RDK: Drejtori i NPK-Gostivar, fiton tenderin për materialet e ndriçimit publik

RDK-ja, nëpërmjet një komunikate ka reaguar ndaj shkeljes së ligjeve për furnizime publike nga ana e Komunës së Gostivarit.

Në reagimin e saj thuhet se  për një tender për furnizim me materiale për mirëmbajtjen e ndriçimit publik dhe materialeve elektrike, prej 100.000 eurove, ka dy shkelje të mëdha që mund të trajtohen si skandal të nivelit të lartë.
Shkelja e parë e këtij tenderi, sipas RDK-së, është fakti se punët e këtij tenderi kanë qenë të filluara dhe mbaruara para se të hapet tenderi në fjalë. 

Me fjalë tjera, kontrata e këtij tenderi nga ana e Komunës së Gostivarit është nënshkruar më datë 20.11.2013, ndërsa koordinatori i grupit të këshilltarëve të RDK-së u është drejtuar me kërkesë deri te Komuna e Gostivarit që të japin qasje deri te tenderi në fjalë më datë 30.10.2013, duke pasur parasysh se punët ne vend ngjarje veç më ishin kryer, dhe i njëjti informacion nuk  është dhënë për shkak të shkeljeve të mëdha që ekzistojnë me këtë tender. 
“Pas kërkesës tonë deri të biroja për furnizime publike u vërtetua në mënyrë absolute se tenderi në fjalë prej 100.000 euro ka qenë i përfunduar para se të hapet i njëjti tender”, thuhet në reagimin e RDK-së.

Sipas RDK-së, “shkelja e dytë e po të njëjtit tender është skandal edhe më i madh sepse tenderin e njëjtë e fiton firma “Drita Mememdali  DOO”, pra bëhet fjalë për Memedali Xhaferi që në të njëjtën kohë është drejtor i ndërmarrjes publike komunale”. 

“Nëpërmes kësaj komunikate kërkojmë edhe njëherë nga organet kompetente shtetërore që të fillojnë të ndërmarrin masa konkrete ndaj shkeljeve të mëdha që ndodhin në Komunën e Gostivarit”, thuhet në reagimin e RDK-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button