Kë, nga ata në shqip, do i shkel ky Sitel?!

Një aferë mediatiko-politike tronditi opinionin në Maqedoni. Bëhet fjalë për zbulimin se një tender për furnizime publike në vlerë prej një milion euro nga Ministria e Shëndetësisë e ka marrë një firmë e regjistruar në adresën zyrtare të një televizioni privat Sitel dhe në pronësi të një gazetares të atyshme. 

Por, ky zbulim i tenderit një milionësh, marrë nga firmë me adresë në medium privat, bëri bujë dhe i shkaktoi dëm jo proporcional dhe shumëmilionësh këtij pushteti. Për dallim të shumë milionave të mëhershme ilegale dhe kriminale që u përfolën, por që nuk u duk se tronditën kaq shumë pushtetin aktual. Ky fakt flet për atë se ky regjim i shtrembër e ka shtyllë mbajtëse edhe skenën e shtrembër mediatike që është instaluar me kohë në vend dhe nga cila skemë ky pushtet i ushqen disa medie që humbin pavarësinë dhe lirinë esenciale për të qenurit media mes opinionit, qytetarëve dhe pushtetit.

Njashtu fakti që me publikimin e një dokumenti nga regjistri qendror që zbardhi pronësinë e një firme që ka marrë tender publik u arrit më shumë në përmirësimin e skenës mediatike në Maqedoni, se sa me fonde, para dhe ndihma tjera flet se kjo skenë e çrregulluar mediatike është instaluar politikisht dhe me masa politike do përmirësohet. Mu si heshtja aktuale e këtij stacioni televiziv që ishte shtyllë dhe shpesh forcë sulmuese e këtij regjimi viteve të fundit.
Buja rreth këtij skandali politiko mediatik vazhdon edhe më tej pasi u zbulua se në të njëjtën adresë janë të regjistruara një duzinë firma, disa prej të cilave veprojnë mu në fushën e marketingut. Me këtë do zbardhen edhe dyshimet se bëhet fjalë për firma që tani më raportohet të kenë marrë edhe tenderë qeveritare, përveç fushatave shumë milionëshe me të cilat mbajnë gjallë një skenë mediatike, politikisht të përdorshme. 

Zhvillimet dhe zbulimet e mëtejshme do mund të na shfaqin tërë skemën e këtij korrupsioni mediatik prej ku do mund të dimë nëse ka pasë edhe shqiptarë që përfitojnë ose kanë përfituar prej të njëjtëve firma dhe të njëjtës skemë politike për marketing. Sidomos pasi dihet se një gazetë ditore në gjuhën shqipe është përkrahur vazhdimisht nga protagonistët kryesor të këtij televizioni dhe kanë patë burime identike marketingu dhe reklama qeveritare. Mbetet të shohim se kë gjithë nga shqipfolësit do i shkel ky “Sitel”, por deri atëherë na duhet të evidentojmë zhurmën e paktë në pjesën e opinionit në shqip në Maqedoni rreth kësaj afere. 

Kjo zhurmë e paktë është e habitshme pasi bëhet fjalë, prapë, për shumë miliona para publike që janë kontribut në pjesë të madhe edhe të qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë. Sidomos pasi bëhet fjalë për një medie që vazhdimisht ka ushqyer albanofobinë në vend dhe njihet për ofendimet e shumta dhe të vazhdueshme që i bën gjithçkaje shqiptare. 
Pasi bëhet fjalë për një temë aktuale dhe që ende vazhdon, sidomos pas paralajmërimeve të opozitës LSDM se kanë ende dokumente në dispozicion, nuk mund të përfundojmë këtë shkrim përpos me paralajmërimin se në vazhdim do kemi mundësinë të ndjekim nëse shqiptarët do merren prej më afër me këtë “provizion në televizion” dhe të ndihmojnë procesin e zbardhjes të një skeme nga ku është ushqyer përbindëshi mediatik që i ka sharrë ata vite me radhë. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button