futbollistët e reprezentacionit të Maqedonisë, e që kundërshtarë e kanë Izraelin që ndoshta për shumë kend futbollistët e kësaj ekipe janë shumë të panjohur. Por prap se prap Izraeli është favorit në letër për ndeshjen e ardhshme kundër Maqedonisë, por kapiteni i Maqedonisë Goran Pandev mendon se kuqeverdhët kanë kualitet dhe potencial që të marrin rezultat pozitiv. Ai shanset i sheh te mbrojtja e dobët e kundërshtarit, që sipas tij është pjesa më e dobët e ekipit të Izraelit.  “Kam folur me një bashkëlojtar të Genoas, që ishte pjesë e ekipit të Italisë kundër Izraelit dhe më tha se ndonëse kanë fituar kanë hasur në probleme me Izraelin. E di që nuk janë një ekip me shumë emër, por është një rival serioz, test i madh. Dëshira jonë është e qartë, por në anën tjetër, ky është një lajm i mirë për mua dhe bashkëlojtarët, pasi  mbrojtja e tyre është pika më e dobët. Kundër Italisë kanë pranuar tre gola, dhe shpresoj se ne do të kemi shanse që ta tundim disa herë rrjetën e tyre”, tha Pandev. Të përkujtojmë se për ndeshjen ndaj Maqedonisë ftesë kanë marrë edhe katër futbollist shqiptar, Ferhan Hasani, Besart Ibraimi, Leonard Zhuta dhe Ezgjan Alioski.

Ndeshja Maqedoni-Izrael do të luhet sonte në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup me fillim prej orës 20:45 minuta. Në të njejtën kohë luhet edhe ajo në Vaduz mes Lihteshtajnit dhe Shqipërisë, ndërsa Kosova – Kroacia luhet në Shkodër po në orën 20:45 minuta.

Ndër ndeshjet më interesante padyshim që është përballja e dy reprezentacioneve gjigande Itali – Spanjë që gjithashtu luhet në me fillim nga ora 20:45. /Portalb.mk/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button