RDK kërkon ligj për të drejtat e ish të dënuarve politik

Procesi i lustrimit në Maqedoni nuk mund të ketë kuptim pa miratimin e një Ligj që do të kompensonte dëmin shpirtëror të gjithë atyre personave të dënuar dhe persekutuar për motive politike nga sistemi i kaluar, vlerësojnë nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

 “Në Maqedoni ka mbi 24 mijë të burgosur, të persekutuar, të diferencuar politik shqiptarë. Prej tyre 5200 janë të gjallë. Ky proces do të kishte kuptim sikur të përcillej edhe me një Ligj që do të rregullonte të drejtat dhe do të kompensonte dëmin shpirtëror të gjithë këtyre të diferencuarve politik dhe të diferencuarve të tillë, posaçërisht nëse e keni parasysh se ky numër në Maqedoni është vërtet shumë i madh” tha deputeti I RDK-së Naxhi Xhelili, I cili pyeti deputetët e shumicës, a planifikojnë të sjellim Ligj për të dënuarit politik. 

Duke u përgjigjur në këtë pyetje, deputeti I VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, tha se kërkesë është legjitime, por nuk precizoi nëse partia e tij është ë gatshme të votojë pro miratimit të një Ligji për të drejtat e ish të dënuarve politik.

“Tema që e shtroni ju është e hapur dhe legjitime. Por, dua të pohoj se satisfaksioni më i madh moral, të paktën për ata njerëz që unë I përfaqësoj, është që sot jetojnë në Maqedoni, si vend të lirë dhe të pavarur. Për këtë, luftuan ata njerëz që dikur përfunduan nëpër burgje” tha Ilija Dimovski.

Një ditë më parë, deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti, përsëriti qëndrimin dhe angazhimin e BDI-së për sjelljen e Ligjit për të burgosurit politik.

Lajme të ngjashme

Back to top button