Klinton fiton, por nuk nokauton Trampin në debatin e parë presidencial

Debati duhet të konsiderohet si fitore e Klintonit, por jo e tillë që të nokautojë përfundimisht Trampin.

Vendi dhe koha. Debati është mbajtur në sallën e univerzitetit Hofstra në Hempsted në shtetin Nju Jork me fillim në ora 9 me kohën lokale. Atë e kanë transmetuar të gjithë televizionet publike nacionale dhe kabllovike amerikane, ndërsa llogaritet se e kanë shikuar rreth 100 milionë njerëz në SHBA. Debatin e ka moderuar gazetari Lester Holt i televizionit NBC.

 

Tema 1 – Ekonomia. Debati ka filluar me tema ekonomike, me theks të veçantë te papunësia dhe pabarazia ekonomike. Debati është zhvilluar kryesisht në vijat ideologjike majtë-djathtë. Sipas Klintonit zgjidhja e problemeve ekonomike qëndron te rritja e tatimeve të kompanive dhe individidëve të pasur dhe shpërndarja e mjeteve buxhetore për të zbutur pabarazinë ekonomike. Ndërkaq Tramp mendon se çelësi i problemeve është ulja e tatimeve për bizneset dhe kthimi i vendeve të punës nga shtetet tjera, sidomos Kina dhe Meksiko.

Tramp ndërkaq ka devijuar nga dogma republikane në çështjen e tregtisë së lirë. Ai fajësoi marrëveshjet e tregtisë së lirë për humbjen e vendeve të punës dhe transferimin e tyre në Meksikë e Kinë dhe premtoi se do të rinegociojë këto marrëveshje sapo të bëhët president. Ai ka fajësuar specifikisht marrëveshjen NAFTA nga koha e Bill Klintonit dhe atë me shtetet e Azisë Lindore që ka propozuar Obama, pra tërthorazi duke ja mveshur këto Klintonit. Qëndrimet e Trampit janë kryekëput kundër qëndrimeve republikane, që përherë janë pro tregtisë së lirë.

Një pikë e përbashkët ku u pajtuan të dy kandidatët ishte nevoja për investime të reja në infrastrukturë, normalisht me ndryshime në detaje.

Klinton godet rëndë Trampin për pasurinë dhe bizneset e tij. Në pjesën e ekonomisë moderatori ka ngritur çështjen pse Tramp nuk hap dosjet e tij financiare siç ka bërë çdo kandidat për president në 50 vitet e fundit. Tramp është shfajësuar me përgjigjen standarde – sepse është nën revizion nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Ai ka tentuar të hedhë topin te Klintoni duke thënë se premton të hap dosjet nëse Klintoni zbardh 33.000 e-mailat e saj nga koha kur ka qenë sekretare shteti.

Por çështja është shndërruar në penallti të pastër për Klintoni. Ajo ka përmendur disa arsye pse Tramp nuk hap dosjet e tij si: Tramp ndoshta nuk është aq i pasur sa thotë, ndoshta ka shumë borxhe te banka e vende të huaja, apo ndoshta sepse nuk paguan fare tatime. Ndoshta pa vetëdije Trampi ka pranuar këtë të fundit me përgjigjen “edhe sikur të kisha paguar, ju do t’i kishit shpërdoruar”.

Në këtë pjesë sulmi më efektiv i Klintonit ka qenë kur ka përmendur raste kur Tramp nuk kishte paguar punonjësit e tij. Sipas saj ky është shembulli më i mirë si e paramendon Trampi Amerikën: sistem që funksionon në favor vetëm të një grushti njerëzish.

 

Tema 2 – Çështjet racore.

Në pjesën e dytë debati ka vazhduar me marrëdhëniet racore, konkretisht me problemin e vrasjeve të një numri të rinjsh zezakësh nga policia dhe protestat që kanë shoqëruar këto vrasje.

Tramp është paraqitur si kandidati i “rendit dhe ligjit”, duke mbrojtur policët dhe duke thënë se zgjidhja e problemeve për komunitetin zezak është shkatërrimi i bandave nëpër geto. Ai ka përmendur disa herë Çikagon, qytet ku ndodhin me mijëra vrasje në vit. Pasi Çikago është qyteti amë i presidentit Obama, Tramp kështu ka aluduar se fajtore për gjendjen nëpër geto janë politikat e demokratëve.

Klinton ndërkaq pohon se një pjesë e problemit padyshim është racizmi latent te forcat policore. Ajo ka premtuar reformë të sistemit penal, që burgos me mijëra zezakë të rinj për krime të vogla, duke krijuar një rreth vicioz krimesh të ardhme. Si pjesë të problemit ka cekur ligjet tejet liberale për blerje të armëve në SHBA, të mbështetura nga lobi i fuqishëm i armëve – NRA.

Përplasja më interesante në këto çështje ka ndodhur kur kandidatët kanë akuzuar njëri tjetrin për racizëm. Klinton ka shpalosur faktin se në vitet e 70-ta Tramp është paditur për diskriminim racor pasi ka refuzuar t’u japë banesa me qira zezakëve. Tramp është mbrojtur duke thënë se në të njëjtën kohë janë paditur edhe plot biznismenë tjerë dhe se ai ka fituar gjyqin.

Ndërkaq si kundërsulm ai ka rikujtuar se Klinton në vitet e 90-ta ka karakterizuar një kategori zezakësh të rinj si “superpredatorë”, për çka më vonë ka kërkuar ndjesë. Ai akuzoi demokratët në në përgjithësi se shfrytëzojnë zezakët vetëm për vota, e pastaj i harrojnë katër vitet e ardhshme.

Çështja e vendlindjes së Barak Obamës – Në periudhën 2008-2012 Tramp ka financuar një fushatë që ka vënë në dyshim nëse Barak Obama kishte lindur në SHBA dhe nëse ka patur ligjërisht të drejtë për t’u bërë president. Tramp para disa ditësh përfundimisht pranoi se beson se Obama ka lindur në SHBA. Në debat ai tha se gjithë konspiracionin e kishte nisur Sidni Blumental, bashkëpuntor i ngushtë i Klintonit, gjatë zgjedhjeve brendapartiake demokrate në 2008. Ai tha se përfundimisht ishte bindur kur Obama kishte publikuar çertifikatën e tij të lindjes, madje tha se me këtë e kishte lehtësuar vetë Obamën duke i hequr qafe një dyshim.

Klinton ka hedhur poshtë gjithë argumentet e Trampit duke i cilësuar si qesharake, posaçërisht pjesën ku Tramp pretendon se me këtë i kishte ndihmuar Obamës.

 

Tema 3 – Siguria.

Në pjesën e tretë të debatit kandidatët kanë folur për çështjet e sigurisë, duke nisur me sigurinë kibernetike. Klinton menjëherë shfrytëzoi rastin për të akuzuar Rusinë si shtet që sponsorizon kiber-sulmet dhe hakimin, pa harruar të përmendë simpatitë që ka Trampi për Putinin. Sipas saj fakti që Tramp ftoi Putinin të hakojë e-mailat e saj automatikisht e diskualifikon atë për postin e presidentit.

Tramp u përgjigj se fajtor kryesor për mbrojtjen e dobët të SHBA-së ndaj këtyre sulmeve është administrata e Obamës. Sa i përket çështjes së hakimit të e-mailave ai tha se më me rëndësi është përmbajtja e tyre, që tregon si komiteti demokrat ka punuar kundër Berni Sandersit gjatë zgjedhjeve.

Më tej debati është bartur te situata në Lindjen e Mesme. Tramp ka akuzuar Klintonin për mbështetjen për luftën në Irak si senatore, pastaj për luftërat në Libi e Siri si sekretare shteti. Sipas tij Klinton nuk ka kapacitet të luftojë ISIS-in, sepse nuk ka arritur t’a mposhtë gjithë këto vite me rradhë.

Klinton megjithatë ka treguar njohjen e thellë të saj të situatës, në kontrast të theksuar me Trampin. Madje përveç mosnjohjes së situatës dhe mungesës së planit për të luftuar ISIS-in ajo ceku se qëndrimet e Trampit karshi muslimanëve dhe aleatëve tjerë janë të dëmshme.

Në këtë pikë është ngritur edhe çështja e funksionimit të NATO-s. Klinton ka ricekur rëndësinë që ka aleanca dhe kontributin e aleatëve në luftën kundër terrorizmit dhe ka fajësuar Trampin që i vë këto në dyshim. Tramp është përgjigjur se vetëm kërkon që aleatët të paguajnë më tepër dhe se SHBA të vetme nuk mund të jenë polic botëror.

A ka qenë Trampi kundër luftës në Irak apo jo? Argumenti më i fuqishëm i Trampit në çështjen e sigurisë është se ai që në fillim ka qenë kundër luftës në Irak përderisa Klinton ka votuar për. Sipas tij kjo dëshmon se ai gjykon situatat më mirë se Klintoni.

Por Klinton ka vënë pretendimin e tij në dyshim duke thënë se edhe Tramp fillimisht ka qenë pro-luftës. Tramp është mbrojtur duke hyrë në detaje për të dëshmuar verzionin e vet. Kështu ai ka ngrënë karremin e hedhur nga Klinton, sepse ka zhvendosur vëmendjen nga fakti se Klinton kishte votuar pro.

 

Fundi

Në minutat e fundit ndodhën edhe dy momente interesante. Trampi vuri në dyshim nëse Klinton ka forcë e qëndrueshmëri për të qenë kryetare, natyrisht duke aluduar te gjendja e saj shëndetësore. Klinton është përgjigjur shkëlqyeshëm duke thënë se Trampi mund të flasë për qëndrueshmëri kur të vizitojë qindra shtete e të përgjigjet 11 orë rresht para Kongresit, siç ka bërë ajo.

Prej këtu ajo hodhi topin te çështjet gjinore duke akuzuar Trampin si seksist. Tramp përsëri gëlltiti karremin kur hyri në detaje se si dhe kur, me ose pa të drejtë, paska ofenduar femrat.

Kush fitoi.

Nisur nga reagimi i bastoreve debatin e ka fituar Klintoni. Para debatit gjasat ishin 63%-37% në favor të saj, ndërsa pas debatit arritën në 69%-31%. Sipas një ankete të CNN të publikuar menjëherë pas debatit, Klinton ka fituar 62%-27%.

Klintoni arriti t’a përqeshë dhe sulmojë Tramin pa humbur dinjitetin, seriozitetin dhe qëndrimin e saj presidencial, gjë që nuk i shkoi përdore asnjërit nga kundërkandidatët republikanë të Trampit.

Tramp përsëri arriti të evitojë turpin edhe kur foli për tema që nuk i njeh fare. Ai pati paraqitje shumë më të mirë në pjesën e parë të debatit kur u ndal te temat e tij të preferuara si tregtia e lirë. Në pjesën e dytë të debatit ai ka rënë lehtë në provokime dhe ka devijuar nga anët e tij të forta duke u marrë me çështje anësore si kush kujt e çka i tha.

Në përgjithësi debati duhet të konsiderohet si fitore e Klintonit, por jo i tillë që të nokautojë përfundimisht Trampin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button