fbpx

SOCIOLOGJI KATAKLIZMASH: TËRMETI SI SHKAS

“Tërmeti na tregon sesa të vegjël jemi para universit dhe sa pak dimë t’i parashikojmë proceset.”

(Artan Fuga)

Termi kataklizëm apo katastrofë nënkupton fatkeqësi të madhe a kthesë e papritur që sjell përmbysje e shkatërrime në masë, që shkakton pasoja të rënda a shumë viktima; shkatërrim të madh e tërësor. Kataklizmat mund të jenë natyrore (uraganet, vullkanet, vërshimet, tërmetet, tornadot, cunamit), sociale (të shkaktura nga trazirat shoqërore, demonstratat, konfliktet, luftërat, revolucionet) dhe teknike (të shkaktuara nga aksidentet teknologjike, katastrofat industriale). Disa të tjerë flasin për kataklizma natyrore, teknologjike (të prodhuara nga njeriu si Çernobili) dhe aktet terroriste.

Para dy javësh Shkupin e trazoi një tërmet, një dukuri natyrore e veçantë që shpjegohet nga këndvështrime të ndryshme, nga ai fetar, seizmologjik, gjeologjik, psikologjik, sociologjik etj. dhe që shkakton probleme të natyrave të ndryshme nga ato sociale, ekonomike, deri te ato shpirtërore, gjendje kaotike, të hutisë, sjellje të pakoordinuara (nervozë, stres), veprime të jashtëzakonshme, si fjetja nëpër parqe, nëpër makina… Hapësira para ambasadës amerikane për disa ditë ishte shndërruar në një mini lagje të hapur.

Në kuadër të sociologjisë ekziston një sferë e mbiquajtur sociologjia e kataklizmave (sociology of disaster), e cila është jashtëzakonisht deficitare madje edhe në korniza globale. Vetëm SHBA-të, Gjermania dhe Italia mund të krenohen me shkrime apo punime serioze nga prizmi sociologjik rreth çështjes së kataklizmave. Kjo branshë ndërlidhet edhe me sociologjinë mjedisore dhe antropologjinë socio-kulturore Një ndër nus-produktet e tërmetit është edhe religjioziteti më i kondensuar, më i dukshëm. Pra, njerëzit në çaste të tilla bëhen më fetarë, madje edhe agnostikët dhe ateistët. Siç tregon një mik, ditën e lëkundjes së 11 shtatorit, në ashensorin e 10-katëshit ku punonte, të gjithë, me vetëdije ose pa të komunikonin me Zotin, gazetar e pronar, pastrues e shef; i ngjashëm ishte edhe një shënim i një tregtari në pazarin e Taftalixhes, ndonëse aktorët kishin qenë në horizontale, jo si në rastin e godinës së lartë. S’është thënë kot se në aeroplan nuk ka ateizëm, të gjithë pasagjerët janë besimtarë derisa janë në ajër, dhe më pas kthehen në gjendjen e tyre besimore dhe filozofike të përditshme, gjë që vërtetëton tezën se çdo njeri ka në vete fetarinë e cila herë është aktive e herë pasive, herë shprehet e herë fshehet.

Religjioni dhe misticizmi edhe në tërmet gjejnë një urtësi, bëjnë një interpretim që shkon nga sprova, ndëshkimi për mëkatet njerëzore, deri te zbërthimet metafizike që në epiqendër e vendosin vullnetin hyjnor apo Zotin. Por sociologjia si ndërlidhet me tërmetin? Kjo është një pyetje që na u parashtrua paspjesëmarrjes më 13 shtator në emsionin Clik Plus të Kanal 21. Ndërlidhet përmes asaj se rrjedhimet apo reperkusionet e tij, mes tjerash janë edhe sociale apo shoqërore. Në raste të tërmetit të gjithë jemi të përfshirë nga paradigma e vulnerabilitetit social, të gjithë jemi pjesëtarë të një kulture të çastit, të asaj barazimtare (egalitariste); të gjitha shtresat sociale humben, të gjithë njerëzit bëhen një, të barabartë, humbin statusin apo prestigjin qoftë edhe për disa momente a ditë. Frika nga vdekja dhe tmerri i afron njerëzit, i bën banorë të rrugës, i detyron që t’i harrojnë pallatet, gjerësinë e banesave, abazhurët, enën e praruara e të ngjashme, pra tërmeti gjeneron solidaritet social. Perceptimi i rrezikut dhe nevoja për të menaxhuar me të janë brengë e të gjithëve gjatë kataklizmave. Kiameti i vogël, na bën të vetëharrohemi dhe t’i harrojmë të tjerët, gjë që na ka ndodhur edhe neve. Më 1999, pas tërmetit katastrofik të Turqisë që ndodhi verës, në vjeshtë u kthyem në Stamboll të vazhdonim me studimet e doktoratës. Dhe një natë, ndodhi një dridhje e madhe. Pa një pa dy, dolëm në rrugë. Dy fëmijë dhe bashkëshorten m’i kujtuan fqinjët, kur na panë të vetëm në sokak në pixhama. Uhaaa! – thashë me vete në atë çast. Ç’po ndodh, ç’qenka kjo ndjenjë egozimi? Tërmeti i detyron njerëzit të mendojnë edhe për vatra më të forta, për kushte më të avancuara urbane, i shtyn që të blejnë shtëpi më të sigurta, në lagje më stabile, ua ndryshon kulturën, shkakton mobilitet social horizontal, lëvizje prej një vendi në një vend tjetërShumë njerëz përfunduan në Mavrovë, Kosovë a në qytete të tjera jashtë Shkupit si pasojë 11 shtatorit natyror. Tërmeti gjeneron komunikim më të ngjeshur mes njerëzve, madje edhe mes atyre që kanë qenë të hidhëruar mes vete.

Saint Simoni pat thënë se shkenca do të arrijë sundimin absolut mbi natyrën. Deri më sot s’ka arritur. Tërmetet as mund të parashikohen e as mund të ndalohen. Vetëm rrjedhimet e tij mund të menaxhohen në mënyrën sa më të mirë për të pasur sa më pak pasoja. Teknologjia bën ndërtesa më të forta, por jo edhe 100% garantuese të mbijetesës. Dija për veten, natyrën dhe misteret na bën të thellohemi në mendime dhe të kërkojmë të vërtetën, të vetëakomodohemi edhe në momentumet e rehatisë edhe në ato të krizave si tërmetet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close