Opozita: Mashtrimi mbulohet me mos-regjistrimin e popullatës

Opozita shqiptare vlerëson se përderisa nuk bëhet regjistrimi i popullsisë, listat zgjedhore do të manipulohen dhe do të keqpërdoren. Regjistrimi i popullsisë që duhej të ishte bërë para dy viteve, por nuk janë ndarë mjete për të dhe nuk do të zhvillohet as edhe këtë vit.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu, vlerëson që mosregjistrimi i popullatës vjen si pasojë e paaftësisë së BDI-së.

“Procesi i regjistrimit të popullatës është mjaft i rëndësishëm për funksionimin e një shteti. Në momentin që Qeveria vendosi të mos ndajë mjete për realizimin e tij edhe për këtë vit, tregon paaftësinë e partisë shqiptare në pushtet”, tha Fazliu për Portalb.

Ai shtoi se tani në zgjedhje mund të bëhen manipulime dhe keqpërdorime të shumta me listat zgjedhore, andaj partia e tij bojkoton grupet punuese që kanë të bëjnë me listat zgjedhore.

“Pa u bërë regjistrimi i popullsisë, mund të bëhen manipulime dhe keqpërdorime të shumta me listat zgjedhore dhe prandaj ne si PDSH bojkotojmë grupin punues për listat zgjedhore”, shtoi Fazliu.

Gjithashtu edhe nga RDK vlerësojnë se procesi i regjistrimit të popullatës është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për pastrimin e listave zgjedhore, por edhe për funksionimin e një shteti demokratik.

“Mashtrimi që po bëhet në listat zgjedhore është evident pasi nuk ka gjasa që një shtet me dy milion banorë të ketë 1.8 milion votues fiktiv. Mirëpo mos regjistrimi i popullsisë dikon edhe në ekonominë e një shteti dhe si proces ka vlerë shumë të rëndësishme për zhvillimin e një shteti. Por te ne si duket gjithë kanë humbur mendjen pas tenderëve të vegjël dhe pasurimit vetjak  andaj ky proces nuk është edhe aq i rëndësishëm më për Qeverinë e Maqedonisë”, tha Artan Dika nga RDK.

Maqedonia dhe Somalia mbeten dy vendet e vetme në botë që nuk kanë bërë regjistrimin e popullsisë. Regjistrimi i rregullt në Maqedoni duhej të bëhej në vitin 2011, por për shkak të ngjarjeve  të asaj kohe nuk u realizua, kurse ky proces në tetor pësoi fiasko të plotë disa ditë para mbarimit, arsyetimi zyrtar ishte se kishte dallime në shpjegimin e metodologjisë së regjistrimit.

Por jozyrtarisht flitet se ai u ndërpre pasi që pushteti kishte frikë se numri i maqedonasve do të del më i ulët se ai i vitit 2002 ndërsa paralelisht me këtë ai i shqiptarëve më i lartë se 25 % ./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button