202 milionë të papunë në gjithë botën

Nëse vazhdon ky trend, ILO parashikon që pas pesë vitesh numri i të papunëve në bote të ngrihet në 215 milionë.

Statistikat më të reja të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) tregojnë se në fund të vitit 2013 në botë janë numëruar rreth 202 milionë njerëz të papunë. Bëhet fjalë për një rritje prej pesë milionë të papunësh në krahasim me një vit më parë, transmeton albinfo.ch.

Kjo organizatë që e ka selinë në Gjenevë në një njoftim të saj të publikuar të hënën vë në dukje se me gjithë rimëkëmbjen që po përjeton ekonomia pas krizës së madhe financiare globale, në botë po shënohet ngritje e papunësisë.

Nëse vazhdon ky trend, ILO parashikon që pas pesë vitesh numri i të papunëve në bote të ngrihet në 215 milionë. Si kategori më e rrezikuar nga ky trend konsiderohet rinia, gjegjësisht njerëzit nën moshën 25 vjeçare. Papunësia te kjo grupmoshë, me 13 për qind, qysh tash është mjaft e lartë.

Ndërsa mesatarja e përgjithshme e papunësisë është 6 për qind, shkruan ILO.

Politika e kursimit të cilën po e aplikojnë shumë nga qeveritë aktualisht, është sipas ILO-s shkaku kryesor i rritjes së shkallës së papunësisë. Duke marrë masa kursimi, pamundësohet krijimi i vendeve të reja të punës.

Statistikat e ILO-s janë publikuar në prag të mbajtjes se Forumit Ekonomik të Davosit që fillon këto ditë.

Lajme të ngjashme

Back to top button