Berisha dhe Arvizu ‘thyejnë akullin’

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ambasadori i SHBA-ve kanë lënë mënjanë inatet dhe armiqësitë, duke u takuar ditën e sotme.

Berisha dhe Arvizu nuk ishin takuar që pas zgjedhjeve të parlamentare të 23 qershorit, të cilat sollën rrotacionin politik në vend. Duhet theksuar se ambasadori amerikan është në fund të mandatit të tij. 

Deputeti demokrat Sali Berisha priti në zyrën e deputetit kreun e prezencës së SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Berisha në këtë takim shprehu shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e lidhura me procesin e integrimit të Shqipërisë, që është edhe projekti kryesor i vendit.

Ish-kryeministri theksoi se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është kryekëput një proces i bazuar në standarde dhe progresi i vendit drejt anëtarësimit varet nga përmbushja e këtyre standardeve nga qeveria. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se opozita është e pozicionuar me vendosmëri në favor të cdo mase që shërben për përmbushjen e standardeve.

Në këtë kuadër Berisha shprehu shqetësimin se me veprimet e këtyre muajve të parë të qeverisjes zoti Rama, nën moton “nuk zbatojmë ligjet e Berishës”, po shkon në drejtim të kundërt me përmbushjen e standardeve, duke dhunuar dhe rrëzuar sistematikisht me vendime qeverie Kushtetutën, ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave . Të gjitha këto veprime, theksoi zoti Berisha, rrënojnë parimet e shtetit të së drejtës.

Ish-kryeministri i vendit theksoi gjithashtu se zoti Rama, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe standardet evropiane po shkatërron administratën shtetërore dhe institucione të tjera kyç të shtetit, duke shkarkuar drejtuesit dhe punonjësit e trajnuar e specializuar te tyre, për kualifikimin e të cilëve janë shpenzuar qindra milion euro.

“Qeveria po i zëvendëson këta nëpunës civilë me militantë politik. Kështu ai ka vendosur në krye të Policisë së Shtetit një komisioner të Partisë Socialiste, në krye të Agjencisë së Pastrimit të Parave ka vendosur kryefinancierin e PS-së, në krye të Institutit të Statistikave anëtarë dhe drejtues të strukturave të PS-së dhe G-99-ës, ndërsa në krye të Komisionit të Prokurimit Publik ka vendosur një nga personat më të politizuar të vendit, i cili përcakton fituesit e tenderëve, sipas porosive nga lart”, theksoi zoti Berisha.

Berisha gjithashtu theksoi se qeveria Rama-Meta po sulmon institucionet e pavarura të vendit, me procedura antikushtetuese dhe antiligjore. Një shembull i qartë në këtë aspekt është përpjekja për shkarkimin e kryetares të ILDKP-se me qëllim që të sigurojnë fshehjen e pasurisë së tyre si dhe të ushtrojnë presion mbi sistemin gjyqësor dhe hallka të tjera të shtetit.

Zoti Berisha theksoi se për shkak të këtij presioni gjykatësit sot po refuzojnë çështje në të cilat paditet qeveria. Në këtë kuadër zoti Berisha theksoi se sot në gjykatat e vendit, përfshi edhe atë Kushtuese, ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit ose edhe nga vet Rama.

Ish-kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se qeveria Rama-Meta kërkon të anulojë njësitë e përbashkëta hetimore të luftës kundër korrupsionit në një kohë kur korrupsioni po rritet në mënyrë galoponte. Ai theksoi se ato duhet të forcohen por jo të asgjësohen siç do të bëjë qeveria me ligjin e ri.

“Të gjitha këto veprime dhe deklaratat e bëra nga kryeministri Rama tregojnë një trend të qartë që qeveria po shkon në një drejtim që jo vetëm po dëmton integrimin europian të vendit por po minon dhe vë në pikëpyetje themelet e shtetit demokratik”, u shpreh zoti Berisha. Mësohet se diskutimi ishte i hapur dhe miqësor./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button