Investimet: Qeveria, për disa nënë e për disa njerkë!

A do të mbetet i pasanksionuar rasti me kompaninë e huaj e cila punon në Zonat e lira ekonomike, e që në kundërshtim me rregullat, përfiton në tregun vendor mbi limitet e lejuara? Cili institucion i ka të dhënat për atë se sa para në formë të subvencioneve deri tani u kanë shkuar kompanive të huaja që të hapin fabrika në Maqedoni? Një sërë pyetjesha hapi Raporti i revizorit shtetëror për punën e Agjencisë për tërheqjen e investimeve të huaja. Komuniteti vendor i biznesit konsideron se të gjitha parregullsitë nuk guxojnë të mbeten në “sirtar” – pa përfundim, sepse, siç thonë, politika për përkrahjen e investimeve të huaja i vë ata në pozitë dytësore. Përgjigje patjetër duhe të ketë – thonë biznesmenët dhe kërkojnë trajtim të barabartë me investitorët e huaj.

Zona e lirë e Tetovës të hapet edhe për kapital vendor!
Benificione tatimore, infrastrukturë të paguar nga shteti, fuqi e lirë punëtore – investitorët e huaj panë mundësi për profit nga punë në Zonat e lira ekonomike. Biznesmenët vendorë gjithnjë e më me zë, veçanërisht pas publikimit të Raportit revizor për punën e Agjencisë për tërheqjen e investimeve, kërkojnë trajtim të barabartë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se Zona e lirë ekonomike në Tetovë duhet të hapet edhe për kapital vendor. Drejtori ekzekutiv i odës, Arben Halili, konsideron se kjo zonë, për dallim nga të tjerat është hapur sipas parimit të partneritetit publik-privat dhe prandaj duhet të jetë e hapur jo vetëm për investitorë të huaj, por edhe për ata të vendit.

“Zona e ekonomike e Tetovës dallon nga të tjerat. Në qoftë se nuk lejohet hyrja e firmave vendore, konsideroj se do të bëhet diskriminim. Ka disa firma që janë të gatshme të investojnë në këtë zonë. Ne tani kemi situatë kur investitorëve të huaj u jepet pozitë absolutisht favorizuese, lirime nga tatimet në peridudhë prej 10 vitesh, infrastrukturë e gatshme, e nga ana tjetër u lejohet këtyre firmave që me një përqindje të caktuar, të fitojnë edhe në tregun vendor. Kjo nuk është e drejtë dhe praktikisht në këtë mënyrë bëhet vrasje e kompanive vendore, favorizohet konkurrenca jolojale”, thotë për ”Portalb”-in përfaqësuesi i odës, Halili.

Sipas Halilit, hyrja e firmave të Maqedonisë në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë, mund të realizohet edhe nëpërmjet angazhimit të ytre nga kompanitë e huaja, por trajtimi duhet të jetë i barabartë – sqaron ai. 

Një pjesë e komunitetit afarist kërkoi nga qeveria t’i hapë dyert e të gjitha Zonave të lira ekonomike edhe për kompanitë vendore.

“Sipas propozimit, kërkoheshin kushte të njëjta sikurse dhe për kompanitë e huaja, gjegjësisht, ato kompani vendore, 80% e prodhimtarisë së të cilave përfundon në tregje të huaja ndërsa 20% në tregun vendor, të mund të punojnë në zonat e lira jodoganore” – thotë afaristi Goran Rafajllovski. 

Kompanitë vendore ballafaqohen me konkurrencë jolojale! 
Rasti në të cilin kompania e huaj nga Zonat e lira ekonomike, në kundërshtim me rregullat dhe marrëveshjet, ka përfituar në tregun vendor më tepër se sa që lejohet, hap dilema te komuniteti i biznesit. Sipas Raportit të Revizorit shtetëror, investuesit me dokumentacion jo të plotë dhe joadekuat kanë kërkuar ndihmë financiare nga shteti, ndërsa organet shtetërore nga ana tjetër kanë pranuar dëshmi të ndryshme për llojin e njëjtë të ndihmës shtetërore, Një pjesë e tyre, sipas konstatimeve të revizorit, e kanë keqpërdorur pozitën, kanë nxitur konkurrencë jolojale dhe kanë realizuar profit plotësues, ashtu që produktet e tyre i kanë plasuar edhe në territorin e Maqedonisë, edhe pse janë prodhuar në zonë industriale dhe janë subvencionuar nëpërmjet ndihmës shtetërore, me çka bëhet më konkurrentë në treg me çmim më të ulët.

“Është e palejueshme që një kompani e huaj që punon nën kushte të beneficuara të përfitojë në tregun vendor, në kundërshtim me rregullat dhe ligjet. Kjo është një shkelje që e dëmton drejtësinë. Sipas meje, organet kompetente në këtë rast duhet menjëherë ta ndërpresin kontratën me atë kompani, pa marrë parasysh se për cilën kompani bëhet fjalë” – sqaron Rafajllovski dhe shton:

“Me vetë faktin se ne krijuam zona të lira ekonomike, ne bëjmë diskriminim të biznesit vendor. Por qeveria vendosi për politika të këtilla dhe tani duhet t’i presim efektet e tyre. Do të thotë, duhet të shohim për shembull, se pas kalimit të lirimeve tatimore për rrogat, a do t’i mbajnë investitorët punëtorët dhe a do të vazhdojnë me biznesin, pastaj cilat do të jenë efektet tregtare në eksport, por edhe nga importi i makinave dhe materialebe për punë. Jemi dëshmitarë se kompani të njohura botërore që punojnë në zonat e lira ekonomike anembanë Evropës, pas përfundimit të benificioneve, i lëshojnë vendet dhe kërkojnë destinacione të reja.”
Prej fillimit të vitit 2013, çdo muaj, ekipe të qeverisë mesatarisht kanë vizituar nga tre vende të huaja në përpjekje për të gjetur investitorë të huaj. Nga Shqipëria, Katari, Kanadaja, Britania, Rusia e deri në Indonezi.

“Maqedonia nuk është treg interesant dhe atraktiv për investim. Investitorët i intereson se sa do të jetë fitimi i tyre. Mendoj se shteti duhet të ketë strategji se si t’i tërheqë mërgimtarët të investojnë në vend, t’u ofrojë benificone që ata t’i investojnë paratë e tyre në Maqedoni. Tani për tani, sipas pozitës së vendit në suaza ndërkombëtare, investitorët e huaj nuk shohin ndonjë interes të veçantë për të investuar këtu” – sqaroi për “Portalb”-in profesori universitar Seadin Xhaferi.

Sipas të dhënave nga Raporti i fundit vjetori i Konferencës për zhvillim të Kombeve të Bashkuara, maqedonia u rangua në vendin e fundit nga vendet e rajonit për nga investimet e huaja për vitin 2012. Në vendin e parë ishte Kroacia, ku gjatë vitit 2012 janë investuar 1,25 miliardë dollarë, e në vendin e fundit ishte Maqedonia, ku në po atë vit kanë ardhur 135 milionë dollarë ose pothuajse dhjetë herë më pak se sa investimet e huaja në Kroaci. Vitin e kaluar, nëpërmjet promovimeve të paguara dhe lobimeve, nëpërmjet mediave të huaja, Maqedonia filloi fushatë promovuese për prezantimin e potencialeve investuese në vend. Kështu, “Forbs”, e rangoi Maqedoninë si “top” destinacion investues, si vend që ka rritje ekonomike, stabilitet makroekonomik dhe që ofron benificone për investitorët e huaj.

Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button