Zbardhet dëshmia e plotë, piloti tregon se si do ta merrte drogën

Prokuroria e krimeve të rënda në Shqipëri ka nisur marrjen zyrtare në pyetje të pilotit italian me përkthyes zyrtar.  Seanca është parashikuar të mbahet pasditen e sotme.

Sipas tyre, 69-vjeçari Guido Andrea Guidi ka pranuar se dje do të provonte pistën prej 1500 metrash të hapur me rul në fshatin Gotull.

Policia ka thënë mbrëmë se piloti italian, pas 20 ditësh ose një muaji, do të rikthehej për të marrë një ngarkesë prej 200 kilogramësh kanabis, shkruan sot “Panorama”.

Qëllimi i pilotit dje, sipas Policisë, ka qenë që të testonte mundësinë e uljes dhe ngritjes së avionit nga zona ku ndodhi ngjarja.

Italiani ka dhënë emrat gjatë deklaratës së tij në Prokurori, por identeti i tyre nuk bëhet me dije për shkaqe hetimore.

Në dëshminë paraprake për prokurorinë, pa praninë e përkthyesit zyrtar të licencuar dhe pa procesverbal të firmosur piloti ka pranuar se ka ardhur në Shqipëri për çështje droge.

Ai ka thënë se në Milano ka marrë porosi nga një shtetas shqiptar me precedent penalë për trafik droge.

Sipas porosisë, ai do merrte 20 mijë euro për çdo rrugë të transportit të drogës nga Shqipëria.

Piloti pranoi se në dy rastet që ka ardhur në Shqipëri është pritur nga persona që nuk i njihte më parë dhe që nuk i mbante mend tani emrat apo kontaktet e tyre.

Italiani ka thënë se nisja nga Bari dje është bërë nga një pistë private me pajisjet e lokalizimit të fikura.

Ai nuk ka njoftuar kullën as nga vendi i nisjes dhe as në vendin e mbërritjes në Shqipëri duke mbajtur transponderin të fikur gjithë kohës. Ka fluturuar me qëllim mbërritjen në koordinatat e vendit që i kishte dhënë shqiptari në Milano i shoqëruar edhe nga një italian.

Vend mbërritje ishte pista e përshtatur në zonën e Ishmit. Avioni ka bërë uljen normalisht ditën e djeshme dhe rreth 40 minuta pas uljes ka kryer kthimin dhe ka nisur manovrën e ngritjes por për shkak të terrenit, në fund të pistës, avioni nuk ka arritur të ngrihet pari ka pasur dëmtim në njërën nga rrotat e më pas është anuar duke dëmtuar krahun. si pasojë e hovit që kishte marrë mjeti ka dalë nga pista 10-15 metër dhe ka ngecur në tokë dhe në bimësi.

Piloti pretendon se nuk ka pasur persona që e prisnin në pistën ku bëri uljen ditën e djeshme por në anën tjetër një telefon që ka dorëzuar nuk ka shumë të dhëna. Dyshimet janë se kur avioni ka ngecur personat bashkëpunëtorë i kanë arrë telefonin tjetër ku ishin kontaktet e mesazhet e tyre.

Piloti ka pretenduar se ka pranuar këtë aktivitet për shkak të probleme ekonomike që kishte në Itali.

Ngarkesa me drogë sipas tij do të transportohej në varësi të motit në fund të muajit shtator. Për këtë arsye avioni dje i ka pasur sediljet e kabinës të montuara të cilat do të hiqeshin në fund të muajit për të lënë vend për drogën.

E gjitha kjo dëshmi është paraprake dhe sipas prokurorisë nuk ka vlerë ligjore derisa të bëhet në prani të avokatit dhe përkthyesit të licencuar ku të firmosin të gjitha palët.

Aktualisht piloti hetohet për shkelje të rregullave të fluturimeve ajrore dhe për shkak të moshës e marzhit të ulët të dënimit të veprës penale po ndiqet penalisht në gjendje të lirë me pasaportë të bllokuar çka e pengon të ikë nga Shqipëria.

Procedimi për drogën është deri tani në kuadër të dyshimeve pasi dëshmia e pilotit merr vlerë vetëm pas zbardhjes me përkthyer të licencuar dhe administrimit në dosje në cilësinë e provës, raporton Panorama, përcjellë Klan Kosova.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button