Gruevski tenton të bind liderët e partive shqiptare për zgjedhje të parakohshme

 Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski janë takuar, por nuk kanë biseduar për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu së paku deklarojnë nga partia shqiptare në pushtet, edhe pse informacionet jozyrtare thonë se arsyeja e takimit të tyre ka qenë pikërisht kërkesa e Gruevskit për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani sqaron se për zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk është diskutuar në kryesinë qendrore të parties,  transmeton Alsat. 

“Nëse eventualisht hapet ajo temë, fillimisht do të duhet të diskutohet në kryesi të partisë, ku gjithashtu nuk është diskutuar një gjë e tillë. Do të ketë mbledhje të kryesisë por nuk është caktuar rendi i ditës, ose nuk ka propozime për të hapur çështjen e zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, për Alsat M. 

Jo zyrtarisht mësohet se Nikolla Gruevski gjatë fundjavës është takuar edhe me liderin e opozitës shqiptare Menduh Thaçi, për ti transmetuar të njëjtën kërkesë. Nga PDSH-ja nuk deshën të komentonin arsyet dhe përmbajtjen e këtij takimi, e as mundësinë që të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë edhe LSDM-ja opozitare është shprehur e gatshme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 

“A do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare apo jo nuk varet nga LSDM, por VMRO dhe BDI.  LSDM-ja po përgatitet për zgjedhje presidenciale, që do të thotë se ne jemi të përgatitur për zgjedhje, çfarëdo qofshin ato”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.  
Heshtje edhe në partinë e Gruevskit, edhe pse aktivitetet e kësaj partie periudhën e fundit ngjajnë në fushatë parazgjedhore. Edhe thurja e Kodit Zgjedhor sipas masës së LSDM-së komentohet nga ekspertët si moslënie alibi për partinë e Zaevit për të ikur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Lajme të ngjashme

Back to top button