Thatësia ndërmjet shkencës dhe fesë

Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi

Sido që të jetë mendoj se të gjithë pajtohemi për rëndësinë e ujit, por nuk pajtohemi të gjithë se si dhe sa duhet ta ruajmë e ta çmojmë këtë ujë.

Ndonëse na paralajmëruan për një dimër të rrezikshëm, pothuajse më të ftohtin në njëqind-vjetshin e fundit, megjithatë, ndodhi e kundërta. Eh sa e sa herë po ndodhë e kundërta e asaj çka po pretendojnë meteorologët? Zaten ata nuk e dinë të ardhmen, sepse ajo është e fshehtë. Atë e di vetëm Ai që të ardhmen e ka nën kontroll, pra Zoti i plotfuqishëm dhe askush tjetër. Ai e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, Ai është absolut dhe sikur që edhe dija e Tij është absolute. Pastaj koha është krijesë e Tij, Ai e ka në dorë kohën, mu ashtu siç e ka në dorë klimën, shiun, borën dhe çdo gjë tjetër, por ja që shumica e njerëzve nuk e dinë. Nga ky këndvështrim, meteorologët gabuan edhe kësaj radhe në parashikimin e motit.

Evropa, jo si zakonisht, po përjeton temperatura pranverore. Në të vërtetë, globi është pushtuar nga gjendje të ndryshme klimatike. Në Amerikë po mbretëron acar i madh, bile bora këtë vit ka ‘vizituar’ edhe shumë shtete arabe si Egjiptin, Jordaninë, Palestinën, Sirinë etj. Në anën tjetër në Atlantik stuhi të fuqishme dhe acar kurse në Evropë temperatura të larta që nuk përkojnë me stinën në të cilën jemi.

Edhe Kosova, e cila gjeografikisht bën pjesë në këtë të fundit, po përjeton një pranverë, ani pse me dhëmbë. Kosova ishte lajm në më shumë se 100 medie botërore për thatësinë që po mbretëron dhe për shterjen gjithnjë e më shumë të liqeneve dhe lumenjve të saj. Kjo, përveç tjerash, bëri që thatësia në Kosovë të diskutohet edhe fetarisht, për shkak se shumica e qytetarëve të saj janë besimtarë dhe atë të besimit islam.

Para pak ditësh kalova pranë njërit nga liqenet më të njohura të Kosovës dhe u ndala për ta shikuar për së afërmi. U tmerrova kur pash sesa është pakësuar uji. Thash me vete: o Zoti im Ti je Ai që lëshon shiun, në dorën tënde është jeta jonë, a thua pse u shter apo është gati të shteret ky liqe? A mos për shkak të gjynaheve tona apo mos donë të na sprovosh me mungesë të ujit e thatësi?! La ilahe ilallah, i mërzitur e i shqetësuar u thash shokëve: kamë frikë se do vije koha kur në këtë liqe do kullosin bagëtitë. Po të nderuar, uji bazë e çdo gjëje, e çdo sendi, e çdo gjallese, për atë ka thënë Allahu: “Dhe ujin e bëmë bazë të jetës për çdo send”. (Enbija:30). Me çka i Madhi Zot jo vetëm që tregon rëndësinë e ujit në krijimin e të gjitha gjallesave, porse edhe sinjalizon peshën e madhe që ka ky faktor për mbarë krijesat, gjë kjo e cila duhet ta bëjë njeriun shumë të kujdesshëm ndaj konsumimit të ujit. Zoti jo vetëm që bëri ujin bazë dhe faktor kryesor për jetën e njeriut, ashtu që njeriu pa ujë mundë të jetojë vetëm pak ditë, por atë e bëri edhe bazë të kryerjes së shumë adhurimeve dhe riteve fetare, si marrjen e abdesit, pastaj pastrimin e trupit, pastrimin e rrobave, ambientit, e kështu me radhë. Nëse kemi këtë parasysh, atëherë rëndom kuptohet se sa i kushton Islami rëndësi ujit, respektivisht ruajtjes së tij. Ai aq shumë çmon ujin sa që ndalon individin nga përdorimi i tepërt dhe harxhimi i tij pa nevojë, madje qoftë edhe në breg të lumit apo detit. Islami gjithashtu ndalon rreptësisht që të ndytët uji. Ai konsideron të gjithë njerëzit hisedar dhe ortak në ujë, andaj edhe ndalon në mënyrë të prerë që dikujt t’i mohohet e drejta e përdorimit të ujit, ndërsa të tjerët kanë mjaft.

Sido që të jetë mendoj se të gjithë pajtohemi për rëndësinë e ujit, por nuk pajtohemi të gjithë se si dhe sa duhet ta ruajmë e ta çmojmë këtë ujë. Ta falënderojmë Zotin që e zbret ujin nga lartë. Gjithashtu pajtojmë të gjithë se ne si popull jemi një krizë për këtë element jete, madje kriza ka gjasë të jetë edhe alarmante në muajt në vijim. E di që shkenca i ka format e saja të shpjegimit të kësaj thatësie, duke filluar nga ngrohja globale, pastaj uzinat, tymtarët, industria e deri të qarkullimi i makinave të shumta etj, etj. por edhe feja na jap shpjegimin për këtë fenomen, madje na jap më qartë sesa çdo kush tjetër. Neve Kurani na mëson se shiu e bora është në dorë të Zotit dhe se nëse njerëzit largohen nga rruga e Zotit ka mundësi të na sprovoj Zoti me lloj-lloj sprovash nga më të ndryshmet. Sa për ilustrim, Muhamedi (alejhiselam) ka thënë: “..Dhe nuk ndodh që njerëzit ta ndalin zekatin e pasurisë së tyre (të mos u japin njerëzve (të varfër) nga të mirat e tyre) veç se Zoti do t’ua ndalë shiun dhe po mos të ishin bagëtitë atyre nuk do tu binte shi fare”. Unë që moti jam duke u frikësuar se qysh jemi bërë lajk Zoti ka me na sprovuar me diç të rëndë. Bile nganjëherë them: aq shumë jemi prishur ne saqë edhe po të bie gurë nga qielli, do të meritonim. Por, elhamdulilah, mëshira e Zotit është e madhe. Po të nderuar, të hamë e të pimë nga të mirat e Zotit, të ecim mbi tokën e Tij e të ndriçohemi nga dielli i Zotit, e të tallemi me Të dhe me fjalën e Tij dhe prapë të presim ditë të mira, kjo nuk mund të ndodhë! Këtë nuk e bënë asnjë shoqëri, asnjë popull, pavarësisht se çfarë besimi ka. Në tërë botën Krijuesi respektohet e përmendet më shumë sesa tek ne. Apo thuaj ndash ndryshe: nuk dimë vend në Botë që luftohet Zoti më shumë sesa tek ne dhe atë nga liderët, nga paria. E paria janë e bardha apo e zeza e popullit, siç bëjnë ata ashtu bën edhe populli, zaten ata janë të ‘përzgjedhurit’ e popullit. Kjo për të cilën po flasim sot është vërtetë aq shqetësuese saqë po ta dinim saktë se çfarë na pret do të fillonim të qanim që tani. Andaj këshilla e ime për popullin tim është që të ktheheni në fenë e Zotit tuaj, që t’i lëni dukuritë negative dhe t’i luftoni ato. Që mos ta luftoni fenë, së paku lëreni muslimanët rehat, me hallet e veta, nëse vet nuk doni të pendoheni. Allahu na mëshiroftë, e shi e borë na lëshoftë, amin. Dhe deri javën e ardhme me një temë tjetër selam alejkum.

Lajme të ngjashme

Back to top button