Fatos Klosi: S’është i pamundur hetimi i Berishës dhe Bashës për 21 janarin

Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi shprehet se tre vitet që shkuan dhe që s’e vunë dot drejtësinë në vend, tregojnë se sistemi i ynë i drejtësisë është i korruptuar, përveçse ekonomikisht dhe politikisht. Për Fatos Klosin, përgjegjësia e plotë për moszbulimin e ngjarjes së 21 janarit është e sistemit të drejtësisë, pasi sipas tij, policia në këtë rast ishte palë dhe prej saj nuk është pritur drejtësi.

Sot bëhen 3 vjet nga ngjarja e 21 janarit ku humbën jetën 4 demonstrues. Si e shikoni mungesën e dënimit për përgjegjësit e asaj ngjarjeje?

Natyrisht, është e pafalshme për shtetin shqiptar, që për një ngjarje që ndodhi në mesin e bulevardit, para të gjitha kamerave fotografike dhe televizive, akoma nuk ka mundur të japë drejtësi. Natyrshëm mund të themi se është përgjegjësi e plotë e sistemit të drejtësisë, pasi policia në këtë rast ishte palë dhe prej saj nuk është pritur drejtësi. Tre vitet që shkuan dhe që s’e vunë dot drejtësinë në vend, tregojnë se sistemi i ynë i drejtësisë është i korruptuar, përveçse  ekonomikisht dhe politikisht. U morën vetëm me aspektet teknike të ngjarjes:  se kush armë bëri qitje, kush e përdori etj, por asnjëherë nuk u morën me linjën e urdhrave, pasi me siguri përgjegjësia do të shkonte shumë lart. Kush urdhëroi fshirjen e filmimeve të sistemit të sigurisë së Kryeministrisë, me siguri, e ka bërë se në ato filmime kishte prova për përgjegjësitë. Kush urdhëroi që gardistët “të burgoseshin” për tre ditë në godinën e Kryeministrisë, me siguri, e bëri për tu ruajtur nga “dalja e llafit”. Kush e sulmoi rëndë Prokuroren e Përgjithshme,  me siguri, e bëri për të trembur të gjithë vartësit e saj dhe të tjerë. Sigurish ka dhe mjaft fakte të tjerë jo teknikë, që tregojnë hapur se për ngjarjen e 21 janarit dhe vetë fajtorët e kanë të qartë se kanë bërë një krim, që duhet fshehur. Edhe në raste të tjera, pak a shumë kështu kanë vepruar. Problemi nuk është ky, problemi është pse janë lejuar ta bëjnë këtë?!

A mendoni se mazhoranca e tanishme, e cila ka 4 muaj në pushtet, duhet të ndikonte për përshpejtimin e zbardhjes së vërtetës?

Mazhoranca e tanishme nuk e komandon sistemin e drejtësisë, por ajo duhet të përpiqet që të gjejë prova të reja, për ta rihapur procesin dhe ta mbrojë më mirë atë. Nuk do të jetë e lehtë pasi fajtorët i kanë manipuluar rëndë provat, megjithatë dëshmitarët janë gjallë dhe ka prej tyre që duan ta thonë të vërtetën.

Opozita e dikurshme, sot në pushtet, ka akuzuar ish-kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e brendshëm Basha për vrasjen direkte të protestuesve. Sa e mundshme është vënia nën përgjegjësi e këtyre dy zyrtarëve?

E thashë dhe më parë, nuk më duket e pamundur. Problemi më i vështirë sipas meje është “kapërcimi  i ylberit”.

Sa i përket drejtuesve të SHISH-it, a duhet parë dhe riorganizimi i asaj strukture që nuk mori masa për parandalimin e ngjarjeve?

SHIK-u, si të gjithë institucionet e tjera të shtetit, e ka kohën për t’u riorganizuar në koncepte, në struktura dhe në prioritetet e punës, por kjo nuk lidhet me pozicionin e tij në ngjarjet e 21 janarit. Ajo ngjarje nuk parandalohej dot nga puna e SHIK-ut. Çfarëdo që të bënte ai, nuk mund të frenonte mendësinë perverse të Kryeministrit (që është dhe shefi i tij direkt) se kishte ardhur rasti që të tregonte se është vetëm ai  “që e bën zap këtë popull”. Në asnjë vend të botës shërbimet inteligjente nuk janë konceptuar për të “ndaluar” kryeministrat, pasi asnjë ligjvënës në kondita normale, nuk mund të parashikojë që kryeministri do të jetë “e keqja”.

Si e shihni rolin e drejtësisë dhe deklaratat e Ambasadorit Amerikan Arvizu për këtë çështje?

Roli i drejtësisë në një demokraci  funksionale është shumë i rëndësishëm, pasi të gjithë konfliktet midis qytetarëve dhe midis shtetit dhe qytetarit, përfundojnë tek ajo. Prandaj, kur sistemi i drejtësisë bëhet palë, demokracia nuk është më e tillë. Për këtë arsye amerikanët besojnë tek drejtësia, prandaj dhe ambasadori amerikan ka qenë shumë këmbëngulës në deklaratat e tij për nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë, për nevojën e luftës kundër korrupsionit ekonomik dhe politik në radhët e tij. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button