Mimoza Kusari: Nuk bëj koalicion me PDK-në

Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për Gazetën Express, thotë se nuk do të ketë koalicion me PDK’në, pas problemeve të fundit. Kryetarja e Gjakovës pret bashkëpunim me asamblistët e kësaj partie dhe me partitë më të vogla. Nesër, thotë ajo, do të bëhet publik emri i Nënkryetarit dhe drejtorët e rinj.

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka vendosur që ta pezullojë marrëveshjen e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vet Kusari-Lila, për Express, pak caste më parë.

Ajo thotë se vendimin për pezullim është detyruar ta marrë pasi që prej që ishte arritur marrëveshja me PDK’në kishin filluar probleme të mëdha, madje edhe ndërhyrje në punen e saj si Kryetare.

“Unë si kryetare kam të drejtën të shkarkoj e ngarkoj Nënkryetarin. Marrëveshja e koalicionit me PDK’në është pezulluar”, ka thanë Kusari-Lila.

Madje thotë se pezullimi përfshin edhe ndalimin e bisedave mes saj dhe PDK’së si parti.

“Me PDK më nuk bisedoj si formë e subjektit politik, por me asamblistët e saj që janë në komunë”.

Ajo nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni me ndonjë parti tjetër, por thotë që koalicioni do të bëhen pa nënshkrime e marrëveshje, siç ka ndodhur me PDK’në. Do të ketë veç përkrahje parimore.

“Edhe dje që jam takuar me PSHDK’në, jam takuar në kuadër të takimeve me partitë që kanë vend në asamble komunale. Do të takohem edhe me partitë e tjera. Nga të gjithë e mirëpres përkrahjen parimore, pa nënshkrime”, ka thënë ajo.

Megjithëse pezullimi i koalicionit dhe bisedat me partitë e tjera nuk e kanë penguar kryetaren që ta formojë kabinetin me të cilin do të udhëheq në katër vitet e ardhshme. Kusari-Lila tashmë është përcaktuar për nënkryetarin e komunës së Gjakovës dhe drejtorët e drejtorive të saj.

“Unë tashmë i kam idetë e qarta për kabinetin. Edhe Nënkryetari është caktuar. Gjithçka do të bëhet publike nesër”, tha ajo për Express. 

Lajme të ngjashme

Back to top button