Zgjerohet hendeku mes maqedonasve dhe shqiptarëve për çështjen e emrit

Rritet disponimi kundër çfarëdo zgjidhjeje rreth çështjes së emrit te popullata maqedonase.  Sipas hulumtimit që e bëri publik sot Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) dhe Institutit për Demokraci (ID) shumica e qytetarëve të Maqedonisë,  62,4 për qind janë kundër çdo lloj ndryshim të emrit për dallim nga viti 2011 kur ishin vetëm 45,3 përqind. 
Prej tyre 79,7% janë maqedonas ndërsa 23,4 përqind janë shqiptar.

Me këtë rritet dhe dallimi mes maqedonasve dhe shqiptarëve sa i përket vitit 2011.

Dallim të madh ka edhe në pyetjen të zgjidhet mes  “rruajtjes së emrit apo euro-integrimet” ku maqedonasit me 64,9 përqind janë shprehur se preferojnë të mos e ndryshojnë emrin ndërsa  68 përqind e shqiptarëve preferojnë euro-integrimet.

Sipas hulumtimit, qytetarët kërkojnë nga Qeveria dhe shohin atë si më përgjegjëse të ndërtojë një marrëveshje të gjerë politike rreth çështjes së emrit.

Analiza tregon se rritet pesimizmi se do të arrihet ndonjëfar zgjidhje për kontestin me Greqinë dhe sipas po të njëjtit burim, banorët fajësojnë Greqinë për mos angazhim. Banorët kërkojnë angazhim më të madh të dy kryeministrave, grek dhe maqedonas si dhe faktorit ndërkombëtar: SHBA, BE dhe Gjermania.

Në debatin e prezantimit të anketës së QMBN ishte dhe ministri i jashtëm, Nikolla Poposki i cili nuk harroi të përsërit akuzat e tij ndaj Greqisë.

“Maqedonia është pro-aktive ndërsa Greqia jo-konstruktive e cila refuzon iniciativat tona. Athina nuk ka vullnet për zgjidhjen e emrit dhe janë të përqendruar në prodhimin e arsyetimeve të pa-baza. Çfarëdo zgjidhje të kemi , do të organizojmë referendum për të” tha mes tjerash Poposki.

Sipas profesorit Rizvan Sulejmani, shqiptarët rezultojnë të jenë peng i gjithë kësaj situate. 

“Shqiptarët siç mund të konstatojmë të gjithë, janë të izoluar si në një liqen ku çdo ditë uji tërhiqet. Mbytemi për ujë dhe frymë. Por cila është rrugëdalja? E majta thotë që të shkojmë më shpejtë nga deti – NATO dhe BE-ja. Ndërsa e djathta përpiqet që uji të mos shkojë në atë drejtim”, u shpreh Sulejmani.

Stevo Pendarovski tha se problemi më i madh për emrin, qëndron në mungesën e një konsensusi të gjërë mbi-partiak dhe etnik.

“Gruevski është i gatshëm të bisedojë me Samarasin për çështjen e emrit por ai nuk është i gatshëm për të biseduar me liderët opozitar apo përfaqësues të opozitës” tha mes tjerash Pendarovski, i cili përflitet se do të del kandidat për kryetar shteti nga radhët e opozitares maqedonase Lidhja Social-Demokrate. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button