Meta: Duhet dialog dhe bashkëpunim për të garantuar cilësinë e reformave

Është organizuar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ceremonia e hapjes së raundit të parë të Shkollës Verore Evropiane, e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian të Shqipërisë, në partneritet me Rrjetin e Informimit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe organizata të tjera ndërkombëtare që merren kryesisht me çështjet e integrimit në BE, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckestein, koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Brian Williams, ekspertë, etj.

Meta gjatë fjalës së tij përshëndetëse u shpreh se Shkolla Verore Evropiane i shërben cilësisë së procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Kuvendi do të jetë gjithmonë në mbështetje të projekteve të tilla. Në këtë drejtim duhet të forcojmë dhe përgatisim mekanizmat e nevojshëm për të garantuar një monitorim sa më të mirë të kuadrit ligjor dhe mbikëqyrje të plotë të politikave për çështjet e integrimit. Miratimi me konsensus i paketës kushtetuese të reformës në drejtësi në muajin korrik është dëshmia më e qartë që përfaqëson bashkëpunim politik dhe arritja e konsensusit për të garantuar legjitimitetin të proceseve të reformave. Kryefjala jonë si politikanë duhet të mbetet bashkëpunimi konstruktiv dhe dialogu për të garantuar cilësinë e duhur të reformave”, u shpreh Meta.

Ndërsa Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një proces që duhet të përfshijë të gjithë aktorët politikë në vend.

“Duhet dialog politik për një Shqipëri evropiane. Shqipëria ka ende shumë punë të madhe për të bëra, ku sfidat janë disa. Politika duhet ti shërbejë komunitetit dhe vendit”, ka theksuar ambasadorja Romana Vlahutin.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë kjo shkollë e cila përfundon më 30 shtator të këtij viti synon të lehtësojë identifikimin e aktorëve të mundshëm të ekipit negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe të krijojë një grup ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e vendimmarrjes dhe anëtarësimit në BE, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional në nivel kombëtar, si dhe krijimin e rrjeteve efektive të bashkëpunimit. ​

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button