Bullgaria kërkon nga Maqedonia të ndryshojë Kushtetutën!

Bullgaria nuk lëshon pe. Përtej buzëqeshjeve në takimin e fundit mes dy ministrave të Jashtëm në Shkup, shefi i diplomacisë bullgare, Vigenin ka thyer akullin duke treguar për herë të parë pikën e nxehtë nga ku varen bisedimet e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve. Sipas Ministrit të jashtëm bullgar, Sofja dhe Shkupi do t’i shoshitin mosmarrëveshjet atëherë kur Maqedonia do të ofrojë garanci se me nenin 49 të Kushtetutës, nuk pretendon të ndërhyje në punët e brendshme të Bullgarisë.

Për Sofjen Zyrtare, kontestuese është neni 49 i Kushtetutës së Maqedonisë, sipas të cilit: “Republika kujdeset për pozitën dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje dhe mërgimtarëve nga Maqedonia, ndihmon zhvillimin e tyre kulturor dhe i avancon lidhjet me to. Republika kujdeset për të drejtat kulturore, ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Republikës jashtë vendit”.  

Ministri i Jashtëm Kristian Vigenin duke folur për mediat bullgare theksoi se Sofja nuk do të heq dorë nga kërkesa e tyre që lidhet me nenin 49 të Kushtetutës së Maqedonisë.

“Nuk do të doja të hy në detaje por ky është një element i rëndësishëm i marrëveshjes. Negociatat vazhdojnë dhe për aq kohë sa kjo është një nga çështjet më të ndjeshme të marrëveshjes, ne nuk mund të heqim dorë nga formulimi që do garantojë se ky nen i Kushtetutës nuk është dhe nuk mund të jetë parakusht për ndërhyrjen në punët e brendshme të Bullgarisë”, është shprehur Vigenin.

Për profesorin e të drejtës Kushtetuese Jeton Shasivari, kërkesa e Bullgarisë nuk konsiston në politikën e jashtme të Maqedonisë, por në politikën e brendshme të saj. 

“Kjo kërkesë ka të bëjë me kërkesën e kamotshme të shtetit bullgar për inkorporimin edhe të komunitetit bullgar në Kushtetutën e Maqedonisë, me ç’rast do të mundësohej deklarimi i lirë i përkatësisë nacionale të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi për Portalb, profesori i të drejtës kushtetuese Jeton Shasivari.
 
“Duhet theksuar se neni 49 i Kushtetutës së RM-së nën ndikimin e Greqisë është plotësuar në fillim të vitit 1992, në kuptimin e asaj se Republika me rastin e kujdesjes për pozitën dhe të drejtat e pjesëtarëve të popullit maqedonas në shtetet fqinje nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme, kështu që, këtë që sot e kërkon Bullgaria është realizuar qysh në vitin 1992 me kërkesën e atëhershme të Greqisë. Mirëpo, sipas qëndrimit më të fundit të shtetit bullgar, shihet se ky plotësim i para 20 viteve i kushtetutës nuk është i mjaftueshëm për ditët e sotme”, vlerëson Shasivari.
 
“Megjithatë me një politikë konstruktive të fqinjësisë së mirë, mund të kapërcehen dallimet e tilla”, shtoi profesori i të drejtës Kushtetuese Jeton Shasivari.
 
Përveç nenit 49 të Kushtetutës së Maqedonisë, dallimet që pengojnë firmosjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirës mes Maqedonisë dhe Bullgarisë kanë të bëjnë edhe rreth historisë dhe çështjeve të identitetit përfshirë kontestimin nga ana e Sofjes të gjuhës maqedonase. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button