Gostivari dhe Dragashi me projekt të përbashkët për të shfrytëzuar mjete nga BE-ja

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në një takim kryetarin e komunës së Dragashit të Republikës së Kosovës, Salim Jenuzi. Qëllimi i takimit ishte nënshkrimi i aplikacionit për të konkurruar te dyja komunat me projekt të përbashkët për të shfrytëzuar mjete financiare nga IPA 2 e Programit për bashkëpunim ndërkufitar midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës që financohet me mjete të Bashkimit Evropian.  

Projekti kap vlerën prej 500.000 mijë euro, dhe në qoftë se projekti aprovohet të dyja komunat do të përfitojnë nga rreth 250.000 mijë euro. Komuna e Gostivarit prej tyre do të investoj përafërsisht 170.000 mijë euro në rregullimin e shtegut për këmbësor deri te burimi i lumit Vardar dhe 80.000 mijë euro për ndërtimin e qendrave informative, përgatitjen e materialit propagandues dhe investimeve tjera.          

“Në interes të qytetarëve të Komunës së Gostivarit dhe Dragashit, projekti me të cilin aplikojmë për shfrytëzimin e IPA fondeve për bashkëpunim ndërkufitar ka për qëllim të nxis zhvillimin ekonomik dhe rural të komunave tona, tha kryetari i komunës së Gostivarit”, Nevzat Bejta.

“Komuna e Gostivarit planifikon që ta ndërtoje shtegun për këmbësor përreth Lumit Vardar, që do filloje nga Parku i qytetit dhe do përfundoje te burimi i Lumit Vardar në fshatin Vërtok. Ky shteg do jetë në një distancë afër 10 kilometra, me ndriçim publik, tabela informuese, qendra për informim dhe të gjitha elementet për ta shndërruar në një vend turistike për të gjithë qytetarët, turistët e rajonit dhe turistët që do vijnë nga vendet e huaja”, theksoi kryetari Bejta. 

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Dragashit, Salim Jenuzi tha se natyra e projekteve është e njëjtë dhe besoj se projekti do të fitohet.  

“Aplikacionin që sot nënshkruam shpresoj se do jetë i pëlqyeshëm për ata të cilët kanë me e vlerësuar projektin tonë dhe shpresojmë që ky aplikacion do aprovohet. Projektet janë të ngjashme në të dyja anët e kufirit edhe në komunën e Gostivarit edhe në komunën e Dragashit. Edhe koha e zgjatjes së projektit edhe natyra e projektit është e njëjtë, përveç se ka pak ndryshim ku në komunën e Gostivarit do ketë ndriçim, ndërsa në komunën tonë jo, për shkak se në komunën tonë shtigjet janë më të gjata”, tha kryetari i Dragashit, Jenuzi.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button