Trump: Clinton të çarmatosë truprojat e të shohë çfarë ndodh

Kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, po përballet sërish me kritika pasi për herë të dytë ka përmendur mundësinë e vrasjes së Hillary Clinton.

Trump sugjeroi se rojat e sigurisë së zonjës Clinton duhej të heqin dorë nga armët e tyre dhe të shohin se çfarë do t’i ndodhë asaj.

Trump i është shprehur mbështetësve të tij se rivalja e tij kërkon të shkatërrojë ‘amendamentin e tyre të dytë’, duke ju referuar kështu të drejtës për armëmbajtje në vend.
Skuadra e Clinton ka akuzuar Trump se po nxit dhunë në rradhët e njerëzve.

Në një tubim në Miami, ditën e premte, kandidati republikan tha:
“Mendoj se truprojet e saj duhet të lënë armët. Merrjani armët e tyre, ajo nuk i do ato. Merrjani armët dhe le të shohim se çfarë do t’i ndodhë asaj. Do të ishte shumë e rrezikshme.”

Një zëdhënës i Clinton u shpreh se kjo deklaratë e Trump, është e papranueshme nga dikush i cili kërkon detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Edhe gjatë muajit të kaluar, Trump bëri një deklaratë të tillë të bujshme, në të cilën ai pretendonte se Clinton do të shfuqizonte amendamentin e dytë dhe do të nxiste aksione nga personat të cilët e mbështesin këtë amendament. Nga shumë demokratë kjo u kuptua si një thirrje për vrasjen e zonjës Clinton, megjithatë kampi i Trump më vonë u justifikua se kandidati kishte kërkuar veprim jo me anë të dhunës, por me anë të votave.

Këto komente vijnë vetëm pak orë pasi Trump u detyrua të tërhiqej nga qëndrimi i tij i hershëm se Presidenti Barack Obama nuk është lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë të cilën ai më në fund e pranoi në një event në Uashington.

Megjithatë, kjo nuk e ndaloi Trump të vazhdonte me akuzat ndaj Clinton se në të vërtetë, ishte ajo që kishte nxitur debatin mbi vendlindjen e Obama-s në një fushatë në 2008, transmeton Oranews.tv.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button