Krasniqi ngushëllon familjen e trajnerit Allajbegu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Allajbegu me rastin e vdekjes së trajnerit të njohur në sportin e mundjes, Mentaz Allajbegu.

Në telegramin ngushëllues, ministri Krasniqi shprehet:

“E nderuara familje Allajbegu,

Me shumë pikëllim morëm lajmin për vdekjen e trajnerit kampion, modelit më të mirë të një mësuesi sporti, trajnerit të mundjes, Mentaz Allajbegu. Puna e tij përbën një histori në vete për zhvillimin e sportit ndër-shqiptarë e që më së miri është kulmuar me medaljet e arta në shumë gara ndërkombëtare, deri edhe në lojërat olimpike.

Vizioni dhe metodat e tij të punës së tij ishin të rralla. Ai, edhe kur të gjithë pushonin e gjente veten duke organizuar kampe të rinjsh vetëm e vetëm për t’i aktivizuar ata me not e sporte të tjera të ndryshme.

Iniciativa e tij që sportin e mundjes ta zgjerojë edhe në qytetet e Kosovës pati sukses i cili vërehet edhe në gjeneratat e sotshme.

Vdekja e tij është një humbje shumë e madhe për sportin mbarëshqiptarë por edhe në gjithë Ballkanin. Por ai dhe gjithë jeta e tij do të mbetet një shembull brilant për punë dhe suksese të gjeneratave të tanishme dhe atyre që do të vijnë.

Duke bashkë ndjerë dhembjen me Ju, familje e nderuar, dhe gjithë komunitetin sportiv, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta!”

Lajme të ngjashme

Back to top button