Rrezikohet “Gjeneva 2”

Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ka ftuar Iranin në konferencën paqësore për Sirinë, duke i shtyrë opozitarët sirianë që të kërcënojnë me bojkotim të punimeve.

Opozita politike e Sirisë ka thënë të hënën se do të tërhiqet nga bisedimet paqësore ndërkombëtare të planifikuara për këtë javë, nëse shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, nuk tërheq një ftesë për Iranin, mbështetësin kyç të presidentit Bashar al-Assad.

Por, Uashingtoni ka sugjeruar se mund të mbështesë pjesëmarrjen e Iranit në bisedime nëse ai deklaron qartë mbështetjen e tij për një plan të qershorit të 2012-s për një transicion politik që Shtetet e Bashkuara thonë se nënkupton largimin e Al-Assadit nga pushteti, ka shkruar Reuters.

“Kjo është diçka që Irani nuk e ka bërë kurrë publikisht dhe diçka që ne që shumë kohë e kemi bërë të qartë se është e nevojshme”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki. “Nëse Irani nuk e pranon plotësisht dhe publikisht planin e Gjenevës, ftesa duhet të anulohet”.

Ban kishte thënë më parë se e ka ftuar Iranin të marrë pjesë në ditën e parë të bisedimeve më 22 janar në Zvicër, dhe se Teherani ka premtuar se do të luajë “një rol pozitiv dhe konstruktiv”.

Më pak se 48 orë që kur Koalicioni Kombëtar, grupi kryesor opozitar politik i Sirisë në ekzil, është pajtuar të marrë pjesë në konferencën e quajtur “Gjeneva 2”, ai ka kërcënuar me tërheqje.

“Koalicioni Sirian njofton se nuk do të marrë pjesë në ‘Gjeneva 2’ nëse Ban Ki-moon nuk e tërheq ftesën për Iranin”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Koalicionit Kombëtar, Louay Safi.

Një tjetër anëtar i lartë i Koalicionit Kombëtar, Anas al-Abdah, ka thënë për rrjetin televiziv Al-Jazeera, nëpërmjet telefonit, se grupi opozitar politik është “befasuar” nga ftesa për Republikën Islamike: “Ajo është thjesht e palogjikshme dhe ne nuk mund ta pranojmë atë në asnjë mënyrë”.

Nja 130.000 njerëz janë vrarë dhe një çerek sirianë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së përgjakshme dhe të vazhdueshme civile, e cila ka nisur me protesta paqësore kundër qeverisjes 40-vjeçare të familjes Al-Assad dhe e cila është shndërruar në një konflikt sektar, me palët ndërluftuese të armatosura dhe të financuara nga shtetet sunite arabe dhe nga Irani shi’it.

Vendet e Perëndimit dhe të Gjirit Arab thonë se ngurrojnë të mbështesin idenë e pjesëmarrjes së Iranit për shkak se ai është duke e mbështetur Al-Assadin ushtarakisht dhe se kurrë nuk e ka mbështetur një plan për një transicion politik në Siri, të aprovuar në një konferencë në Gjenevë.

Ban ka thënë se në ditët e fundit ka biseduar gjerë e gjatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, dhe se beson se Teherani mbështet planin e 2012-s të Gjenevës.

“Ai më ka siguruar se Irani e kupton, sikur të gjitha vendet e tjera të ftuara, se thelbi i bisedimeve është implementimi i plotë i planit të Gjenevës të 30 qershorit 2012”, ka theksuar shefi i OKB-së.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button