Francë, shtohen debatet se “Islami është një nga problemet kryesore në vend”

Me shpalljen e kandidaturës të Marine Le Pen e cila është edhe lidere e partisë radikale të djathtë “Frontit Kombëtar” (FN) tabloja e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale në Francë të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm sa vjen dhe po bëhet më e qartë. Ndërsa muslimanët që jetojnë në këtë vend pa dyshim janë nga pikat e para të fushatës zgjedhore, raporton Anadolu Agency (AA).

Islami është feja e dytë në Francë me një popullsi prej 5 milionë banorësh. Rrobat e plazhit me mbulesë, shamia, financimi i xhamive dhe integrimi i muslimanëve në Republikën e Francës, janë disa nga temat që pritet të zënë ballinën e fushatës zgjedhore për të gjitha partitë.

Kandidati i mundshëm i djathtë si Nicola Sarkozy dhe kundërshtari i tij François Hollande janë dy liderët që flasin më shumë për problemet me muslimanët. Madje në fjalimet e tyre ata vënë në pah se “Islami është një nga problemet kryesore në vend”.

Një nga liderët e partisë që ndodhet në opozitë në një takim elektoral të titulluar “Universiteti Veror” tha se “Kur flasim për luftën kundër ‘xhematizmit’ (komunitarianizm) nuk mund të lëmë pa përmendur problemet që përjetojmë me Islamin pasi katolikët, protestanët, hebrenjtë dhe budistët nuk përbëjnë rrezik për unitetin e vendit.”

Ndërsa Sarkozy ka bërë një fillim në këtë fushatë elektorale duke prezantuar librin e tij me temë “Çdo gjë për Francën”. Ai është ndër liderët që flet më ashpër ndaj Islamit. Në pjesën që trajton Islamin, ish-Presidenti i Francës thotë: “Duhet të pranojmë një të vërtetë pa u futur në polemikë. Republika e Francës sot nuk ka probleme me të gjitha fetë. Vetëm njëra prej tyre nuk ka treguar përpjekjen e kërkuar për tu integruar në shoqëri.”

Nga ana tjetër radikalja e djathtë Marine Le Pen nuk ka marrë si shenjestër direkt Islamin, por ka përdorur termin “Ekstremistët Islamikë” duke thënë se ajo lufton kundër tyre. Në fjalimet e saj ajo tregon se Islami mund të jetë i integruar me Francën. Në një fjalim të mbajtur në TF1 një javë më parë Le Pen u shpreh: “Unë nuk i kam hapur luftë vetëm një feje. Unë mendoj se veçanërisht një Islam me intelektualë të sekularizuar mund të integrohet në shoqërinë e Francës.”

Ndërsa Presidenti i vendit, François Hollande, përkundër kandidatëve të djathtë del në pah me deklaratat e tij më përqafuese ndaj muslimanëve. Edhe pse ende nuk ka shpallur kandidaturën e tij, gjatë një fjalimi në një aktivitet në një institut preku gjerësisht çështjen e Islamit në Francë. ”Njerëzit mund të pyesin se nëse Islami do të mund të integrohet në një shoqëri ku themelet e laicizmit janë hedhur 100 vite më parë. Për mendimin tim ky integrim është i dukshëm. Pjesa dërrmuese e muslimanëve në vendin tonë këtë na e tregojnë çdo ditë. Laicizmi në Francë nuk besoj së është pengesë për jetesën e Islamit në vend.”

– “Muslimanët janë kthyer në një lëndë për vota”

Drejtori i Qendrës Kërkimore për Muslimanët dhe Botën Arabe (IREMAM), François Burgat tha për gazetarin e AA se “Muslimanët në Francë si kurrë ndonjëherë janë kthyer në një lëndë për votë.”

Politika ndaj muslimanëve në Francë bëhet sipas zgjedhjeve thotë Burgat dhe më pas shton: “Të gjitha deklaratat në lidhje me Islamin dhe muslimanët në politikën e brendshme dhe të jashtme të Francës, mund të vlerësohen vetëm në kontekstin e fushatës zgjedhore.”

Burgat thotë se në vend që të sillen sisteme për zgjidhjen e problemeve si ulja e prodhimit industrial dhe papunësisë në vend, të gjithë janë duke bërë politikë duke u bazuar në sigurinë dhe unitetin e vendit, gjë e cila është bërë shumë populiste kohët e fundit.

“Politikanët në vend që të flasin për përgjegjësitë e tyre, të gjithë diskutimin e kanë kthyer drejt vendit të muslimanëve në Francë, dhe ndaj Islamit. Vitet e fundit e gjithë e djathta është bashkuar në një politikë të thjeshtuar dhe politikë kundër të huajve”, shprehet ai.

– “Hollande e ka të vështirë të marrë votat e muslimanëve”

Burgat thotë se nuk është e sigurtë nëse muslimanët mund t’iu drejtohen partive të majta për shkak të politikës së ndjekur të partive të djathta ndaj tyre. “Hollande do të kërkojë të marrë përsëri votat e muslimanëve duk ndjekur një politikë afruese ashtu si në zgjedhjet e 2012-ës. Por do të jetë shumë e vështirë të dalë në ndonjë përfundim me këtë pasi zgjedhësit muslimanë nuk i besojnë tashmë atij. Është dobësuar për shkak të politikës së tij të ndjekur deri më tani”, është shprehur Burgat.

Gjatë fjalës së tij Burgat nënvizon se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është bërë shkas që muslimanët të jenë në shenjestër. Përpjekjet për të krijuar një Islam i tipit francez dhe mos marrja e mendimit të tyre në lidhje me këtë është një tjetër shkak për krijimin e hapësirave mes muslimanëve dhe Hollande thotë ai.

Burgat thekson se krijimi i Fondacionit Islam është pika e fundit e durimit. Duke theksuar se për muslimanët mendimi i krijimit të një fondacioni për ta është një mendim i mirë në thelb, por sjellja në krye të tij i një personi që nuk është musliman, si ish-ministri i Punëve të Brendshme Jean-Pierre Chevenement e ka përfunduar pa nisur funksionalitetin e këtij institucioni.

Burgat komenton se emërimi në krye të këtij fondacioni i një personi që nuk është musliman tregon që shteti nuk ka një person të besimit musliman që të mund ti besojë. ”Të vendosësh në krye të këtij institucioni që e njeh botën Islame me Saddam Husseinin dhe politikën e tij do të thotë që puna e tij është marrja nën kontroll të tyre”, thotë ai

Në lidhje me qëndrimin e muslimanëve në Francë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 ende nuk është bërë ndonjë studim. Që prej vitesh muslimanët në këtë vend votojnë partitë e majta kryesisht. Thuhet se në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, 86 deri në 93 për qind e muslimanëve në Francë votuan për François Hollande.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button