Politika gjermane, lindin polemika për seksizëm

Një politikane e re e cila ka ngritur zërin kundër seksizmit në partinë në pushtet, CDU e Angela Merkelit ka marrë vlerësimet e shumë politikanëve, por disa të tjerë kanë vënë në dyshim motivet e saj. Në një letër të hapur, Jenna Behrends, e sapozgjedhur në radhët e CDU-së në Berlin u ankua se seksizmi ishte mjaft i përhapur në parti, transmeton Top Channel.

Ajo ishte ndjerë e fyer pasi një senator, identifikuar nga mediat gjermane si Frank Henkel, e kishte quajtur “miushe të ëmbël”. Të shumta ishin gratë politikane që u solidarizuan me të, duke filluar nga ministrja për Fëmijët, Manuela Schwesig, e cila tha se shakat me sfond seksual ishin të papranueshme.

Gjithashtu Gesine Agena, zëdhënëse e të gjelbërve për çështjet e grave pohoi gjithashtu se kishte dëgjuar një gjuhë jo shumë të hijshme nga ana e politikanëve meshkuj.

Jenna Behrends, një avokate 26-vjeçare deklaroi se kishte marrë mbështetje të shumta përtej partisë që prej publikimit të letrës së titulluar “E dashur parti” në blogun e saj në datën 23 shtator. Gjithsesi ajo fshikulloi unionin e grave të CDU-së për trajtimin e rastit brenda kufijve të partisë.

Sipas politikanes së re, disa anëtarë të CDU-së e kishin përshkruar atë si të uritur për famë dhe me ambicie të larta për t’u zgjedhur në krye të unionit.

Liderja e unionit, Sandra Cegla, u citua të thotë se 26-vjeçarja kishte krijuar marrëdhënie shumë të afërt me Peter Tauber, sekretar i përgjithshëm i partisë dhe këshilltar i kancelares Angela Merkel.

I pyetur nga gazeta “Der Spiegel”, Tauber e pranon se kishte flirtuar me Jennan por se e kishte kuptuar shpejt se nuk mund të ishin më shumë se shokë.

Analistët thonë se Behrends kishte ringjallur debatin mbi seksizmin të nisur në vitin 2013 nga gazetarja Laura Himmelreich, e cila u ankua për shantazh nga një politikan i larte i FDP-së.

E megjithë polemikat, vlen të përmendet se CDU-ja ka emëruar gra në disa prej posteve më të rëndësishme mes të cilave edhe vetë Merkeli që përmbysi traditën prej disa dekadash duke u bërë lidere në vitin 2000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button