Turqi, kriza e vazhdueshme guleniste

Kryeministri i Turqisë ndodhet përballë akuzave për korrupsion, mes një lufte për pushtet, që ka mbërthyer elitën politike të vendit.

Analistët thonë se përplasjet, që u kanë kushtuar vendet e punës 3 ministrave deri tani, u nxitën nga ngadalësimi ekonomik në një vend, që është parë për një kohë të gjatë si një fuqi ekonomike në rritje në rajon.

Përplasjet politike të Turqisë u zhvendosën në parlament, ku u kthyen në përleshje fizike. Ligjvënës rivalë u kapën për një projekt-ligj, që do t’i jepte qeverisë një rol më të madh në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve.

Opozita thotë se kjo është një përpjekje për t’i vënë kapakun një skandali korrupsioni. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i ka karakterizuar akuzat për korrupsion si një përpjekje “grushtshteti juridik”, madje fajëson fuqitë e huaja.

“Një propagandë e madhe ka filluar kundër nesh. Ekziston një bandë, një komplot intrigash brenda shtetit”. Më shumë se 10 mijë banorë protestuan kundër korrupsionit nëpër rrugët e Ankarasë javën e kaluar.

Gul Berna Ozcan, e Universitetit “Royal Holloway” të Londrës, thotë se akuzat përfshijnë qarqet më të larta të politikës dhe biznesit turk. “Korrupsioni në fakt është shtuar, ndërsa ekonomia po përmirësohej. Pjesa kryesore e korrupsionit qeveritar ka të bëjë me tenderat publikë, shërbimet bashkiake, rregullimin e territorit urban e rural dhe privatizimin, kryesisht të pasurive publike”.

Skandali ka shkaktuar dorëheqjen e 3 anëtarëve të kabinetit. Disa shefa policie dhe 350 policë janë shkarkuar. Dhjetra të tjerë janë arrestuar. Vëzhguesit thonë se spastrimi i pushtetit ka në shënjestër pasuesit e lëvizjes së fuqishme konservatore, e njohur si Hizmet, e themeluar nga dijetari islamik me banim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen.

Një rritje mesatare ekonomike prej 5,2 përqind në vit, gjatë dekadës së fundit, ka ndihmuar kryeministrin Erdogan që të fitojë 3 mandate në detyrë. Por, që prej vitit 2011, ky zhvillim ka filluar të luhatet. Ekspertët thonë se, tani që ekonomia po ngadalësohet, secila palë dëshiron të sigurojë një pjesë sa më të madhe të saj dhe kjo po nxit mosmarrëveshje të mëdha mes forcave konservatore në Turqi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button