Mesazhi nga protesta, Radikën do ta mbrojmë!

Qindra qytetarë nga Peshkopia dhe Dibra e madhe u bashkuan në protestën e përbashkët kundër devijimit të lumenjve Radika dhe Vjosa si dhe projektin “Fusha e Lukovës”. Në këtë protestë morën pjesë përfaqësues të qarkut të Peshkopisë dhe komunës së Dibrës , organizatat joqeveritare si dhe shumë qytetarë dibranë.

“Ujërat e Radikës janë marrë më 1947 në një marrëveshje të pabesë kur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ishin nën lulëzimin e tyre dhe që atëherë janë marrë 10 metra ujë në sekondë. Kjo ndërhyrje mundësoi që Radika të ketë më pak ujë ndaj më 1957 janë bërë përpjekje për kthimin e ujit por më kot, ajo veç ishte nënshkruar. Sot jemi këtu për të sensibilizuar me zërin e protestës qytetare kundër veprimeve të Qeverisë së Maqedonisë. I bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë të mos bëjë “karshillëqe” me zëdhënësin e saj sepse ajo e din shumë mirë forcën e shqiptarëve. Ne nuk jemi për të treguar forcën, por nëse duhet do e tregojmë edhe forcën në grykë të Radikës ashtu siç e kemi treguar me Perandorinë Osmane”,  theksoi  Kryetari i qarkut të Peshkopisë, Ilir Krosi, gjatë protestës kundër devijimit të lumit Radikë.

Munir Hoxha, kryesues i shoqatave joqeveritare në Peshkopi potencoi se “Radika nuk është vetëm problem i shqiptarëve të Maqedonisë por edhe problem i Qeverisë së Shqipërisë. Dibranët e kanë të lidhur jetën e vet me Radikën dhe këngët e saj .Qytetarët dibran të  dyja Dibrave e çojnë zërin për të zgjuar institucionet përgjegjëse dhe veçanërisht shtetin shqiptar për t’i thënë stop devijimit të lumit Radikë dhe Vjosë. Këta lumenj na i ka falur Zoti dhe vetëm ai mund të na i merr nga dora. Mbrojtja e lumenjve është në bazë të konventave ndërkombëtare dhe direktivave të Bashkimit Evropian. U bëj apel të gjithë përfaqësuesve politik, deputetët e zonës të jenë këtu në protesta, sepse ata kërkuan votën tonë, ndaj janë përgjegjës që të jenë edhe ata të përfshirë në  zgjidhjen e këtij problemi”, tha mes tjerash Hoxha.

“Ne sot i themi stop politikës antishqiptare të Gruevskit, Radikën nuk e  japim, është sinonimi jonë dhe nuk bëhet turpi jonë. Ne nuk e japim Radikën për asnjë Qeveri ,sepse  Dibra ka qenë dhe do të mbetet një “ u shpreh Bashkim Mashkulli, kryesuesi i Këshillit Komuna nga Dibra.

Emrije Skuka, mësuese në Peshkopi potencoi për Portalb se “Radika është ujdhesa e shpirtit tonë miliona vjeçar, a duhet të gëzohemi sot që e kemi, apo të hidhërohemi nëse nesër nuk mund ta kemi. Lajmi keqardhjes për devijimin e Radikës është mallkim për ne shqiptarët, nëse Radika na merret do të mbetet në legjendë. Allahu na e dhuroi ndaj dhe dëgjohet fjala dibrane “Nuk e lan as Drini e as Radika”.Radika është e vërteta jona dhe  duhet luftuar ta kemi tonën përjetë” u shpreh Skuka.

Lajme të ngjashme

Back to top button