Rama: Heqim “taksën e korrupsionit”, TVSh-ja për 60 ditë

Rimbursimi i TVSh-së, brenda 60 ditëve, ndryshimi i sjelljes së tatimorëve ndaj biznesit dhe vendosja e biznesmenit në piedestalin që i takon, janë porositë e kryeministrit Edi Rama të formuluara dje, në takimin me administratën e Tatimeve.

Një ditë pas takimit me përfaqësuesit e biznesit, Rama bën me dije se do të rishikohet legjislacioni tatimor pasi ai ka probleme dhe krijon përplasje konceptuale.

“Ligjet tatimore në fuqi janë ndryshuar aq shpesh saqë kanë jo pak probleme. Ligjet krijojnë mospërputhje dhe përplase konceptuale. Do ta rishkruajmë legjislacionin tatimor në bashkëpunim me FMN-në. Asnjë ligj nuk mund të zëvendësojë vetëdijen e brendshme të administratës dhe administratorit tatimor. Brenda 6 mujorit të rishkruajmë ligjin mbi tatimin për të ardhurat, së bashku me udhëzimin përkatës. Ne do të kërkojmë që secili prej jush të angazhohet drejtpërdrejtë, për të marrë nga eksperienca juaj me biznesin sugjerimet e nevojshme që do ta plotësojë këtë ligj ashtu siç duhet”,- deklaroi Rama. Për raportet tatime-biznes do të stabilizohen edhe kontrollet të cilat do të jenë të organizuara dhe të paralajmëruara.

“Askush nuk duhet të trokasë në derën e një dyqani me kulturën e mëparshme të gjobëvënësit e pengmarrësit.

Çdo kompani të lajmërohet para se të bëhet kontrolli. Është koha të marrin fund befasitë për kontrolle pa kuptim. Të mos lejojmë rimbursime abuzive si ato që janë bërë me shumicë dhe kanë shkatërruar natyrën dhe rezultatin që duhet të kishin dhe duhet të kenë kontrollet”-deklaroi Rama.

Duke folur për rritjen e taksës së bizneseve me 15 % Rama tha se kjo është bërë për të marrë përsipër të ulet dhe të bëhet e papërfillshme taksa e korrupsionit dhe arbitraritetit.

Kjo është çka kërkohet edhe nga punonjësit e administratës.  “I kemi kërkuar të rrisin të ardhurat e tyre për shtetin, por unë dhe qeveria dhe secili nga ju duhet të jetë i vetëdijshëm se përkundër kësaj duhet të rrisim cilësinë e shërbimit ndaj tyre. Kemi ulur taksat për 97 % të atyre që jetojnë me një rrogë në shtet apo privat dhe kemi rritur për përfituesit e drejtpërdrejtë nga aktiviteti ekonomik, por nga ana tjetër kemi rritur taksën zyrtare dhe ligjore dhe kemi marrë përsipër ta ulim dhe ta bëjmë të papërfillshme taksën e korrupsionit, arbitraritetit, zvarritjeve, të humbjes së kohës. Taksa reale që ka dalë gjatë një viti nuk ka qenë 10 %, por shumë më tepër deri në sasira marramendëse dhe në mesatare ka qenë 22 %.

Taksën mes 15 % zyrtare e 22 % jozyrtare, ne do ta bëjmë zero”-tha Rama./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button