Neziri: Nuk tërhiqemi nga kërkesat për Tetovë me ajër të pastër

Këshilli që organizoi protestat në Tetovë kundër ndotjes së ajrit thotë se po mblidhet të shtunën të diskutojë hapat më radikale pasi që ministri për ambient, Abdylaqim Ademi nuk ka përfillur kërkesat e tyre. Skadoi afati deri kur duhej ministria ti shqyrtonte kërkesat e deklaruara përmes protestave.

“Ne si Këshill kemi kërkuar që deri më 15 janar të përmbushen kërkesat tona, qe janë shumë legjitime dhe humane. Edhe Kushtetuta e vendit u garanton qytetareve te drejtën e jetesës në ambient të pastër dhe thithjen e ajrit poashtu te pastër. Por qeveria vazhdon te shkelë këtë të drejtë kushtetuese me atë që nuk ka lëvizur as me gishtin e vogël në drejtim të përmbushjes së kërkesave. Këshilli këto ditë do të mbajë mbledhje për të vendosur se si të veprojë më tutje. Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi asnjëherë nga këto kërkesa sepse përkrahja e qytetarëve ndaj kësaj iniciative është gjithnjë e më masovike.” thotë për Portalb, Xhelal Neziri, anëtar në Këshillin organizativ që ditë më parë i dërgoi letër ministrit.

Një ndër kërkesat e tyre ishte që të mbyllet përkohësisht fabrika e Jugohromit, që sipas tyre është një ndër ndotësit kryesor të Pollogut.

Në pyetjen e Portalb drejtuar ministrit me 28 dhjetor, ai tha se nëse kjo fabrikë nuk vendos filtra, e njëjta do të mbyllet por në prill të këtij viti.

Ndërkaq ka dy muaj që tetovarët në përjashtim të dy-tre ditëve, thithin ajër të ndotur. Mjegulla që zakonisht përhapet në janar, është e stërmbushur me nivel të lartë të grimcave të dëmshme PM10 që banorët i thithin. Fajtor për këtë situatë është edhe djegia e mbeturinave.

Nga ministria mbeten në qëndrimin e njëjte për rekomandimet e dhëna kohë më parë, të lirohen nga puna gratë shtatzëna, personat më të moshuar se 60 vjet dhe të sëmurit kronik nga astma, si dhe përcaktimin e një orari të caktuar të punës për punëtorët e angazhuar nëpër objekte në ndërtim e sipër.

Komuna ndërmori masa që ishin të vjetra sa i përket regjimit në komunikacion, ndërsa ende nuk ka caktuar seancë urgjente për ndotjen e ajrit.

“Mos të pritet të fryjë era dhe ta pastrojë ajrin” thekson Neziri. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button