Osmani: Me gjykatat kukulla, makiavelistët si Nevzat Bejta janë të paprekshëm

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, pas seancës gjyqësore për aktpadinë e ngritur kundër Nevzat Bejtës, ka reaguar kundër vendimit të gjykatës,  duke e konsideruar atë si vendim skandaloz.  

“Gjykatësi kukull me identitet N.N i emëruar nga BDI-ja, si dhëndër i një gjykatësi (prokurori) ekstremist i BDI-së, në instancat më të larta gjyqësore, nuk kërkoi argumentimin e shpifjes së Nevzt Bejtës, por i dha drejtim tjetër seancës gjyqësore dhe solli një vendim skandaloz, me të cilin vendim stimulon Bejtën dhe shumë shpifës të tjerë të BDI-së”, thotë Rusfi Osmani.

Në një komunikatë të RDK-së, thuhet se nëpërmjet aktpadisë, kryetari Rufi Osmani, argumentoi bindshëm se nuk është keqpërdorur asnjë euro për kampanjën zgjedhore të RDK-së, për zgjedhjet lokale 2013 dhe se të gjitha pagesat e bëra bazohen në dokumentacion valid kontabël dhe juridik.

Nevzat Bejta. akuzoi Rufi Osmanin se në dy muajt e fundit në funksion të kampanjës së tij zgjedhore ka harxhuar 1,2 milion euro në mënyrë joligjore nga buxheti i komunës’’.

Në komunikatën e RDK-së, thuhet se për të mohuar pretendimet e Bjetës, kryetari i kësaj partie ka paraqitur në gjykatë raportin financiar të partisë, për zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Duke e konsideruar Nevzt Bejtën si shpifës, RDK-ja thotë se ai, me asnjë dëshmi materiale dhe verbale nuk argumentoi shpifjen e bërë në seancë gjyqësore, sepse dëshmi të tilla nuk ekzistojnë në realitet me përjashtim të halucinacioneve dhe shpifjeve që i prodhon në kokën e tij.        

“Aktakuza e ngritur synonte të demaskoj këtë shpifje të rëndë dhe tërësisht të pa argumentuar sepse të gjitha pagesat e kryera nga buxheti i komunës së Gostivarit në mandatin qeverisës 2009-2013 dhe në veçanti në periudhën janar-mars 2013 ishin të bazuara në ligjet në fuqi, në vendimet e Këshillit komunal duke respektuar në tërësi të gjitha procedurat e ligjit për furnizime publike dhe ligjit për buxhet”, thuhet në komunikatën e RDK-së.

 “Në një vend ku mbizotëron, krimi, korrupsioni, anti-vlera, partizimi ekstrem dhe ku të gjitha institucionet së bashku me gjykatat janë të kapura për fyti nga qeveria vendimet e kësaj natyre janë vendime normale sepse çdo vendim tjetër do ishte jo normal për një vend si Maqedonia ku vlejnë rregullat dhe ligjet e xhunglës afrikane”, thuhet në komunikatën e RDK-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button