Gomone me 1 ton hashash në Brindizi, ishte nisur nga Mifoli

Në ujrat e Brindizit është gjetur e braktisur një gomone me një ton hashash, transmeton Top Channel.

Gomonia 8.5 metra e gjatë, me dy motorë, ku në bordin e saj u gjetën 31 pako të mëdha me lëndë narkotike, ishte në zotërim të 3 personave.

Policia Kufitare dhe Guardia di Finanza ndoqën gomonen nga Mifoli deri në Brindizi, ndërsa policia italiane po punon për kapjen e autorëve.

Sipas policisë, rreth orës 22:00 të datës 18 Shtator, në lumin Vjosë, në afërsi të Urës së Mifolit, nga ana e shërbimeve të policisë është identifikuar një mjet i dyshimtë lundrues. Mjeti është larguar me shpejtësi pasi ka parë lëvizje në afërsi të tij. Menjëherë është njoftuar Policia Kufitare Vlorë. Rreth 2 kilometra nga grykëderdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare, e planifikuar në shërbime në atë vend, i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Thirrjes për të ndaluar, drejtuesi i mjetit nuk i është përgjigjur, por ka shtuar shpejtësinë. Nga ana e shërbimeve të Policisë është hapur zjarr në ajër për ta ndaluar, por përsëri mjeti ka vijuar me shpejtësi të madhe.

Shërbimet e Policisë në momentin që i kanë bërë thirrje të ndalojë kanë identifikuar mjetin lundrues i tipit gomone me tre persona në bord i ngarkuar me disa thasë. Ndërkohë, pas njoftimit të marrë nga organet kompetente të Policisë së Shtetit, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare Vlorë të repartit special Delta në bashkëpunim me forcat e njësisë së Guardia di Finanza në Vlorë është organizuar operacioni për kapjen e mjetit. Megjithë reagimin në një kohë mjaft të shpejtë të forcave policore, mjeti ka arritur të largohet i ndihmuar edhe nga moti i keq.

Në ndjekje të mjetit janë vënë mjeti i Policisë Kufitare Vlorë, mjeti i repartit Special Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza. Megjithëse moti ishte shumë i keq dhe binte shumë shi, është vijuar me ndjekjen e mjetit deri në ujërat ndërkombëtare. Shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, Reparti Delta dhe Guardia di Financa kanë qëndruar në det deri në orën 05.00 të mëngjesit të sotëm, kohë kur janë njoftuar se mjetet e Guardia di Finanza të Barit ishin në ndjekje të gomones. Mjeti është kapur në territorin e Torre Santa Sabina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button