Rama: Reformë rrënjësore për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes bashkisë së Durrësit dhe Bankës Botërore, për ujësjellësin e ri të qytetit. Kryeministri Edi Rama e cilësoi si shumë të rëndësishme këtë marrëveshje dhe shtoi se, duhet një reformë rrënjësore për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve.

“Pas një kalvari të gjatë dhe një rruge të vështirë, ku koston e paguan të gjithë banorët e zonës ne jemi këtu për të nënshkruar atë që kemi përgatitur në një kohë rekord, marrëveshjen për të nisur nga puna dhe për të hapur rrugën e shndërrimit të Durrësit, nga një zonë me një sëmundje kronike, për shkak të një sistemi të degraduar të furnizimit me ujë, në një zonë që do të furnizohet rregullisht me ujë. Jam shumë i kënaqur që edhe impianti që kishte përfunduar prej vitit 2011, por mbeti i bllokuar sot është në punë dhe një pjesë e konsiderueshme e ujërave të zeza, po përpunohen me standarde të larta”, tha Rama.

“Ky është një transformim që fillon sot dhe banorët mund ta prekin në jetën e tyre të përditshme. Banorët e kësaj zone do kenë furnizim me ujë dhe kjo zonë nuk do jetë më një zonë, ku për turp ujërat e zeza derdhen në det dhe ku njerëzit notojnë mes detit dhe ujërave të zeza. Brenda këtij mandati qeverisës do t’i japim fund e historisë së ujit dhe higjienës në Durrës, duke hapur një kapitull të ri dhe një kapitull, ku ky problem do të jetë një problem që do ngjajë sikur nuk ka ekzistuar kurrë”. 

Ndërsa, drejtoresha e Bankës Botërore, Ellen Goldsten, deklaroi se duhet angazhim për më shumë bashkëpunim me pushtetin vendor dhe për t’iu gjendur sa më pranë qytetarëve. Ajo theksoi se duhet punë për të realizuar furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit.

“Unë mendoj se nuk ka vend më të mirë në Shqipëri për ta realizuar këtë model të vet decentralizimit lokal se këtu në Durrës. Ne prandaj kemi zgjedhur ta nënshkruajmë këtë marrëveshje këtu në Durrës. Por, ne e ndërmorëm këtë hap edhe për të sinjalizuar këtë transferim të veprimit. Unë e di që i nderuari kryeministër është ende një kryebashkiak në zemër. Prandaj nuk ishte e vështirë ta bindnim këtu sot, sepse ai e di që këtu është vendi ku duhet të bëhen gjërat. Prandaj jam shumë e kënaqur që Banka Botërore do jetë partneri juaj në mbështetjen e bashkiakëve dhe komunarëve. Unë megjithatë duhet të theksoj se nevojitet shumë punë për sigurimin e furnizimit me ujë”,- deklaroi Goldsten. 

Projekti parashikon 

-investime parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit, për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik; investimeve dytësore që i lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit; dhe investime parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit. 

-investime parësore në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike, në impiantin, ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës. 

– mbështetje të mëtejshme për ndërmarrjen e ujësjellësit, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj dhe situatën e saj financiare. 

Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë rreth 400,000 qytetarë në sezonin e pikut (330,000 në pjesën tjetër të vitit), të cilët do të përfitojnë nga përmirësimet e shërbimeve në rajonin e Durrësit. Kjo përbën një përmirësim rrënjësor, përsa i përket furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të zeza, mbulim më të gjerë të zonave urbane dhe rurale, si dhe mbrojtje më të mirë mjedisore të burimeve ujore në bregdet./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button