Itali, përmirësohen pritshmëritë ekonomike

Banka e Italisë ka deklaruar se janë përmirësuar pritshmëritë e ekonomisë italiane dhe është vënë re pika e shumëpritur e kthesës, por kushtet e tregut të punës mbeten ende të vështira.

Sipas këtij institucioni, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit parashikohet të rritet me 0.7% gjatë këtij viti dhe 1.5% gjatë vitit 2015, pas rënies prej 1.8% në vitin e kaluar. Shenja e parë pozitive pritet të vijë nga të dhënat e 3-mujorit të katërt të vitit 2013, pas ndërprerjes së tkurrjes ekonomike të 3-mujorit të tretë të po atij viti.

Këto parashikime janë bërë në Buletinin Ekonomik dhe janë më të ulëta se ato të bëra nga qeveria, që ka deklaruar për një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 1% në vitin 2014 dhe 1.7% në vitin 2015. Kushtet e punës mbeten të vështira, pavarësisht sinjaleve të para të stabilizimit të punësimit dhe rritjes së orëve të punës.

Banka e Italisë ka parashikuar një rikthim të zgjerimit të tregut të punës, jo përpara vitit 2015, ku pritet që norma e papunësisë të prekë nivelin 12.9%. Raporti ka nënvizuar se, gjatë dy viteve të ardhshme, rimëkëmbja ekonomike e Eurozonës do të jetë e ngadaltë dhe duhet të përballet me rreziqe.

Ky parashikim është i njëjtë me atë që ka bërë kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi gjatë ditëve të fundit. Ai i ka ftuar të gjithë për të qendruar “me këmbë në tokë”, pasi është shumë shpejt për të deklaruar fitoren kundër krizës.  

Lajme të ngjashme

Back to top button