Mustafa takon Sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës së tij në New York sot ka takuar Sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në takim, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri Mustafa e njoftoi Sekretarin e përgjithshëm Ban Ki-moon për progresin e arritur në Kosovë.

Duke falënderuar atë për përkrahjen dhe duke kërkuar mbështetje të mëtejme për Kosovën, Mustafa njoftoi Ban Ki-moon për përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, Mustafa sot u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, ku shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe të Republikës së Shqipërisë dhe të presidentit Nishani në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Kurse në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khalid Al-Hamad Al-Sabah, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje të mëtejme për njohjet e reja të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë, Mustafa sot mori pjesë edhe në takimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare i zhvilluar në New York, ku morën pjesë përfaqësues të bizneseve shqiptare nga mbarë bota, si dhe kongresistë amerikanë e personalitete tjera të larta.

“Pasi vlerësoi lartë përkrahjen e tyre për Kosovën, kryeministri Mustafa i njoftoi edhe për mundësitë e mëdha që ofron tani Kosova për investime, për ambientin shumë të favorshëm për biznes si dhe përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim dhe përkrahje të gjithanshme të bizneseve të diasporës për të realizuar investimet e tyre në shumë fusha të ekonomisë në Kosovë”, thuhet në njoftim nga zyra e Kryeministrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button