Christine Muttonen: Rajonit i nevojitet e ardhme e paqes dhe jo e ardhme e pasigurt

Me adresimin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, nënkryetaren e Kuvendit të Maqedonisë, Renata Deskoska dhe kreun e Asamblesë Parlamentare (AP) të OSBE-së, Christine Muttonen, filloi Sesioni i 15-të vjeshtor i AP të OSBE-së, që do të vazhdojë edhe ditën e nesërme dhe të dielën, raporton Anadolu Agency (AA).

Sesioni për qeverisje të mirë, si bazë për nxitjen e zhvillimit në rajonin e OSBE-së

Në hapjen solemne të këtij sesionit të pranishmit u përshëndetën nga kryeparlamentari i Maqedonisë, i cili shprehu kënaqësinë e tij që një ngjarje e këtillë mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup.

“Që nga vendimi për formimin dhe deri në sesionin e sotëm të AP të OSBE-së kanë kaluar 25 vite. Gjatë kësaj periudhe Asambleja Parlamentare e OSBE-së me punën dhe angazhimet e saj ka dëshmuar se është një mjet për realizimin e parimeve themelore mbi të cilat edhe është themeluar OSBE-ja”, deklaroi Veljanoski.

Veljanoski duke theksuar se Maqedonia për shkak të mosrespektimit të disa parimeve të OSBE-së, si dhe të disa institucioneve të tjera ndërkombëtare, e ka ndjerë në shpinën e vet si një padrejtësi, u shpreh se, “Veçanërisht dua të theksoj se ky sesion do të diskutojë krizën e emigrantëve, krizë e cla edhe më tej mbetet një sfidë shumë serioze”.

Renata Deskoska: Ky Sesion i AP të OSBE-së ka një rol kyç në mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike në Maqedoni

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Renata Deskoska, potencoi se pas 25 viteve të themelimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, fatkeqësisht jemi duke u përballur me sfida shumë serioze për paqen, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin ekonomik. Ajo shtoi se sfidat e sigurisë, kërcënimet nga terrorizmi dhe kriza e emigrantëve janë themelues të ideve jodemokratike dhe lëvizjeve radikale që mund të kërcënojnë vlerat themelore të OSBE-së.

Deskoska në adresimin e saj përmendi edhe krizën politike dhe shoqërore me të cilën ballafaqohet Maqedonia, duke theksuar se roli i këtij sesioni ka një rëndësi të madhe për drejtimin e vendit në zgjedhje fer dhe demokratike.

“Roli i OSBE-së dhe ODIHR-it është i rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike. Presim që ata të kenë një rol aktiv në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedonisë të parashikuara për më 11 dhjetor”, u shpreh Deskoska.

Christine Muttonen: Rajonit i nevojitet e ardhme e paqes dhe jo të pasigurt 

Nga ana tjetër, kreu i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christine Muttonen, deklaroi se sot dhe nesër do të diskutohet se çfarë mund të bëjnë në lidhje me masat për ndërtimin e besimit brenda OSBE-së. Ajo shtoi se rajonit i nevojitet një e ardhme e paqes dhe prosperitetit dhe jo një e ardhme e paqëndrueshme dhe e pasigurt.

“Gjëra më e vështirë për qeveritë tona është të merret interesi i qeverive të tjera. Pa bashkëpunim nuk kemi gjasa të përparojmë. Asnjë shtet nuk mund të ofrojë siguri në vetvete. Për këtë arsye është e nevojshme për të bashkëpunuar dhe të shohim botën me sytë e fqinjëve tanë, partnerëve, madje edhe kundërshtarëve. Në këtë mënyrë do të ndërtojmë besim dhe stabilitet afatgjatë”, deklaroi Muttonen.

Vedat Bilgin: Po të kishte ndodhur një tentativë për grusht shteti në ndonjë vend evropian dhe gazetarë që do të mbështesnin atë, a do të konsideroheshin si imun për hetim

Kreu i delegacionit të Turqisë pjesëmarrës në këtë sesion, Vedat Bilgin, shprehu keqardhje që ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavüsoğlu, nuk ishte në gjendje të marrë pjesë në këtë ngjarje. Ai në adresimin e tij theksoi se misioni i AP-së të OSBE-së tregoi interes, solidaritet dhe mbështetje për demorakracinë në Turqi pas tentativës për grusht shteti në këtë vend.

“Duam që miqtë tanë të jenë gjithmonë të informuar mbi ngjarjet që pasojnë pas grusht shtetit. Më 15 korrik FETÖ tentoi për të kryer një grusht shteti, por falë solidaritetit ky tentim dështoi, por la pas 241 persona të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën. Turqia është e obliguar që të ndërmerr masat e nevojshme që t’i sjell para drejtësisë personat përgjegjës të kësaj tentative. Tani më janë duke u ndërmarrë masa në drejtim të respektimit të lidhjeve tona ndërkombëtare dhe të drejtave njerëzore”, deklaroi Bilgin.

Bilgin shtoi se organizata terroriste “FETÖ” është armik i demokracisë dhe nuk është kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për shumë vende tjera. “Imagjinoni po të kishte një tentativë për grusht shteti në vendet evropiane dhe të ketë gazetarë të cilët mbështesin, a do të konsideroheshin ata si imun për hetim”, u shpreh Bilgin.

“Prandaj ne duhet të qëndrojnë së bashku të vendosur në marrjen e vendimeve të tilla”, tha Bilgin në fjalimin e tij.

Në këtë takim pjesëmarrës janë delegacione nga 51 vende, pjesëmarrëse të OSBE-së nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut si dhe nga vendet partnere të bashkëpunimit në OSBE. Siç është njoftuar, deri më tani janë paralajmëruar 370 pjesëmarrës, prej të cilëve 220 deputetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button