Prometeu tetovar Jusuf Rexhepi

Kur më 1922 lindi kardiologu i famshëm tetovar Jusuf Rexhepi, kishin ndodhur kongreset dhe konferencat e kobshme që përligjën copëtimin e Shqipërisë dhe  zhbërjen e shqiptarit nga faqja e dheut. Të gjendur nën kthetrat e fqinjëve nëpërka, njësoj si dikur, shqiptarëve mund t’u lejohej gjithçka, përveç shkollës në gjuhën e tyre. Ata duhej shndërruar në turmë amorfe pa asnjë vetëdije mbi vetveten, në rajë të pakujtesë dhe të nëpërkëmbshme, për t’i shpërngulur pastaj më kollaj në shkretëtirat e Anadollit.

Pikërisht në këso rrethanash të disfavorshme do të kalojë fëmijëria e Jusuf Rexhepit, në qytezën e vogël dhe të pazhvilluar që s’dallohej me asgjë nga kasabatë përreth.

Asokohe ai nuk i kuptonte akoma shkaqet që nxisnin shkombëtarizimin e bashkëkombasve të tij, por, më vonë nisi ta ndjejë shijen e padrejtësive dhe darët e prapambetjes së imponuar me dhunë.

Dëshira e flaktë për shkollim, leximi i pandalshëm dhe shoqërimi me të rinjtë përparimtarë të Tetovës e poqën Jusufin para kohe. Tani më ai dinte shumëçka për përparimin e të tjerëve dhe digjej nga dëshira për ta parë zonjë edhe Shqipërinë, e cila, sipas tij, mund të shpëtonte vetëm me ngritjen e gjithanshme të popullatës së prirë nga një Promete, që do t’i kanalizonte drejt energjite shqiptare.

Kur nisi Lufta antifashiste Jusufi e kishte kryer shkollën e mesme në Prishtinë dhe ishte i vendosur t’i realizojë idealet e hershme. Ato e çuan në Bari të Italisë për të ndjekur studimet e medicines, në një kohë kur lufta ishte acarruar gjithandej Evropës. Studimet në Bari dhe zotërimi i italishtes ndikuan në formimin e personalitetit të tij, e bënë t’i njihte mirë zhvillimet e kohës, t’i kuptonte para të tjerëve tmerret që do të binin pamëshirshëm mbi kurrizin e kombit.

Pas kapitulimit të Italisë së Musolinit, Jusufi i vazhdoi studimet në Universitetin e Vjenës, por sërish nuk pati fat ta realizojë idealin kyç të jetës. Ishte fundi i luftës dhe flakët e saj e përpinë edhe Austrinë.

Më vonë i nisi studimet nga e para në Beograd, sepse Jugosllavia e vëllazërim-bashkimit… nuk ia pranoi vitet e kryera në Bari dhe në Vjenë. Natyrisht, i kreu edhe ato me sukses të jashtëzakonshëm dhe u kthye në vendlindje për t’iu gjendur bashkëkombasve në momentet më të duhura, atëherë kur numri i mjekëve shqiptarë ishte pothuajse inekzistent.

Një kohë punoi si mjek i përgjithshëm, por, posa u krijua mundësia për të ecur më tej, u bë specialisti i parë shqiptar i mjekësisë interne.

Puna e palodhshme dhe aktivitetet shoqërore e bënë Jusufin shumë të njohur në mesin e bashkëvendasve. Nga ai kërkonin derman njerëz të të gjitha përkatësive. Ai i shëronte pacientët edhe me forcën e fjalës dhe sjelljen tejet të njerëzishme. Sipas dëshmitarëve të gjallë, shpesh u blente me mjetet e veta barëra të sëmurëve të varfër që nuk e kishin këtë mundësi. Pikërisht ky sukses u bë pretekst i fushatës antijusufiane, në krye të së cilës qenë kolegët albanofobë që nuk mund të toleronin dikë që ua prisht mesataren. Thjesht: ai i kishte 24 orë në ditë agjentët pas shpine, për çka flet më së miri dosja e tij voluminoze me imtësira të pabesueshme, që hedhin dritë mbi përmasat e rrjetit të spiunëve të pushtetit absolut jugosllav. Intensiteti i shpifjeve  u përndez veçmas pas demonstratës së vitit 1968 në Tetovë, organizimi i të cilave iu faturua doktor Jusufit dhe shokëve të tij. Kjo u bë shkas që ta largojnë nga ordinanca të cilën e hapi vetë.

Betejën me hafijet shqipfolëse dhe padronët e tyre Doktori e vazhdoi deri në momentin kur u bë real likuidimi i tij fizik, deri në kohën kur miqtë e bindën të largohet nga Tetova në Prishtinë, ku, në një moshë kur të tjerët fillojnë të mendojnë për ditët e pensionit, gjeti forcë t’i kryejë studimeve pasuniversitare. Si mjek i zoti dhe specialist i dy degëve të vështira të mjekësisë (internist dhe kardiolog), ai shkëlqeu edhe si ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Kur u pensionua thoshte se, gjersa qe aktiv si mësimdhënës dhe mjek, e njihte vetëm një udhë të Prishtinës: atë që çonte prej banesës së tij në fakultetin e mjekësisë, përkatësisht në repartin e kirurgjisë dhe anasjelltas.

Mjerisht, kjo periudhë e jetës së tij zgjati shkurt, sepse më 1981 ndodhën demonstratat studentore, që u shuan me gjak dhe me dhunë të paparë. Ngjarjet në fjalë i bënë pushtetarët ta ndjejnë tundjen e kolltuqeve, po u dhanë dhe pretekstin për t’u lëshuar në gjueti shtrigash. Ata donin me çdo kusht të zbulojnë ideatorët e mirëfilltë të projektit të rrënimit të Jugosllavisë dhe i shenjuan si të tillë profesorët e Universitetit të ri të Prishtinës. Kësisoj dëshironin të realizojnë dy qëllime: të eliominojnë nga skena shoqërore e Kosovës ata që guxuan të ngrihen kundër diktaturës sllave dhe ta lënë pa Promete kombin shqiptar, pa intelektualët mendjendritur që mund t’i prinin në situata udhëkryqesh e rreziqesh serioze. Ndër viktimat e para të histerisë antishqiptare, natyrisht u bë edhe doktor Jusuf Rexhepi. Gazetat serbe e maqedonase nuk reshtinin së botuari fotografitë e tij me uniformën e ushtarakut të batalionit Luboten, në të cilin një kohë qe intendant. Ky fakt u bë argumenti më i madh për denoncuesit e çartur, që gërvalleshin me patetizëm: Ja kujt ia kemi lënë ta edukojë brezin e ri të shqiptarëve…

Botimet e njëpasnjëshme të fotografive me të cilat njollosej doktori sërish e arritën efektin e kundërt dhe sakaq ai u bë i mirënjohur edhe për ata që gjer atëherë nuk ia kishin dëgjuar emrin. Ndër gjërat që i hidhëronin shumë sigurimsat e UDB-së ishte edhe e dhëna se Doktor Jusufi nuk u frikësua fare nga pasojat eventuale dhe, në dallim prej shumë intelektualëve të kohës që shpesh pendoheshin për udhët e ndjekura më herët, ai nuk iu kthye kurrë me denoncime periudhës kur e pati veshur uniformën ushtarake dhe e pati vënë në kokë kapelën me emblemën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Doktori e kishte pasur fatin dhe fatkeqësinë që t’i përjetojë me moshë të vetëdijshme të dy pushtetet dhe e kishte të qartë se nga i vinte rreziku më i madh për shqiptarët…

Periudha e diferencimeve dhe largimeve masive nga puna, persekutimet dhe maltretimet çnjerëzore të ushtruara mbi intelektualët atdhetarë do ta bindin përfundimisht doktorin se asnjë mirëqenie nuk mund të barabitet me të mirat që sjell liria e atdheut. Këtë e ndjeu me thellësi shpirti gjer në ditën e rrënimit të diktaturës bolshevike. Koha i dha të drejtë bindjes së tij se në mes fashizmit dhe bolshevizmit stalinian nuk kishte kurfarë dallimi.

Qe viti 1989 kur doktorin e dëbuan nga puna dhe e pensionuan para kohe. Pas kësaj Ai u kthye në Tetovën e tij, por nuk ndejti duarkriq, gjersa u bind se idealet e tij nuk përkonin me ato të tipave të ekzaltuar pas pushteteve fictive të gligorovëve. Kjo e bëri që të vtërhiqet mënjanë, duke dashur që: të jetë rehat, që prapa shpinë së tij tëe mos të bëhen dallavere, sidomos të tilla që nuk mud t’i duronte më në një moshë të shtyrë…

I këtille qe Doktor Jusufi, intelektuali që i pikasi 50 vjet para të tjerëve marifetet bolshevike, personaliteti që mbeti antikomunsit i përbetuar edhe në periudhën kur të ishe i tillë nuk ishte fare e lehtë. Ai kishte vizion të pastër evropian dhe nuk bënte pjesë në rradhët e atyre që shanin komunizmin jugosllav dhe pispillosnin imazhin e komunizmmave tjerë… Ai e njihte këtë sistem me themel, dhe, tamam si Faik Konica dikur, tërhiqte vërejtjen e pasojave të përkrahjes së kësja ideologjie. Ndoshta këtë e bënte pse vinte e imponuar nga sllavët, ndoshta pse për dr. Jusuf Rexhepin, ngjashëm si edhe për Naimin e madh, dielli lindte andej nga perëndon. Të gjitha këto e bënin të jetë i adhuruar edhe nga kundërshtarët e tij ideologjikë… Ndaj, deklaratat e veçanta plot konsideratë e respekt, të thëna nga personalite të jetës politiko-shoqërore, ditën e vdekjes së doktorit, më 28 Nëntor të vitit 2005, ishin me vend. Atë ditë kremtesh të mëdha kombëtare, Tetova kishte zi. Ajo kishte mbetur pa njeriun e saj emblemë, pa personalitetin që i dha vulë kohë-hapësirës së vet, pa intelektualin që u bën nder të gjithë banorëve të pollogut e të malësisë së Sharrit, pa Prometeun që vdiq ashtu si jetoi: i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button