Sjellja oborrtare e elitave politike shqiptare

Pas një deklarate të kryetarit të LSDM-së, Z. Zaevit për barabarësinë e gjuhës shqipe me maqedonishten në ato mjedise ku jetojnë shqiptarët, nisën të bien me të madhe buritë e zeza të propagandës proserbe dhe antishqiptare në mediat maqedonase të vendit. Sipas shumë gjasave qëllimi ishte të rekrutohen masat për zgjedhje militante të cila janë paraparë të mbahen në dhjetor të këtij viti që njerëzit doemos të votojnë ashtu si diktojnë këta gazetarë.

Në yrishin që kanë marrë këta shkresaxhinj në çdo fjalë u duket urrejtja e paparë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vendet perëndimore, veçmas për SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Na fyejnë neve. I Fyejnë amerikanët, anglezët dhe vendet e BE-së. Mund të thuhet se na kanosen neve dhe u kanosen edhe amerikanëve dhe anglezëve. Sipas fjalëve të tyre të fryra Maqedonia del të jetë qendër e botës, kurse shqiptarët e keqja më e madhe e kësaj bote. Kuptohet e keqja e kësaj bote janë edhe vendet perëndimore. Dhe tema më e preferuar e tyre nuk është zhvillimi i vendit, por fyerjet deri në atë shkallë sa shkelet rëndë edhe ligji. Shkruajnë ata pa u skuqur fare gjithfarë të pavërtetash, gjithfarë insinuatash. Nuk ia vlen që këtu të citohen gjithë ato fjalë të rënda e të fëlliqura. Turp është, por për ata si duket fjala turp është larguar  krejtësisht nga fjalori. E s’lodhen as për etikën gazetareske.

I shkreti popull me vite po helmohet me të pavërtetat e tyre. I ofrojnë gjithfarë “komentesh”dhe ato shpeshherë i ilustrojnë me anketa. Kurse populli, si populli më, nuk mund ta dijë se anketat janë instrumenti më i poshtër në gazetarinë e papastër, sepse deklaratat nëpër anketa zakonisht selektohen dhe publikohen ato që bëhen mbështetje për “komentin”, pra për qëllimin e propagandës. Kështu nga këto “komente” del se shqiptarët janë fajtorë për çdo që s’është bërë e që është dashur të bëhet deri më tash.

I gjithë ky mjerim gazetaresk forcohet para zgjedhjeve dhe zhvillohet në dy kahe. Një kah lëviz kah forcimi i pozitave të atyre forcave politike të cilat mbjellin urrejtje e mëri midis maqedonasve e shqiptarëve, kurse kahu tjetër lëviz drejt tmerrimit dhe frikësimit të njerëzve të vetëdijshëm dhe të esëllt  të cilët e dinë se këtu nuk ka udhë tjetër përveç jetës së përbashkët të dy popujve ku do të respektohen e do të mbrohen barabarësisht kulturat, gjuhët, historia dhe traditat e të dy popujve dhe, natyrisht edhe integrimet euroatlantike, sepse ne jemi të vendosur në një gjeografi të tillë e cila nuk ka oferta të tjera.

Sido që të jetë zgjedhjet do të mbahen në dhjetor. Nuk ka  më anulime. Po nuk ka ndonjë bazë për të besuar se pas zgjedhjeve do të zgjidhen shumë gjera në strukturën e argumentimit ideologjik nëse në skenën politike vazhdojnë të mbeten këto garnitura, ose pjesa dërmuese e krerëve të politikanëve të deritashëm. Po mbetën këta politikanë, përkatësisht shumica e tyre, do të mbetet edhe ky diskurs, kurse ky diskurs është shumë më tepër se një ideologji e thjeshtë: fjala është për matricën riprodhuese e cila e zë po atë vend sistemor i cili në demokraci u takon institucioneve dhe procedurave juridike e politike. Duke u arsyetuar me detyrën e marrë vet përsipër “për realizimin e qëllimeve më të larta”, këto garnitura kurrë nuk do t’i pranojnë rregullat publike e abstrakte procedurale të qeverisjes, por do të mbështeten më me dëshirë në miksturën e dogmave ideologjike dhe të preferencave arbitrare të elitave të tyre. Në mënyrë të theksuar kështu do të ndodhë kur do të bëhet fjalë për shqiptarët dhe problemet që lidhen me barabarësinë dhe daljen e shqiptarëve nga pozita e qytetarëve të rendit të dytë.

Këto vite dimensioni publik i politikës është shkelur, kurse në vend të tij është vendosur kompleks dhe jotransparent i dominimit partiak ose i liderit “me merita”. Ky sistem përbëhet nga qarqet e mujshisë të cilat janë strukur midis intelektualëve oborrtarë, elitave ekonomike, në policinë e fshehtë dhe llojet tjera të policisë, në kriminalitetin e organizuar, në partitë në pushtet, në hierarkinë e klerit, deri në majën e pushtetit. Kështu shteti dhe partia janë bërë sinonime dhe partia kontrollon çdo sferë relevante sociale, ekonomike, kulturore dhe politike, duke manipuluar me interesat e popullit përkatësisht të kombit dhe duke vepruar me mjete populliste. Më këtë mënyrë funksionimi, më mirë të thuhet me këtë mënyrë veprimi të partisë në pushtet, sigurohet homogjenizimi dhe besnikëria e ushtarëve partiakë e pastaj trillohen konstruksione të ndryshme që çojnë mesazhe të cilat përmbajnë kërcënime serioze, madje edhe të dhunshme. Ja pra, fusha e veprimit arbitrar është e hapur për  të realizuar çdo gjë që s’përputhet me rregullat e demokracisë.

Por perioda e paraparë për garë parazgjedhore e ndez dritën e frikës për humbjen e pushtetit . Prandaj vihet në lëvizje makineria mediatike. Fillon propaganda sulmuese e partisë në media që të mbrohet me çdo kusht pushteti, i cili përveç privilegjeve të tjera në kushtet ballkanike sjell edhe pasuri. Dhe gazetarët e oborrit më nuk mërziten as për të vërtetën, as për etikën gazetareske. Medoemos duhet të eliminohet tjetri, ai që mendon ndryshe, ai që është ndryshe nga ti. Këtu gabojnë liderët partiakë më së shumti sepse gazetarët oborrtarë nuk janë pa talent. Ata gjithmonë dinë t’u ngjiten si bisht “pronarëve” të rinj dhe menjëherë i harrojnë të vjetrit e nisin të hedhin gur e dru mbi patronin e deridjeshëm, sepse ideali i tyre është pasuria dhe që kanë bërë përmes formave joligjore, natyrisht edhe duart e lira për mujshi.

Ballkan është këtu, është vendi ku janë konservuar mentaliteti dhe psikologjia osmane ku gjithçka ndryshon aty për aty përveç urrejtjes ndaj shqiptarëve që mbetet e pandryshueshme. Në mungesë idesh, ngrihet mjegull kundër shqiptarëve, si me rastin e deklaratës së Zaevit për të drejtën e shqiptarëve ta shkruajnë një lutje në gjuhën shqipe dhe e gjithë kjo mjegull nxihet me sharje e fyerje kundër shqiptarëve, kundër SHBA-ve, kundër shumë shteteve të BE-së.

Këtu s’ka asgjë për t’u çuditur, përveç sjelljes oborrtare të elitave politike shqiptare, kudo që janë, vënia e tyre vullnetare në pozitë inferiore nda partnerëve maqedonase dhe vënia e tyre në pozita oligarkësh karshi popullit të vet, të cilit ia marrin votën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button