Shqipëria e Kosova më shumë se vende fqinje

Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka deklaruar se takimi i Prizrenit duhet parë si një mundësi për të eksploruar të gjitha mundësitë e fjetura deri tani për një zhvillim edhe më të mirë ekonomik, por edhe për të dhënë ndonjë shembull të një bashkëpunimi tepër konstruktiv edhe në rajon.Meta ka thënë se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë unike, janë marrëdhëniet e dy vendeve fqinje, por janë më shumë.

“Janë dy vende që të ardhmen e qytetarëve të tyre e shohin në BE. Kemi mundësi më të mëdha për të shfrytëzuar resurset për një zhvillim më të shpejtë, për të integruar më shpejt, por edhe për të përdorur më mirë resurset e njeri- tjetrit. Si në aspektin energjetik. Shqipëria dhe Kosova kanë më shumë mundësi të përfitojnë më shumë nga sistemet energjetike. Shqipëria bazën kryesore të energjisë e ka nga energjia e rinovueshme, hidro. Ndërsa Kosova e ka nga energjia, e cila prodhohet nga termocentralet. Bashkëpunimi i këtyre vendeve do të rezultonte me një dobi shumë të madhe edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë dhe do ta bënte sistemin energjetik shumë efikas. Edhe në shumë fusha të tjera mund të arrihet një shkallë shumë më e lartë e përfitueshmërisë reciproke. Ky bashkëpunim duhet parë si një mundësi për të eksploruar të gjitha mundësitë e fjetura deri tani për një zhvillim edhe më të mirë ek onomik, por edhe për të dhënë ndonjë shembull të një bashkëpunimi tepër konstruktiv edhe në rajon. Në këtë drejtim unë besoj se ky bashkëpunim nuk është i vetmi edhe pse është mjaft unik”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se Shqipëria ka edhe marrëdhënie të mira edhe me vende të tjera, që është bashkëpunim i domosdoshëm, që është në ADN-në e vet të politikës së jashtme të Shqipërisë, politikë e fqinjësisë së mirë, politikë bashkëpunimi, pragmatike, që shikon drejt të ardhmes, zgjidhjes së problemeve.

“Ka qenë një mbledhje e paramenduar. Ideja për të realizuar një bashkëpunim sa më të dobishëm nga Shqipëria me Kosovën, ka qenë një ide përpara zgjedhjeve dhe pas tyre. Unë besoj se takimi i Prizrenit do të pasohet me takime të tjera. Kemi nevojë për vendime konkrete, si p.sh konsullatë apo ambasada të përbashkëta. Kjo është pozitive, jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet e tjera. Kur ne duhet të japim shërbimin tonë ndaj fqinjëve tanë, por edhe të shfrytëzojmë burimet tona, sepse nuk kemi mundësi të hapim konsullata kudo. Këto forma bashkëpunimi janë të dobishme dhe me interes konkret edhe praktik për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button