Shqiptarët shpëtojnë Gruevskin?!

Një përrallë kineze flet se si një djalosh me emrin Sjao Li kishte jetuar pa prindër dhe në varfëri. Për te ishin kujdesur fqinjë përreth, madje edhe duke e shkolluar. Një ditë, gjersa Li ishte kthyer nga shkolla, në afërsi të një kënete kishte parë një vezë të anakondës. E kishte dërguar në shtëpi dhe në vazhdimësi ishte përkujdesur për të. Së shpejti nga ajo kishte dalë një anakondë e vogël për të cilën Sjao Li kujdesej me përkushtim, kështu që gjarpri u rrit shpejtë. Një ditë u dha lajmi se e bija e ministrit të parë seriozisht ishte sëmurë dhe se i vetmi shpëtim mund t’i ishte ilaçi i bërë nga syri i djathtë i gjarprit. 

Li e kishtë lutur anakondën e vet që t’ia dhurojë syrin e djathtë, me çka jeta e tij dukshëm do të ndryshonte në të mirë. Ajo nxori syrin me gjithë dëshirë. Për çudi vajza u shërua dhe Li së shpejti u ngjit në hierarkinë e lartë shtetërore. Pas një kohe ministri i parë kishte vdekur dhe mbretit i duhej një kohë që të mendonte se cilin duhet emëruar në vend të tij. Në ndërkohë nga e njëjta sëmundje sëmuret edhe bija e mbretit. Mjekët e oborrit sugjeruan syrin e majtë të anakondës. Li kërkoj edhe syrin e majtë të anakondës. E bija e mbretit u shërua dhe dilema e mbretit për funksionin e dytë në shtet u shuajt. 

Madje Li së shpejti u pat martuar me të bijën e mbretit. Po, ambiciet e Li nuk përfunduan këtu. Ai synonte kurorën mbretërore. Kishte këshilluar mjekët e oborrit që tani më atij tërësisht i ishin nënshtruar, për  helmin më efikas për eliminimin e mbretit. Ata sugjeruan një lloj helmi që bëhej nga zemra e anakondës. Li serish iu drejtua mikes së vet gjarpër për ndihmë. Por, ajo kësaj radhe shumë e uritur pa sy, hapi gojën dhe gëlltiti mikun e vet.
 
Politika di shumë t’u hakmerret atyre që janë të pangopur në keqpërdorimin e saj. Populli fali syrin e djathtë për mirëqenie dhe zhvillim, kurse fitoi skamje dhe mjerim; e fali për dinjitet dhe krenari, kurse fitoi nënçmim dhe poshtërim; e fali për liri e barazi, kurse fitoi devalvim e përdhunim. Populli fali syrin e majtë për vesternizim dhe euro-integrime, kurse fitoi shpërngulje dhe ruso-integrime. Por, ku do ta fshehin moralin ata që sot keq menaxhojnë me fatin e popullit, kur ai popull do të kuptojë se vite me radhë ka qenë ushqyer me lugë të zbrazur? Me lugë e cila edhe kur ka qenë e mbushur, ka shkuar në gojë të tjetërkujt. 
Çdokush me të drejtë pyet – gjer kur Shqiptarët do të luajnë me notat e Gruevskit? Çfarë borxhi të madh i paskemi këtij personi që me kaq maoizëm e durojmë sadizmin e tij? Shqiptarët ofrojnë kandidat konsenzual, Gruevski thotë JO; Shqiptarët kërkojnë barazi, Gruevski thotë JO; Shqiptarët kërkojnë multikulturë te Shkupi 2014, Gruevski thotë JO; Shqiptarët kërkojnë heqjen e Car Dushanin, Gruevski thotë JO. E kur Gruevski kërkon diçka, Shqiptarët theren mes veti kush i pari t’i thotë PO. Këtu duhet të jetë në pyetje ndonjë borxh shumë i madh ndaj tij. Apo ndoshta bishtin na e ka zënë fort në derë dhe na detyron të luajmë sipas muzikës së tij. Iu mundësua Gruevskit që të fitojë në paqe atë që kishte humbur në luftë. Kurse zgjedhjet tani më janë shndërrua në farsë, ku humbë populli kurse mafia fiton.

Qeveria haptazi lobon për investime të jashtme vetëm në Maqedoninë Lindore, kurse neve na trajton si gangrenë. Ne bëhemi se nuk e shohim, apo thjeshtë themi se s’kemi çka i bëjmë! Atje gjashtë vitet e fundit janë investuar afro 1,5 miliard euro, duke u punësuar afro 45 mijë njerëz, kurse nga ana shqiptare një ZERO e madhe. Në Kavadar madje s’ka njeri që pret punë. Të gjithë janë të punësuar. Qeveria ka lobuar – ,,Jonson Controls,, (investim i dytë) ,,Johnson Meti,, (poashtu investim shtesë) ,,Technnohaze Kemet Electronics,, ,,Cromberg & Shubert,, ,,Prota,, ,,projekti i Kavadarit,, ,,Grishko,, (fabrikë ruse për paisje estradash), Xhumajlija etj. Qeveria shpenzon pesë milion euro për Akua parkun, kurse nuk jep as një milion për Liqenin e Matkës. Por, si duket nuk ka aq shkelje të rëndë sa ne nuk mund ta durojmë.
Durojmë edhe atëherë kur dikush ndërton të kaluarën e vet të rrejshme duke shembur të ardhmen tonë. E tani kur Gruevskit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare si shpëtim, Shqiptarët sikur janë duke u copëtuar se kush i pari do t’i thotë PO. Nuk kursejmë asgjë që ta shpëtojmë e ndihmojmë këtë liliput që vite me radhë na i mbathë këpucët nga e prapa. Madje, do Shqiptarë pa hamendje synojnë të bindin të jashtmit se pa zgjedhjet parlamentare do të dështonin ato presidenciale. Sa gajle e madhe!!!

Lajme të ngjashme

Back to top button