Gruevski dhe Zaev në takim me liderët e partive shqiptare

Gazeta Maqedonase “Dnevnik” njofton se pas informacionit se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka ndërruar mendje dhe se nuk do të jetë befasi nëse pajtohet që bashkë me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare , LSDM urgjentisht ka kërkuar takim me zyrtarë të BDI-së dhe se funksionarë të lartë të të dy partive kanë folur mbi opsionin nëse partia e Ahmetit do mbështesë zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

Burime partiake, madje brifojnë që në LSDM të jenë të shqetësuar se në pranverë janë të mundshme zgjedhje të dyfishta. Tjera detaje nga takimi nuk zbulohen, por mësohet se qëllimi i partisë së Zoran Zaevit ka qenë të dëgjojë se a luan BDI seriozisht në kartën e zgjedhjeve parlamentare. 

Ndërkaq, Kryeministri Nikolla Gruevski gjatë kësaj jave bëhet e ditur se ka takuar liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ate të PDSH-së, Menduh Thaçi, ku theks i veçantë kanë qenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Një nga portalet maqedonase ‘maxim.mk’ ka shkruar se është arritur marrëveshja midis Gruevskit  dhe Ahmetit për zgjedhjet e parakohshme në takimin e tyre të hënën në Qeveri. Por, partia shqiptare në pushtet deri tani nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë se a do të mbështet propozimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. BDI  deri në fund të këtij muaji apo në fillim të muajit shkurt do të vendos për këto zgjedhje.

Edhe në një takim midis Gruevskit dhe Thaçit është diskutuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe se Gruevski ka kërkuar votat e PDSH-së për të shpërbërë Qeverinë, duke llogaritur edhe në vota të tjera të partive të tjera. Në këtë takim është diskutuar edhe për pakënaqësitë dhe kërkesat që PDSH ka parashtruar lidhur me kodin zgjedhor që do të jetë në rend dite të Parlamentit, por edhe për çështje tjera.

Lajme të ngjashme

Back to top button